Asanaj Mbetet në Krye të AKP’së

Dino Asanaj do të vazhdojë të jetë kryetar i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Asanaj kishte paralajmëruar dorëheqjen nga kjo pozitë, por në një mbledhje që ka mbajtur sot Bordi, ai thuhet se e ka pranuar kërkesën e anëtarëve të Bordit që të vazhdojë ushtrimin e detyrës. 

“Gjatë kësaj mbledhje, drejtorët e Bordit e shqyrtuan kërkesën e Kryetarit të Bordit për dorëheqjen, të paraqitur mbledhjen paraprake. Pasi që anëtarët e Bordit vlerësuan lartë të arriturat e deritashme të AKP-së nën udhëheqjen e z. Dino Asanaj, nga ky i fundit u kërkua që të vazhdojë ushtrimin e detyrës edhe më tutje. Anëtarët e bordit shprehën kënaqësinë që z.Asanaj pranoi kërkesën e tyre dhe u zotua për përkushtim të lartë për të mirën e vendit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar pas takimit . 

Bordi i Drejtorëve të AKP-së, sot ka aprovuar përfundimisht listat fillestare për shpërndarjen e pjesshme 20% të punëtorëve për ndërmarrjet tanimë të privatizuara.

Me vendimin e sotëm të Bordit, AKP ka arritur që deri më tani të aprovojë të gjithë 160 listat e publikuara më parë të ndërmarrjeve shoqërore, njoftoi Zyra për Marrëdhënie me Publikun e AKP-së.

Bordi aprovoi për shpërndarje të pjesshme të shumës 20 % për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore: “Kombinati i Lëkurë Këpucëve”, Pejë; “Gërmia”, Prishtinë; “Morava e Binqës”, Gjilan; “BEC”, Gjakovë; “Mirusha”, Malishevë; “IMK Industria Metalike e Kosovës-Fabrika e Gypave”, Ferizaj dhe NSH “Agimi”, Gjakovë.

Gjatë këtij takimi, Bordi aprovoi për dorëzim edhe Raportin Tremujor për Kuvendin e Kosovës për periudhën korrik–gusht-shtator, në kuadër të raportimeve të rregullta periodike të AKP-së në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, Bordi ka aprovuar transaksionet e shitjeve përmes metodës së likuidimit nr. 9, ndërsa ka diskutuar edhe për ndërmarrjet shoqërore të privatizuara me metodën spin-off special, ku blerësit akoma nuk i kanë përmbushur zotimet përsa i përket investimeve dhe punësimeve. Bordi vendosi që të marrë në konsideratë planet dhe kërkesat  e reja të sjella nga ana e blerësve, si dhe propozimet e reja të tyre dhe në takimet e ardhshme do të shqyrtohen dhe do të merren vendime në përputhje me gjendjen e re të krijuar në këto ndërmarrje me rëndësi për ekonominë e Kosovës.