Arusha e Sulmon Egërsisht

Mehmet Koro, si zakonisht, atë ditë kishte dalë për të ecur në Marash të Prizrenit.

Ai është gjyqtar aktiv i hendbollit dhe qe 35 vjet del për të ecur në gjelbërim. Por më 3 tetor, rreth orës 17:40, do t’i ndodhë diçka që s’do ta harrojë kurrë. Ai rrëfen për Gazetën Jeta në Kosovë se ishte duke ecur në vendin e quajtur “Karapotok”, nën Kalanë e Prizrenit, kur ka dëgjuar disa hapa të zhurmshëm. Është kthyer për të shikuar, mirëpo nuk ka mundur të vërejë asgjë, sepse në atë pjesë, pylli është i dendur…
 
Në fillim, i kishte shkuar mendja se është ndonjë derr i egër. Është ndalur. Papritmas në të majtë, nga shkurret i shfaqet egërsira e rrezikshme. Një arushë, 1 metër deri në 1 metër e gjysmë larg kur ai e kishte vërejtur, po vinte bashkë me të voglin e saj, drejt Koros.

“Nuk kam ditur si të veprojë, por nga instinkti jam ulur, duke menduar që kafsha ulur nuk do të më sulmojë”. Mirëpo, arusha nuk është ndalur. Ajo është sulur, duke e kafshuar në dorë. Ia ka shqyer dorën e majtë, pastaj kthetrat e saj të mprehtë i ka ngulur në shpatullën e këmbës së djathtë. Arusha po tentonte ta tërhiqte zvarrë drejt pyllit.
 
Mirëpo, me dorën tjetër, Koro tregon se është mbajtur për trungun e një peme. Ishte luftë për jetë, a vdekje. Ariu i ka shkaktuar tri shqyerje në këmbën e djathtë , të thella deri në asht. Në plagën e shkaktuar në këmbë, Memo thotë se mund të fuste komplet grushtin e dorës!
 
“Ariu nuk ndalej. Më shqeu edhe këpucën, dhe shputën e këmbës së majtë. Po e shihja vdekjen me sy, mendova se do të më shqyej të tërin… Për një moment i vogli i saj, filloi të vrapojë drejt pyllit. Ariu më la mua, të shqyer dhe dërmuar, dhe u nis pas këlyshit të saj”.

Këtu Mehmet Koro ndal rrëfimin për një çast dhe merr frymë thellë. Thotë se vetëm Zoti e shpëtoi.
 
Nga aty, i përgjakur dhe duke çaluar, lëshohet poshtë Marashit, për të kërkuar ndihmë nga qytetarët. Për fatin e tij të keq, nuk e kishte marrë me vete telefonin celular, të cilin thotë se tani nuk do ta ndajë kurrë nga vetja.
 
Në Marash, pranë lokalit “Andrra”, takon njerëzit e parë. Ata e lajmërojnë Emergjencën në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
 
Rreth orës 23, e fusin në operim, të cilin e kryen Dr. Xheladin Krasniqi. Në spital, qëndron katër ditë.
 
Ende nuk e ka marrë veten nga tronditja. Por, Koro është i prekur edhe nga mosinteresimi total i  organeve institucionale për t’i ofruar ndonjë ndihmë.  Madje, askush, përfshirë policinë, nuk ka marrë mundin të vijë ta pyesë se si ka ndodhur ngjarja.

“Të parët jeni ju, Gazeta Jeta në Kosovë, që keni ardhur për të më intervistuar”, u shpreh ai.
 
Vëllau i Mehmetit, avokati Ymer Koro, thotë se po e shqyrton bazën ligjore dhe së shpejti do të bëjë padi për kompensimin e dëmit, ndaj Komunës së Prizrenit dhe Shoqatës së Gjuetarëve në Prizren.

Mehmet Koro thotë se ka 35 vjet që në vazhdimësi i viziton këto vende, mirëpo deri më tani asnjëherë nuk ka ndodhur që ariu të zbresë kaq poshtë. Kjo, beson se ka ndodhur për shkak të thatësisë së sivjetme, në Bjeshkët e Sharrit.
 
Tani është koha e mbledhjes së gështenjave dhe shumë qytetarë, e sidomos fëmijët shkojnë për të mbledhur gështenja në ato pjesë. Për këtë, Koro thotë se është i brengosur se ndokënd mund ta gjejë fati i njëjtë më të, në mos më keq.