Karrigia e zbrazët e PDK-së në #DebatPernime. Foto: Kallxo.com

Arroganca që të Ndëshkon

Kur PDK i mori në një koalicion të përbashkët parazgjedhor AAK-në e Ramush Haradinajt dhe Nismën e Fatmir Limajt, lidershipi i saj mund të ketë menduar se fitoren e kanë në xhep dhe se dhjetëditëshi i fushatës parazgjedhore më shumë do të mund t’iu shërbente si pistë defilimi, sesa arenë ballafaqimi idesh e argumentesh me rivalët.

Siguria në numra, bazuar në rezultatet e vitit 2014, ua shtoi rehatinë dhe mbase mendja mund t’ua ketë thënë se zgjedhjet mund t’i fitojnë “me duar në xhepa”, ashtu siç thoshte Isa Mustafa dikur për Prishtinën. Por, llogaritë i kishin bërë keq.

Së pari, i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN refuzoi që të përballet në debat me rivalët e tij nga LDK e Vetëvendosje, Avdullah Hoti e Albin Kurti. Haradinaj i cilësoi ata si të padenjë për debat. Një qasje kjo arrogante dhe aspak serioze.

Por, kundërshtimi për debat me rivalët politikë nuk mbaroi këtu. Ishte PDK ajo që refuzoi t’i dërgojë përfaqësuesit e saj në studio televizive përballë kundërshtarëve. Ishte PDK ajo që refuzoi të marrë pjesë edhe në nëntë ballafaqimet tematike të #DebatPernime.

Në këtë mënyrë PDK po dërgonte sinjal se nuk i bënte hesap kundërshtarët, se ata ishin më “të fortët”. Madje, ata provonin të vendosnin edhe rregulla për formatin e debateve. Duke refuzuar të debatojnë, ata po shpërfaqnin gjithë arrogancën dhe papërgjegjësinë për llogaridhënie. Me këtë qasje, PDK nuk po i respektonte as qytetarët, madje as votuesit e vet. Për më shumë, po i fyente ata.

* * *

Duke mos marrë pjesë në debate përmbajtësore, njerëzit e PDK-së privuan veten nga mundësia për të treguar ofertën e tyre zgjedhore. Gjithë çfarë kemi dëgjuar në fushatë nga ta, duke filluar nga i pari i partisë Kadri Veseli, kanë qenë premtime të përgjithshme që njerëzve nuk iu thonë asgjë. Kanë qenë “garanca” se me ta në pushtet do të jetë “shumë më mirë”, por se si do të arrihej kjo praktikisht, nuk e ka thënë askush.

Fushata zgjedhore ka përfunduar, zgjedhjet janë mbajtur e njerëzit nuk e dinë se cili është plani i PAN-it, i PDK-së për zgjidhjen e problemeve më të mëdha me të cilat përballen qytetarët. Cili ka qenë dhe është plani për shëndetësinë e rrënuar e të korruptuar? Cili ka qenë dhe është plani për arsimin e politizuar? Cili ka qenë dhe është plani për zhvillimin ekonomik, punësimin e njerëzve e luftimin e korrupsionit?

Fushata zgjedhore ka përfunduar, zgjedhjet janë mbajtur e qytetarët mbajnë mend vetëm premtime të tipit se ata janë njerëzit e duhur për të qeverisur, se me ta në pushtet Serbia nuk do të kthehet në Kosovë dhe se ata kanë vullnet për të punuar.

Por, qytetari kosovar ka nevojë të dijë shumë më shumë se kaq. Për 17 vjet ai është ngopur me premtime boshe, me qeveritarë që nuk mbajnë përgjegjësi për punët që nuk i kryejnë dhe që pushtetin e kuptojnë vetëm si privilegj e mundësi për ta pasuruar veten dhe të vetët. Ai me votën e tij di të ndëshkojë atëherë kur duhet.

* * *

Isa Mustafa kryeministër është shembulli më domethënës se si qasja arrogante, përjashtuese e refuzuese të hakmerret. Kjo do të mund t’iu kishte shërbyer si model njerëzve të PAN-it dhe të PDK-së. Ata me qëllim e lëshuan rastin që të përballen me qytetarët dhe me kundërshtarë politikë për të dhënë përgjegjësi për punët që i kanë bërë e nuk i kanë bërë dhe për punët që thoshin se do t’i bëjnë.

Disa ditë pas zgjedhjeve, qytetarët nuk e kanë të qartë nëse premtimet e bëra nga njerëz të PAN-it ekzistojnë diku të shkruara në letër. Publikisht nuk është prezantuar asnjë plan, asnjë program. Dhe, kur nuk e ke një të tillë, nuk ke si ta prezantosh atë.

Disa ditë pas zgjedhjeve, qytetarët nuk e kanë të qartë nëse premtimet e bëra nga Haradinaj, Veseli e Limaj janë vetëm premtime të partive të tyre, apo të koalicionit PAN. Ata janë shfaqur tërësisht konfuzë dhe të pakoordinuar në ato që kanë thënë. E kryesisht arrogantë janë shfaqur në përballje me opinionistë (ditët e fundit të fushatës edhe me ndonjë kundërshtar politik) përfaqësues të PDK-së të cilët më shumë shkonin nëpër studio televizive për të bërë zhurmë, sesa për të ofruar argumente. Shumë formë, e pak përmbajtje.

Ballafaqimet tematike në #DebatPernime kanë arritur që për publikun të sqarojnë në mënyrën më të mirë dhe më praktike çfarë është bërë e çfarë duhet bërë nga të zgjedhurit me votë.

PDK me vetëdije e ka refuzuar ballafaqimin, por ky vendim më së shumti e ka dëmtuar vetë partinë.

Për secilën shoqëri, debati është i shëndetshëm dhe mund t’i dëmtojë vetëm ata që nuk kanë argumente për të ofruar. Ikja nga debati është ikje nga përgjegjësia. Arroganca nuk është zgjidhje. Arroganca ndëshkohet. Përnime.

Nëntë 'Mikrofonat e PDK-së' #DebatPernime

Nëntë 'Mikrofonat e PDK-së'#DebatPernime

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 9 juin 2017