Arrestohet për Grabitjen e 6000 Eurove në Kazino

I dyshuari kishte kryer grabitjen rreth orës 4:50 të mëngjesit, me ç’rast kishte rrëmbyer 6 000 euro dhe gjashtë telefona mobilë të llojeve të ndryshme.

Hetues rajonalë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Prizrenit, të cilët ishin të ngarkuar me hetimin e këtij rasti, kanë arrestuar një 42-vjeçar nga Malisheva, në cilësi të personit të dyshuar, ka njoftuar zëdhënësi i policisë Hazir Berisha.

“Pas intervistës, në konsultim me prokurorin është vendosur që i dyshuari të ndalet nën masën e arrestit policor”.

Në një rast tjetër, hetuesit rajonalë kanë intervistuar një të dyshuar, i implikuar në një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në një objekt të lojërave të fatit në Prizren.

Policia ka saktësuar se para dy muajsh, tre të dyshuar si anëtarë të grupit, kishin në kazino dhe kishin dëmtuar aparaturat që ndodheshin aty.

“Njëri nga të dyshuarit kishte shtënë me pistoletë në një aparaturë duke e dëmtuar atë dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Ndërkaq sot është intervistuar i dyshuari dhe nga ai është sekuestruar një pistoletë e llojit ‘Crvena Zastava’, e cila dyshohet të jetë përdor në rast”, bëri të ditur zëdhënësi Berisha.

Sipas hetuesve, dyshohet se kjo ka ndodhur në shenjë hakmarrje ndaj një rasti tjetër të ndodhur në restorantin “Pojata” në Landovicë, kohë më parë, kur ishin shkrehur breshëri automatikesh pas një mosmarrëveshje mes dy palëve.