Arrestohen Gjashtë Keqpërdorues

(E plotësuar) Misioni i EULEX-it ka kryer bastisje në Administratën e Policisë së Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe në disa lokacione të tjera në Kosovë. Gjashtë persona janë arrestuar si të dyshuar për keqpërdorime që kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit në Policinë e Kosovës dhe bizneseve që e furnizojnë policinë me armë dhe municione, ka njoftuar  EULEX-i, nëpërmes një komunikate shtypi.

Nga të arrestuarit, dy janë punonjës të administratës policore, një tjetër është zyrtar i MPB-së, ndërkaq 3 të tjerë janë nga bizneset private.

EULEX-i ka informuar se janë bastisur 12 lokacione në Kosovë. “Po ashtu, si pjesë e këtij hetimi, policia gjermane e ka bastisur një objekt afarist dhe një shtëpi private në Gjermani”, thuhet në komunikatën e lëshuar sot pasdite.

“Keqpërdorimet e pohuara kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit në Policinë e Kosovës dhe bizneseve që e furnizojnë policinë me armë dhe municione. Për shkak të këtyre keqpërdorimeve të pohuara, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me shuma që mund të arrijnë deri në miliona euro, gjë që e ka bërë Policinë e Kosovës viktimën kryesore të kësaj afere”.

“Gjithsej janë bërë gjashtë arrestime, duke përfshirë tre punëtorë biznesi, dy zyrtarë nga administrata e PK-së dhe një punëtor nga Ministria e Punëve të Brendshme. Përveç kësaj, janë bastisur edhe 12 lokacione të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë shtëpi private, objekte afariste dhe zyra publike”, njoftoi EULEX-i.

Mësohet se në MPB është bastisur Departamenti për Siguri Publike, me ç’rast janë konfiskuar dokumente nga dy zyrtarë të këtij departamenti, që janë të përfshirë në kuadër të këtij hetimi të EULEX-it.
 
Hetimi udhëhiqet nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).