Slavko Brezoski, 94, qëndron në sheshin kryesor të Shkupit, ku qendra tregtare moderniste të cilën ai e dizenjoi më 1956 u fsheh pas një fasade neoklasike. Foto: Nevena Brezoska

Arkitektët e Shkupit Modern Kritikojnë Rimodelimin Prapanik

Slavko Brezoski kishte kohë që punonte si arkitekt kur qyteti përreth tij u shkatërrua një mëngjes korriku në vitin 1963, një ngjarje që dominoi pjesën tjetër të jetës së tij.

Tërmeti që goditi kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, pak më shumë se gjysmë shekulli më parë, në atë kohë pjesë e ish-Jugosllavisë, vrau më shumë se 1 mijë vetë dhe rrënoi tri të katërtat e të gjitha ndërtesave.

Nga të paktat që mbijetuan qe qendra tregtare, e cila kishte të njëjtin emër me qytetin dhe qe dizenjuar nga Brezoski më 1956 para se të ndërtohej në vitin 1960 në sheshin kryesor.

Një krijesë me pesë kate mermeri të bardhë dhe xhami, ajo është një nga veprat më të njohura të Brezovskit, pjesë e një dallge modernizmi që dominoi ish-Jugosllavinë socialiste dhe që shënoi edhe rindërtimin e Shkupit të pastërmetit në një stil futurist të pakrahasueshëm në rajon.

Sot, gjithsesi, ndërtesa – e cila më pas u bë Galeria e Qytetit – nuk dallohet dot më.

Ajo është një nga dhjetëra ndërtesat që janë fshehur apo janë rrugës drejt fshehjes pas fasadave neokrasike dhe kolonadave të holla të cilat janë pjesë e një makiazhi radikal të qytetit të njohur si projekti Shkupi 2014, dizenjuar për të ringjallur lashtësinë dhe për të ndezur një ndjenjë identiteti kombëtar mbështetur në pretendimin e Maqedonisë për Aleksandrin e Madh.

Tashmë, në moshën 94 vjeçare, Brezoski ndjen dhimbje kur sheh se çfarë është bërë me punën e tij dhe akoma më keq, për shkak se ai nuk e dha kurrë miratimin e tij për ndryshimin.

Një kullë në Shkup me një fasadë të re neoklasike në njërën anë. Pjesa e pasme e ndërtesës është siç ka qenë. Foto: Bojan Blazhevski
Një kullë në Shkup me një fasadë të re neoklasike në njërën anë. Pjesa e pasme e ndërtesës është siç ka qenë. Foto: Bojan Blazhevski

I hollë dhe i dobët, por me zë të vendosur, Brezoski i tha BIRN se ai pati takuar kryebashkiakun e Shkupit, Koce Trajanovski, dhe një këshilltar të tij në vitin 2013, dhe i patën dhënë një deklaratë për të firmosur, ku shkruhej se ai nuk kishte kundërshti në ndryshimin e fasadës.

Brezoski refuzoi dhe shkroi në një gazetë me dorën që i dridhej: “Ma dhanë për firmë. Unë nuk firmosa.”

Ai rikujton se si i tha Trajanovskit: “Kjo nuk është për mua. Të kam thënë se nuk jam dakord që ajo të preket.”

Në fakt ajo ndërtesë u prek, krahas mbi 20 ndërtesave të tjera moderniste në qendër të Shkupit, përfshirë selinë e qeverisë, e cila tashmë shkëlqen nga bardhësia në imitim të Shtëpisë së Bardhë.

“Të dhëmb kur sheh se si puna e një jete e shumë arkitektëve të gjeneratës sime u zhduk pas një perdeje bukëpeshku,” tha Brezovski.

“Me shumë dashuri dhe entuziazëm ne e rindërtuam Shkupin pas luftës dhe pas tërmetit dhe tani po shohim se si po shkatërrohet në mënyrë të pamëshirshme.”

BIRN kërkoi për shumë nga arkitektët e gjeneratës së Brezoskit nga ish-Jugosllavia, një klasë avangardiste që punoi krah më krah me shumë arkitektë të huaj pas tërmetit, për ta kthyer Shkupin në një nga qytetet më progresive nga pikëpamja arkitekturore në Europën Juglindore, të cilët në fund panë se si ky vizion thjesht u zhduk.

Disa, si Brezoski, thanë se ata refuzuan të japin leje për fasadat neoklasike të ndërtesave që patën dizenjuar.

Të tjerë i thanë BIRN se ata as nuk qenë pyetur fare, gjë që përbën shkelje të ligjit maqedonas për të drejtën e autorit.

BIRN kërkoi në tri raste për një intervistë me kryebashkiakun e Shkupit, Trajanovski, në lidhje me këtë artikull, por iu tha se ai nuk kishte kohë të lirë. BIRN dërgoi gjithashtu pyetje të detajuara në Bashkinë e Shkupit duke kërkuar konfirmim për takimin e Trajanovskit me Brezoskin dhe mbi ankesat e këtij të fundit dhe arkitektëve të tjerë në lidhje me të drejtat e autorit.

Më 11 gusht, zyra e marrëdhënieve me publikun u përgjigj: “Autorët e veprave konceptuale janë zgjedhur gjithmonë në gara për dizenjot. Ne theksojmë se Qyteti i Shkupit ka qenë gjithmonë i hapur ndaj autorëve të dizenjove të fasadave të mëparshme, ka zhvilluar takime me disa nga arkitektët dhe ka marrë parasysh disa nga zgjidhjet e tyre”.

Më pas shtoi: “Bashkia e Shkupit jep leje për fasadat në përputhje me ligjin për ndërtimin dhe jo sipas ligjit të të drejtës së autorit. Sipas ligjit të ndërtimit, Bashkia përcakton pamjen e fasadës dhe leja e ndërtimit lëshohet në përputhje me këtë vendim.”

Kritiku kroat i arkitekturës, Maroje Mrduljas, e përshkroi procesin si “urbanicid”.

“Me të vërtetë nuk e kupton si mund të ndodhë diçka e tillë. Cilat ligje duhet të zbatohen dhe cilat jo?”

Mrduljas, i cili jep leksione në fakultetin e arkitekturës në Universitetin e Zagrebit, tha se Shkupi pas tërmetit qe “kazani i nxehtë” i eksperimenteve arkitekturore, duke sjellë bashkë arkitektë nga Europa dhe Ish-Jugosllavia përreth një vizioni modernist për qendrën e qytetit, e cila u dizenjua nga Kenzo Tange i Japonisë.

Megjithëse plani i Tange u realizua vetëm pjesërisht, “Shkupi në atë kohë qe me të vërtetë një eksperiment i arkitekturës dhe urbanistikës, një eksperiment progresiv natyrisht,” tha ai. “Në ditët tona, ne po përballemi me një lloj të ri eksperimenti, por një eksperiment acarues dhe nuk kemi parë kurrë diçka të ngjashme asgjëkundi.”

“Eklektik”

Shkupi 2014 është projekti simbol i ish-kryeministrit konservator Nikola Gruevski, kritikët e të cilit thonë se qeverisi me një dozë në rritje autoritarizmi gjatë dekadës së tij në pushtet mes viteve 2006 dhe 2016.

Ai u dorëhoq në janar për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohëshme pas ndërmjetësimit të Bashkimit Europian, i detyruar të mënjanohet nga një krizë politike që zgjati për shumë muaj, e shkaktuar nga një skandal përgjimesh që ekspozuan abuzim me pushtetin në shkallë të gjerë nga qeveria e tij, gjë që Gruevski e ka mohuar në mënyrë të përsëritur. Zgjedhjet pritet të zhvillohen më 11 dhjetor.

Makiazhi i Shkupit nga Gruevski sakaq ka shkaktuar shumë zhurmë e ka tërhequr shumë mbulim mediatik, pak nga të cilat kanë qenë lavdëruese. Përmasat e makiazhit janë rrënqethëse.

Sipas një databaze të hartuar nga BIRN, autoritetet kanë shpenzuar deri tani më shumë se 669 milionë euro për ndërtimin e 27 ndërtesave neoklasike dhe të stilit barok, pesë shesheve që paraqesin shatërvanë, dhjetëra monumenteve e skulpturave dhe një Harku Triumfi sipas stilit të Parisit. Buxheti total i këtij vendi të Ballkanit është afërsisht tri miliardë euro.

Qeveria thotë se po e bën qytetin Europian, pas shumë shekujsh sundimi osman dhe disa dekadash komunizmi.

Kritikët, gjithsesi, thonë se kjo përbën një çmenduri nacionaliste, një tentativë të rëndomtë për të krijuar një lidhje mes epokës së lavdishme të Aleksandrit të Madh me Maqedoninë e ditëve tona, një lidhje e debatuar ashpër nga Greqia fqinje. Pamja e re e Shkupit është cilësuar si “përtej Kitsch” dhe është krahasuar me një “mini Las Vegas“.

“Bota ka filluar me të vërtetë të shikojë te kjo arkitekturë… dhe ne sakaq po e shkatërrojmë atë” – Profesori i arkitekturës në Ljubjanë Marusa Zorec

Një pasojë e këtij transformimi ka qenë që të fshiheshin nga pamja cepat e mprehtë të bardhë të Teatrit të Operas dhe Baletit të Maqedonisë, një shembull i famshëm i modernizmit Jugosllav i dizenjuar nga grupimi arkitekturor slloven Biro 71.

E imagjinuar si pjesë e një kompleksi kulturor që zbriste te Lumi Vardar, projekti mbeti i papërfunduar ndërsa tani teatrit të Operas dhe Baletit i është zënë pamja nga lumi nga një rresht me ndërtesa neo-klasike, një portiko romake me shandanë falsë.

Sipas planit aktual, në fund të tij kjo ndërtesë do të rrethohet nga të gjitha anët, megjithatë asnjë nga arkitektët e kësaj ndërtese nuk u konsultua në lidhje me ndryshimet e planeve fillestare dhe zonës përreth Teatrit të Operas dhe Baletit.

“Asnjë institucion, as Bashkia e Shkupit dhe as Republika e Maqedonisë nuk na ka kontaktuar dhe nuk na ka kërkuar opinion si autorë, as nuk na ka përfshirë ne në komisionin e jurisë para ndërtimit të objekteve të reja,” thanë për BIRN përmes një emaili arkitektët e Biro 71, Stevan Kacin dhe Jurij Princes, dy nga katër arkitektët origjinalë.

“Është e kuptueshme që investitori dëshiron të plotësojë kompleksin, por ne duhet të marrim parasysh se do të qe e nevojshme përfshirja në zgjidhjen e re të Operas dhe Baletit dhe Sheshit, për të përfunduar zbritjen e tyre në Vardar,” shkruajtën arkitektët, të cilët kanë lindur respektivisht në vitet 1939 dhe 1933.

“Për fat të keq, ndërtesat e reja ‘eklektike’ në brigjet e Vardarit kanë shkatërruar idenë dhe kanë prerë sheshin e operas nga shëtitorja e qytetit.”

Maja Ivanic, kryetare e Shoqatës së Arkitektëve të Ljubjanës, tha se ajo qe “mallëngjyer” nga ndërtesa e operas kur e pati parë për herë të parë.

“Është shumë e bukur, komplekse, e pastër dhe e qartë në të njëjtën kohë dhe për këtë arsye është një monument arkitekturor shumë i fortë,” tha Ivanic për BIRN.

“Shkupi ka pasur arkitekturën e vet inovative shumë para se Zaha Hadid të shfaqej në botën e arkitekturës,” tha ajo në anglisht, duke iu referuar arkitektes së jashtëzakonshme britanike të lindur në Irak, e cila u nda nga jeta në mars 2016.

“Më vjen me të vërtetë shumë keq që qeveria e Maqedonisë nuk është e aftë të shikojë gjërat në këtë mënyrë.”

Të drejta morale

Përveç Brezoskit, Kacin dhe Princes, së paku pesë arkitektë të tjerë të epokës së pas tërmetit thanë se ata ose kishin refuzuar të jepnin miratimin ose nuk qenë informuar fare për planet për të ndryshuar dizenjot e tyre.

Neni 10 i ligjit të Maqedonisë për të drejtën e autorit thotë se autori fillestar i një strukture arkitekturore duhet të ketë të drejtën e parë të refuzimit për të kryer ndryshime. Nëse autori refuzon në mënyrë “të padrejtë”, pronari i ndërtimit mund të vijojë me punimet, “por është i detyruar të respektojë të drejtat morale të autorit”.

Neni 24 thotë: “Autori duhet të ketë të drejtën për të kundërshtuar çdo modifikim, shtrembërim apo gjymtim të punës, e cila mund të cënojë personalitetin, nderin dhe reputacionin e tij apo të objektit duke shkaktuar shkatërrim të punës.”

Gjithsesi, çështjet ligjore në Europë mbi të drejtat e autorit në arkitekturë janë veçanërisht të gjata. Edhe nëse arkitektët fitojnë, fitorja mund të vijë tepër vonë për të shpëtuar veprën origjinale.

Rruga e projektit u zbut nga një vendim më 23 mars 2012 i Zyrës së Maqedonisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, e cila hoqi statusin si zonë e mbrojtur për zonën kryesore këmbësore në qendër të Shkupit, të njohur si Zona Qendrore e Qytetit II, e cila përbëhet nga më shumë se 130 objekte.

Vendimi u mor dhe u publikua nga një grup i shoqërisë civile të Maqedonisë i quajtur Qendra për Trashëgiminë Kulturore. Arsyeja e dhënë për ndryshimin qe se zona ka “degraduar” nga planifikimi i keq urban.

Autori i këtij artikulli dorëzoi një listë me pyetje personalisht te drejtori i Zyrës së Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Viktor Lilcic Adams, por ky i fundit refuzoi të komentojë.

BIRN i dërgoi gjithashtu pyetje të detajuara Ministrisë së Kulturës në lidhje me ankesat kundër projektit Shkup 2014 por nuk mori përgjigje.

Shoqata e Arkitektëve të Maqedonisë, e cila pati folur shumë herë kundër projektit, nuk iu përgjigj pyetjeve.

Homazh

Ironia e sulmit kundër arkitekturës në Maqedoni është se pjesa tjetër e botës sapo ka filluar të vlerësojë modernizmin e epokës së Jugosllavisë, tha Marusa Zorec, një profesore e arkitekturës në Universitetin e Ljubjanës dhe anëtare themeluese e evidenca.org, një arkivë për arkitekturën moderniste në Sloveni.

“Bota me të vërtetë filloi të shikojë këtë arkitekturë, për ta vlerësuar atë për cilësitë arkitekturore,” tha Zorec. “Dhe pikërisht tani, ne po e shkatërrojmë atë.”

Muzeu i Artit Modern në Nju Jork, MoMA, do të përkujtojë modernizmin e Jugosllavisë me një ekspozitë të programuar për vitin 2018.

Bashkëkuratori Vladimir Kulic tha se ekspozita do të paraqesë rindërtimin e Shkupit pas tërmetit “si një nga çastet e rëndësishme të ndërkombëtarizimit të arkitekturës gjatë Luftës së Ftohtë”.

Ekspozita, tha ai, do të përfshijë vizatimet origjinale të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe planin Tange për qendrën e qytetit, plan që nuk u realizua kurrë në tërësi.

Disa nga ndërtesat që do të paraqiten i kanë mbijetuar deri tani makiazhit, “por shembuj të tjerë të rëndësishëm janë ndryshuar aq sa nuk njihen më,” tha përmes një emaili Kulic, një profesor i asociuar në Shkollën e Arkitekturës në Universitetin Atlantik të Floridës.

Ato përfshijnë ndërtesën e qeverisë, e cila në origjinë qe Komiteti Qendror i Komunistëve. Ndërtuar në vitet 1970, arkitekti Petar Mulickovski huazoi në të elementë të arkitekturës tradicionale të Maqedonisë. Ai e ka kundërshtuar publikisht makiazhin.

Kulic e cilësoi ndërtesën origjinale “një shembull me të vërtetë të rëndësishëm të regjionalizmit modernist”.

“Është shumë ironike që një ndërtesë ku artikulohej identiteti modern maqedonas i frymëzuar nga arkitektura vernakulare vendëse u vesh me një version qesharak dhe analfabet të klasicizmit ndërkombëtar pikërisht në përpjekje për të krijuar një lidhje të aluduar ‘maqedonase’”, tha ai.

BIRN kontaktoi arkitektin e fasadës së re të ndërtesës së qeverisë, Zarko Causevski, i cili përmes telefonit tha se “nuk kishte dëshirë të jepte intervista”.

Kompania Arhitektonika, në të cilën ai është drejtor ndërsa vëllai i tij Nikola është pronar, ka lënë gjurmët më të mëdha nëpër fasada. Një investigim i BIRN i publikuar në korrik 2015 zbuloi se të dy vëllezëve u janë paguar më shumë se gjysmë milioni euro.

Në një intervistë të shtatorit 2014, në faqen e internetit në gjuhën maqedonase Faktor, Causevski shpjegoi angazhimin e tij në neoklasicizëm.

“Pse kaq shumë maqedonas në profilet e tyre në Facebook vendosin foto me ndërtesa nga kryeqytetet Europiane? A mos vjen kjo nga nevoja për të treguar se ne jemi pjesë e këtyre vlerave kulturore? Për mua, një pjesë e madhe e qytetarëve kanë nevojë për një pozicionim të qartë se… ne jemi pjesë e vlerave kulturore Europiane.”

Blloku i zyrave Paloma Bianca në Shkup para se të fillonin punimet për të krijuar fasadën neoklasike. Arkitekti 86 vjeçar tha se ai nuk qe konsultuar kurrë. Foto: Bojan Blazhevski
Blloku i zyrave Paloma Bianca në Shkup para se të fillonin punimet për të krijuar fasadën neoklasike. Arkitekti 86 vjeçar tha se ai nuk qe konsultuar kurrë. Foto: Bojan Blazhevski

Lazar Dimov, arkitekti që dizenjoi fasadën për Galerinë e Qytetit të Brezoskit në sheshin kryesor të Shkupit, refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve kur u kontaktua nga BIRN.

Dimov mori pjesë gjithashtu në dizenjimin e një fasade të re në një seksion të ndërtesës Baloma Bianca, një bllok modernist zyrash, shumë pranë ndërtesës së bardhë me shkëlqim neoklasik që shërben si selia qendrore e partisë në pushtet VMRO-DPMNE.

Arkitekti fillestar i Paloma Bianca, Trajko Dimitrov, tha se autoritetet nuk e pyetën kurrë në lidhje me ndryshimin e fasadës.

“Më vret fakti që jam një person i lindur në Shkup dhe autor i një ndërtese të mirënjohur në qendër të qytetit dhe që kjo ndërtesë do të bëhet pjesë e një portreti në grup gri dhe të pafytyrë”, tha për BIRN Dimitrov, një anëtar i njohur i gjeneratës së arkitektëve maqedonas të pas Luftës së Dytë Botërore.

Tashmë 86 vjeç, Dimitrov u la i painformuar dhe zbuloi për planet për ndërtesën e tij nga gazetarët. Në qershor, gjatë raportimit për këtë artikull, skelat u ngritën përreth Paloma Bianka duke shënuar fazën e parë të ndërtimit për një fasadë të re.

“Edhe monumenti më i vlerësuar në mbretërinë Bizantine – Hagia Sofia në Stamboll – u dekorua me simbole islamike por shenjtëria arkitekturore iu respektua, atëherë dhe tani,” tha ai.

Njerëzit duhet të kuptojnë, tha ai, “se këto nuk janë objekte ku diskutohet vetëm e drejta e autorit, por janë objekte që vënë në diskutim identitetin e vendit tim.”

Trajko Dimitrov, 86, tha se autoritetet nuk e kontaktuan kurrë në lidhje me një fasadë të re për ndërtesën e zyrave Paloma Bianca. Foto: Bojan Blazhevski
Trajko Dimitrov, 86, tha se autoritetet nuk e kontaktuan kurrë në lidhje me një fasadë të re për ndërtesën e zyrave Paloma Bianca. Foto: Bojan Blazhevski

Lidhje politike

Modernizmi është vënë nën sulm dhe kjo ka ndodhur jo vetëm në Maqedoni, por edhe në vende të tjera, veçse në përmasa më të vogla.

“Një nga arsyet është se kjo periudhë nuk është pranuar ende si trashëgimi kulturore për shkak se nuk është krijuar distanca e mjaftueshme kohore,” thotë Maja Ivanic, kryetare e Shoqërisë së Arkitektëve në Ljubljanë.

“Arsyeja tjetër është se shumë njerëz, edhe vetë arkitektët dhe historianët e artit, e kanë lidhur arkitekturën moderne me situatën politike të asaj periudhe: ajo i rikujton atyre anët negative të socializmit dhe rrjedhimisht ata përpiqen ta lyejnë ose ta zhbëjnë atë.”

Duke mos qenë pjesë as e bllokut Sovjetik dhe as e Perëndimit kapitalist, Jugosllavia e udhëheqësit Josip Broz Tito krijoi markën e vet të socializmit dhe u dha jugosllavëve një nivel të tillë lirie dhe mirëqenie e cila i mungonte fqinjëve përtej Perdes së Hekurt. Shumë nga vendet e varfra që u krijua nga kolapsi i Jugosllavisë shikojnë pas te kjo periudhë me një farë nostalgjie.

Por për vende të tilla si Polonia, për shembull, arkitektura e periudhës komuniste është një rikujtesë e dominancës sovjetike, një epokë që shumë polakë dëshirojnë ta harrojnë. Debati mbi fatin e kësaj trashëgimie ka vijuar prej vitesh.

“Tashmë ne jemi në gjysmë të rrugës,” tha arkitekti polak Lukasz Galusek, redaktor i revistës tremujore Herito mbi trashëgiminë kulturore të Europës Qendrore. “Ne dimë se ka një vlerë; ne kemi menaxhuar të bindim shumë njerëz. Por ka ende shumë që nuk janë bindur.”

Në qytetin jugor të Katovices në Poloni, ku autoritetet komuniste ndërtuan një qendër tërësisht të re të qytetit, disa banorë dolën në protestë në vitin 2010 kundër planeve për të ridizenjuar stacionin qendror hekurudhor, i cili për shumë njerëz qe asgjë  një shumë se një ndërtesë betoni e shëmtuar.

Ata në fund dështuan, por dekada pas rënies së komunizmit në Europën Lindore, pjesa më e madhe e qendrës së Katovicës vijon të qendrojë si një shembull i shkëlqyer i planifikimit urban komunist, ku mund të shihen objekte të tilla si stadiumi Spodek i ngjashëm me UFO, i cili u hap më 1971 në përvjetorin e dhjetë të fluturimit të kozmonautit sovjetik Yuri Gagarin, njeriu i parë që doli në hapësirë.

Në vend që ta rrafshonin qendrën e qytetit, autoritetet vendëse mbollën aty palma dhe nxorrën shezllonë në sheshin qendror, a thua se po thonë “mirësevini në utopi”.

Qendra e qytetit Katovice e ndërtuar nga komunizmi në jug të Polonisë është në përgjithësi e paprekur por është dekoruar me palma dhe shezllonë. Foto: Bojan Blazhevski
Qendra e qytetit Katovice e ndërtuar nga komunizmi në jug të Polonisë është në përgjithësi e paprekur por është dekoruar me palma dhe shezllonë. Foto: Bojan Blazhevski

Galusek qe njohur me zhvillimet në Shkup dhe i komentoi ato në kontekstin e ndërtimi të identitetit pas kolapsit të komunizmit.

“Kështu ndodhi edhe me ne,” tha ai. “Qe e rëndësishme të tregonim se kulturat kombëtare kanë disa rrënjë më të thella, dhe unë e kuptoj se falsifikimi luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në këtë proces.”

“Ne maqedonasit,” tha ai duke folur a thua se ishte maqedonas, “ishim pushtuar nga turqit, kështu që nuk ishim pjesë e Époque, por nëse do të ishim, ne do të kishim gjithashtu barok dhe klasicizëm si të gjithë kombet e tjera.”

Në Slloveni, Zorec e evidenca.org tha se arkitektura moderniste është nën kërcënim nga kushtet e këqija të ndërtesave dhe ndryshimeve në pronësi e përdorime me kalimin e kohës.

Por, tha ajo, kërcënimi nuk është kurrsesi në përmasat e asaj që është parë në Shkup.

“Nuk di asnjë qytet në botë që t’i ketë transformuar ndërtesat nga një periudhë në një periudhë tjetër më pas në kohë,” tha ajo.

Mrduljas, kritiku i arkitekturës nga Kroacia, tha se qe shumë më e lehtë të mobilizohet mbrojtja për strukturat moderniste individualisht.

“Kur ke të gjithë qytetin të sulmuar në mënyrë frontale, atëherë kjo bëhet më e vështirë,” tha ai, “Ku gjendet vija e frontit?”

Zhvillimet më të fundit që kur Gruevski u mënjanua i kanë dhënë shpresë njerëzve si Brezoski.

Në tetor, zyra e prokurorisë speciale të Maqedonisë njoftoi një hetim në ndërtimin e një muzeu si pjesë e projektit Shkup 2014. Prokuroria tha se shumë zyrtarë të lartë në Ministrinë e Kulturës dyshoheshin për shkelje, por nuk dha emra të të dyshuarve. Ministria, si kundërpërgjigje, tha se ndërtimi qe bërë në përputhje me ligjin.

Fati i projektit, gjithsesi, mbetet në dorë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe të faktit nëse partia VRMO-DPMNE e Gruevskit e mban apo jo pushtetin.

Asnjë nga arkitektët e pas luftës së Dytë Botërore të intervistuar nga BIRN nuk mendon se duhet ta dërgojë ankesën në gjykatë. Brezoski tha se ai kishte një plan tjetër, nëse do t’i jepej mundësia.

“Unë do t’i bëja ato sërish, dhe ashtu siç duhet,” tha ai për strukturat moderniste të fshehura pas fasadave. “Ne patëm një tërmet, por e rregulluam. Nuk ka opsion tjetër.”

“Bëjmë çfarë duam”

Një krizë politike shpërtheu në Maqedoni në fillim të vitit 2015 kur Zoran Zaev, udhëheqës i Partisë SocialDemokrate në opozitë, akuzoi qeverinë se pati organizuar një operacion të stërmadh përgjimesh duke shënjestruar rreth 20 mijë njerëz.

Duke tundur kasetat, Zaev tha se ato tregonin për abuzim të gjithëpërhapur me pushtetin, manipulim zgjedhjesh dhe cenzurë të medias nga ndihmësit dhe ministrat e Gruevskit dhe filloi t’i publikojë ato.

Partia në pushtet VMRO-DPMNE thotë se përgjimet qenë vepër e spiunëve të huaj dhe se qenë “fabrikuar, redaktuar, prerë dhe ngjitur, kondesuar dhe modifikuar”.

Bashkimi Europian gjithsesi thotë se ato kaseta janë arsye për “shqetësime të rënda”. Qeveria mohon të ketë abuzuar me pushtetin por kasetat sakaq kanë shkaktuar fillimin e hetimeve nga një prokuror special mbi manipulimin e zgjedhjeve.

Zaev i njoftoi publikimet me pjesë duke i shpallur ato “bomba”. Bomba nr. 35 përmbante zërat e Ministres së Kulturës, Elizabeta Kanceska-Milevska, dhe atij të transporteve, në atë kohë Mile Janakieski, që duket se po diskutojnë se si mbrojtja ligjore e pjesës më të madhe të qendrës së Shkupit qe hequr për t’i hapur rrugën ndërtimit të fasadave neoklasike. Nuk është e qartë se kur është zhvilluar kjo bisedë.

BIRN i telefonoi dhe i shkroi si Kanceska-Milevska ashtu edhe Janakieskit por asnjëri nuk u përgjigj në lidhje me vërtetësinë e bisedës, e cila përfshin edhe fjalët e mëposhtme që supozohet se i përkasin Kanceska-Milevska:

“Mile, shiko, nëse modifikojmë rregullat ne nuk mund të bëjmë asgjë. Kjo është gjëja – disa fasada në qytet, nuk ka rëndësi se cilat, qenë monumente kulture. Kryeministri tha që t’i heqim nga lista në mënyrë që të mos jenë monumente kulture, në mënyrë që të mund të bëjmë çfarë të duam. Departamenti i Ruajtjes i ka hequr në mënyrë që te plani ato të mos rezultojnë më monumente kulture.”

 

Bojan Blazhevski shkruan për faqen e internetit Build.mk mbi arkitekturën maqedonase dhe zhvillimin urban. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.