Aplikanti nr.879

Qytetarët e një vendi mund t’i kategorizosh në shumë mënyra, duke u bazuar në kritere ekonomike, sociale, politike, të vendbanimit, etj. Kësaj radhe, qytetarët kosovarë do t’i ndaj në tri kategori duke u bazuar në relacionet e tyre me pasaportën kosovare.

Në grupin e parë hyjnë kosovarët të cilët posedojnë pasaportë së cilës i skadon afati 10 vjeçar i përdorimit e të cilën nuk mund të shfrytëzojnë kurrë për shkak të pamundësisë për t’u pajisur me viza. Në grupin e dytë bëjnë pjesë kosovarët me pasaportë për të cilën duhet të aplikojnë çdo tre vjet për t’u pajisur me të re, ngase faqet pasaportës së tyre mbushen me vula dhe viza shengen, të cilat lëshohen vetëm për aq ditë sa mund ta arsyetosh qëndrimin zyrtar. Në grupin e tretë, bëjnë pjesë kosovarët me pasaportë diplomatike, të cilët nuk presin para ambasadave, nuk e kanë problemin e pajisjes me viza udhëtimi dhe shpenzimet për nxjerrjen e pasaportës e marrjen e vizës mbulohen nga buxheti i shtetit.

E pikërisht kosovarët me pasaporta diplomatike janë fajtorët kryesorë për peripecitë me të cilat përballen kosovarët e dy grupeve të para. Sipas Ligjit për Dokumentet e Udhëtimit, të drejtën për t’u pajisur me pasaportë diplomatike e kanë zyrtarët shtetërorë nga Presidenti e deri te përfaqësuesit diplomatikë, e që numri i tyre duhet të sillet rreth 350. Keqqeverisja e kosovarëve me pasaporta diplomatike ka bërë që kosovarët me pasaporta të rregullta të mbeten qytetarët më të izoluar në botë.

Unë i takoj kategorisë së dytë, asaj që detyrohet të nxjerrë pasaportë të re përafërsisht çdo tre vjet për shkak të shpeshtësisë së marrjes së vizave shengen, e të cilat nuk zgjasin më shumë se ditët për të cilat kam dëshmi për vizitë zyrtare. Në periudhën kohore prej shtatë muajve kam aplikuar dy herë për vizë shengen. Për të plotësuar dokumentacionin, duhet vizituar së paku gjashtë institucione të ndryshme publike dhe private dhe tërë ky proces kushton së paku 100 euro. Sipas një raporti të Institutit GAP, kosovarët shpenzojnë mesatarisht 3 milionë euro në vit për procedura të aplikimit për viza shengen. Në radhë për të aplikuar për vizë presin njësoj si ata të cilët janë të papunë, ashtu edhe ata që udhëheqin biznese me qarkullim milionësh e që punësojnë me dhjetëra persona.

Përveç aplikimit për vizë, edhe marrja e përgjigjes për vizë është peripeci në vete. Për shembull, në ambasadën gjermane në Prishtinë, në momentin e dorëzimit të dokumentacionit për vizë, na lëshohet një letër me të cilën duhet të paraqitemi për të tërhequr pasaportën pas disa ditësh. Ditën e tërheqjes së pasaportës, duhet pritur së bashku me qindra të tjerë dhe duhet memorizuar numrin treshifror të shkruar në letrën që u është dhënë për të tërhequr pasaportën. Nga ai moment ne reduktohemi një një numër. Zyrtari para ambasadës thërret një numër treshifror dhe ne duhet t’i përgjigjeni “këtu”. E qëllimshme apo jo, praktika e zëvendësimit të emrave të personave me numra është taktikë e përdorur gjerësisht si metodë e dehumanizimit.  Në shumicën e burgjeve të burgosurve u vihet një numër identifikues. Po ashtu, në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore pengjeve u jepej një numër, i cili u shënohej në formë tatuazhi.

Mesatarisht për çdo vit rreth 80 mijë kosovarë aplikojnë për vizë shengen. Në vitin 2015, kosovarët përbënin 0.5% të numrit të përgjithshëm të të gjithë aplikantëve nga të gjitha vendet për t’u pajisur me vizë shengen. Numri i kosovarëve të cilëve u refuzohet viza është rritur nga viti në vit. Përderisa më 2010 ishin rreth 9,910 persona të cilëve iu refuzua viza, më 2012 ky numër rrit në 11,600, kurse më 2015 viza iu refuzua 15,754 kosovarëve. Kjo tregon se procedurat për t’u pajisur me vizë po vështirësohen gjithnjë e më shumë.

Saktësisht një vit më parë, Komisioni Europian dha rekomandimin për liberalizim vizash. Ky rekomandim iu dorëzua Kryeministrit të Kosovës nga përfaqësuesi i BE në Kosovë z. Samuel Zhbogar në një ceremoni solemne para gazetarëve. Ish-ministri i Integrimit Europian z. Bekim Çollaku, “i uroi të gjithë kosovarët për marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave dhe falënderoi Komisionin Europian për këtë vendim”. Duke e konsideruar misionin e tij si të përmbushur në krye të Ministrisë së Integrimit Europian, z. Çollaku dha dorëheqje nga pozita e ministrit. Kurse përfaqësuesi i BE z. Zhbogar e përmbylli misionin e tij në Kosovë i lumtur se një nga zotimet e tij, se liberalizimi i vizave do të ndodhë gjatë mandatit të tij në Kosovë, u përmbush.

Një vit pas, asgjë konkrete. Dehumanizimi i kosovarëve para ambasadave vazhdon, shkalla e refuzimit të vizave është rritur, kurse partitë kanë filluar përgatitjet për zgjedhje të jashtëzakonshme, oferta kryesore zgjedhore e të cilave me siguri do të jetë liberalizimi i vizave, ashtu siç ishte edhe në zgjedhjet e përgjithshme të 2010 dhe 2014, si dhe në zgjedhjet lokale të 2013-ës. E javën e ardhshme, Kosova ka festë, konform Ligjit për Festat Zyrtare në Kosovë. Kosovarët janë të vetmit në Europë që festojnë 9 Majin- Ditën e Europës, duke qenë po ashtu qytetarët e vetëm në Europë të cilët nuk mund të lëvizin pa viza.