Apeli Aprovon Ankesën e Mujës (TV)

Përsëri nuk është mbajtur seanca gjyqësore e paraparë për ditën e martë në rastin e kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë të kësaj komune.

Shkak për mosmbajtjen e seancës është bërë aktvendimi i Gjykatës së Apelit.

Apeli i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së mbrojtjes në rastin “Muja dhe të tjerët”për hedhjen poshtë të aktakuzës, duke urdhëruar që të anulohet dhe të kthehet në rivendosje aktvendimi i kryetarit të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prizren.

Para se ta çonte çështjen në Gjykatën e Apelit, mbrojtja e të pandehurve-zyrtarëve të lartë të komunës së Prizrenit, kërkoi hedhjen poshtë të aktakuzës kundër tyre nga trupi gjykues i  Gjykatës Themelore në Prizren, i kryesuar nga gjykatësi i EULEX-it Vladimir Mikulla.

Një kërkesë të tillë të mbrojtjes, gjykata e hodhi poshtë më 22 prill, me një aktvendim të shkruar. Ndaj këtij aktvendimi mbrojtja paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjatë kësaj periudhe, edhe një seancë tjetër e rastit Muja, e paraparë për datën 28 maj, nuk u mbajt, ngase para dy javësh Gjykata e Apelit ende nuk kishte shqyrtuar ankesën e mbrojtjes.

Në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës së Apelit që mban datën 29 maj, thuhet se trupi gjykues gjatë refuzimit të kërkesës së mbrojtjes për hedhjen poshtë të aktakuzës, nuk aplikoi Kodin e ri të Procedurës Penale që sipas Apelit ka ndryshime të mëdha krahasuar me kodin e mëhershëm. 

“Kryetari i trupit gjykues me nxjerrjen e aktvendimit të kundërshtuar nuk e ka përmbushur detyrën e tij për të shoshitur lëndën në mënyrë të saktë, bazuar në kërkesat e paraqitura nga mbrojtja”, shkruhet më tej në arsyetim.

“Aktvendimit të ankimuar jo vetëm që i mungon një arsyetim adekuat, por kryetari i trupit gjykues  ka zbatuar një standard të gabuar të shqyrtimit”, vazhdon arsyetimi i Gjykatës së Apelit. 

Avokati Pjetër Përgjokaj, mbrojtës i drejtorit të Drejtorisë së Administratës, të akuzuarit Minir Gashi, për Gazetën Jeta në Kosovë thotë: “Gjykata e Apelit, ka vlerësuar pretendimet e ankesave të mbrojtjes dhe ka gjetur se ka bazë për anulimin e vendimit të Gjykatës Themelore”.

Ai tregoi se seanca e tretë dëgjimore në rastin Muja ishte caktuar të mbahej më 11 qershor, por nëpërmjet telefonit mori njoftimin se ajo nuk do të mbahej.

Kryetari i trupit gjykues është detyruar që të rishqyrtojë edhe njëherë ankesën[e mbrojtjes] dhe të vendosë për kundërshtimet që i kemi bërë ne avokatët”, shpjegon Përgjokaj.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja akuzohet për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve.

Me të njëjtën akuzë, bashkë me kreun komunal të Prizrenit, ngarkohen pesë zyrtarë të kësaj komune. Sadik Paçarizi,drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Minir Krasniqi- drejtor i Drejtrorisë së Administratës, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri  dhe Abdullah Tejeci.

Avni Ademaj, Kadri Ukimeri,  Abdullah Tejeci në periudha të ndryshme kohore për të cilat akuzohen, drejtuan Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Prizrenit, ose ishin ushtrues detyre të saj.

Avokati Përgjokaj mendon se ankesat e mbrojtjes në Gjykatën e Apelit mund të vazhdojnë edhe në të ardhmen, nëse mbrojtësit e funksionarëve prizrenas, vërejnë shkelje ligjore të Gjykatës Themelore.

“Edhe pasi që të marrë vendim gjykata themelore, ne sërish kemi të drejtë për ankesë në Gjykatën e Apelit dhe nëse gjejmë shkelje ligjore, ne sërish do ta bëjmë të njëjtën gjë dhe shpresojmë që Apeli do t’i ketë parasysh ankesat tona”, thotë avokati Përgjokaj.

Sipas aktakuzës kundër kryetarit Muja dhe zyrtarëve tjerë komunalë të Prizrenit, ata dyshohet se mes tjerash janë përfshirë në keqpërdorime tokash që kapin vlerën e 200 mijë eurove.

Për seancën  e radhës palët do të njoftohen me shkrim.