Ankesa Sllovene Bllokon Pasaportat

Kontrata 6.6 milionëshe ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompanisë gjermane G&D për furnizim me pasaporta elektronike për 36 muajt e ardhshëm do të nënshkruhej me 11 mars, sikur kompania sllovene CETIS të mos ankohej në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP). 

Komisioni vlerësues i MPB-së ka shpallur më 28 shkurt fituese të tenderit kompaninë gjermane për të prodhuar dhe sjellë rreth 1 milion pasaporta të të gjitha llojeve – diplomatike, zyrtare, të zakonshme etj.

Tenderi i ri ishte shpallë pas anulimit të kontratës, më herët në muajin shkurt, me kompaninë austriake OeSD e cila thotë se MPB ia ka asaj 1.4 milionë euro borxhe, ndërsa Qeveria thotë se ajo i ka paguar paratë në fjalë përmes kompanisë “Eu Consulting”. Austriakët thonë se kjo kompani nuk ishte e autorizuar të pranonte pagesa në emër të tyre, ndërsa pronarja e “Eu Consulting”, Natali Velija, vazhdon të mbahet e arrestuar dhe fillimisht ka deklaruar se paratë i ka dhënë në formë ryshfeti për zyrtarë të lartë të vendit. 

Gazeta pat gjetur se Velija kishte një aktakuzë tjetër në gjykatat e vendit në kohën e këtij angazhimi.

Edhe tani Cetis, që ofronte 6.4 milionë për t’i shtypur pasaportat, ka deponuar 9 faqe ankesë në OSHP- institucion që është një lloj gjykate për ankesat në tenderë.

“CETIS-i është ankuar, më 7 mars, kundër vendimit të MPB-së së Kosovës”, thotë kompania për Gazetën Jeta në Kosovë. “Ne ishim në gjendje të gjenim 9 faqe me arsye për t’u ankuar”.

Sipas CETIS-it, vendimi i MPB-së për t’ia dhënë tenderin konkurrentëve gjermanë “ishte në kundërthënie me parimet specifike të ligjit të prokurimit publik dhe parimet bazë të tij, veçanërisht mbi parimet e transparencës dhe trajtimit të barabartë të ofertuesve”. 

Telashe me mënyrën e vlerësimit të ofertave ka vërejtur edhe Instituti Demokratik i Kosovës. Vëzhguesi i KDI-së thotë se ofertat ishin të pa përkthyera dhe anëtarët e komisionit vlerësues kishin njohuri modeste të gjuhës angleze.  

“Kur problemit të gjuhës i shtohet fakti se specifikacionet kanë qenë shumë teknike dhe profesionale, kemi rezerva për shqyrtimin e ofertave në mënyrë të drejtë nga komisioni”, thotë vëzhguesi Isuf Zejna për Gazetën Jeta në Kosovë.

 “Ne ishim në gjendje të gjenim 9 faqe me arsye për t’u ankuar” Cetis

Ardian Behra, kryesues i Sekretariatit të OSHP-së, e konfirmon për Gazetën Jeta në Kosovë ankesën e dorëzuar nga CETIS-i. Ajo mban numrin e protokollit 54/13, por nuk saktëson se cilat janë ankesat e kompanisë sllovene. 

Behra përmend nenet e Ligjit të Prokurimit Publik mbi të cilat kompania CETIS ka mbështetur ankesën. Ato janë 18 gjithsej. 

Disa prej këtyre neneve kanë të bëjnë me dyshimet për kualifikimet shkollore dhe profesionale të personelit udhëheqës të kompanisë, raportin për mjetet, stabilimentet dhe pajisjet teknike,  raportin për teknikët ose njësitë teknike në të cilët mund të thirret kontraktuesi për zbatimin e projektit.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, në procedura normale kontrata ndërmjet MPB-së dhe G&D-së nuk mund të nënshkruhet para se OSHP-ja të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ankesën e deponuar nga CETIS-i. 

Procedurat mund të zgjasin rreth një muaj dhe janë të sanksionuara nga neni 109 deri 117 të këtij ligji. Gjatë kësaj kohe eksperti i OSHP-së ka 10 ditë afat të shqyrtojë dosjet e dy kompanive, procedurën dhe ankesat. 

Kësaj i shtohen edhe 4 ditë kur palët, në këtë rast MPB-ja dhe CETIS-i, duhet të mbrojnë qëndrimet e tyre. Është paneli i OSHP-së që pastaj ka në dispozicion edhe 15 ditë për të marrë një vendim. 

Kapërcimi i këtyre afateve mund të ndodhë vetëm në një rast të parashikuar në nenin 112 të këtij ligji që në këtë rast i mundëson MPB-së të nënshkruajë kontratën me G&D-në.

Por nëse vendos të veprojë në këtë mënyrë, MPB-ja duhet ta arsyetojë fort këtë veprim para OSHP-së. 

Neni 112, pika 2 thotë “…kryetari i OSHP mund të nxjerrë urdhër për heqjen e obligimit për pezullimin automatik të aktivitetit të prokurimit nëse, duke marrë parasysh pasojat e mundshme negative që mund të ketë pezullimi në të gjitha interesat që mund të dëmtohen duke përfshirë interesin publik dhe interesat e ankuesit, kryetari vendos se pasojat negative që mund të ketë pezullimi i tejkalojnë përfitimet e mundshme…”.

MPB nuk flet me arsyetimin se mund të ndikojë në proces. 

“Derisa lënda është në proces dhe kjo pritet të vlerësohet nga një organ i pavarur siç është OSHP-ja, nuk kemi asnjë koment për këtë çështje, sepse mund të ndikojë në proces”, thotë përgjigjja e MPB-së.

G&D pat konfirmuar më herët po ashtu se kishte një kontratë me OeSD-në pr t’i shotur çipa pasaportash. 

 
Ilustrimi gi-de.com  


CETIS-i tregon pikat e ankesës së dorëzuar në OSHP

Kompania CETIS thotë se është “skajshmërisht kundërthënëse” që Komisioni Vlerësues i MPB-së, në hapje të ofertave dhe në vendimin tij, nuk ka publikuar të gjitha të dhënat që janë qenësore për përzgjedhjen e garuesit më të mirë. 

“Dy ishin të dhënat vendimtar: çmimi – në të cilin CETIS-i ishte më i favorshëm (për 140 mijë euro) – dhe koha e dorëzimit (të pasaportave)”, thotë CETIS për Gazetën Jeta në Kosovë.

Garancia e sjelljes së 10 mijë pasaportave për 30 ditë nga dita e nënshkrimit të kontratës nga gjermanët, e kishte mundur CETIS-in.  

Por, kompania sllovene thotë se është ankuar në OSHP sepse Komisioni Vlerësues i MPB-së nuk ka publikuar datën e dorëzimit të pasaportave nga kompania e përzgjedhur, në këtë rast G&D-ja. 

“Kjo do të thotë se as CETIS-i ose dikush tjetër i interesuar nga publiku nuk mund të verifikojë nëse komisioni ka llogaritur saktë pikët e ofertuesve individualë apo nëse vendimi i MPB-së është korrekt”, thotë CETIS-i. 

Ata thonë se Komisioni është dashur të publikonte të dy kriteret vendimtare (çmimin dhe kohën e pranimit të pasaportave) gjatë kohës kur është bërë hapja e ofertave, për të siguruar transparencën në vendimin e vet. Në hapje ishin treguar çmimet, por jo edhe koha.

“Përkundër kësaj, hije dyshimi kanë rënë mbi vendimin e tyre. Në këtë rast, është e mundur të manipulohen të dhënat në dokumentet e tenderit, që shpjegon pse veprimet e komisionit nuk mund të pranohen”. 

Zyrtarë të kompanisë fituese, G&D, thonë se nuk kanë marrë asnjë informacion zyrtar nga MPB-ja në lidhje me ankesën dhe hetimin e nisur CETIS-i.

“Jemi duke pritur sugjerimin e MPB-së për datën e fillimit për diskutimet rreth kontratës”, tha Heiko Witzke, shef për marrëdhënie me media në G&D, për Gazetën Jeta në Kosovë.   

Megjithatë, kompania CETIS thotë se tash që ka pasur mundësi të shikonte dokumentacionin e kundërshtarit të zgjedhur (G&D), ka konstatuar se nuk ato nuk ishin në përputhshmëri me kërkesat e shpallura në tender. 

“Ofertuesi i suksesshëm nuk ka ofruar informacion për kohën e dorëzimit të pasaportave ashtu si kërkohej në tender. Ai nuk e ka definuar kohën e dorëzimit të kontingjentit të parë të pasaportave nga koha e nënshkrimit të kontratës, por vetëm nga data, që nuk është e qartë”, thotë CETIS-i.

“Meqë kjo është pika që bart peshë të rëndësishme në përzgjedhjen e ofertës më të favorshme, mundësitë për ndryshime dhe plotësime në dokumentet e tenderit, sipas opinionit tonë, nuk janë të lejueshme”.

Por  Heiko Witzke, shef për marrëdhënie me media në G&D, thotë se të gjithë hapat e projektit janë paraqitur në dokumentet e tenderit. 

“Një nga hapat kërkon që MPB-ja të koordinojë dizajnin e pasaportës me ne dhe aprovimin brenda 14 ditëve nga nënshkrimi i kontratës”, thotë Witzke. 

“Ne, nga ana tjetër, kemi premtuar në propozimin tonë të ofrojmë dërgesën fillestare të pasaportave (në tender dërgesa fillestare është 10 mijë pasaporta v.j) për MPB brenda 14 ditësh pasi dizajni të jetë miratuar”.

Në këtë pikë, CETIS-i kundërshton duke theksuar se nuk e kuptojnë se si MPB-ja e nxori kohën e dorëzimit të pasaportave, derisa konkurrenti vetë ka dhënë informacione kontradiktore për këtë çështje. 

Ne besojmë se MPB-ja ishte diskriminuese në përzgjedhjen e ofertuesit më të mirë sepse ka zgjedhur dokumentacionin që nuk ishte në pajtim me dokumentacionin e tenderit Cetis

“Ne besojmë se MPB-ja ishte diskriminuese në përzgjedhjen e ofertuesit më të mirë sepse ka zgjedhur dokumentacionin që nuk ishte në pajtim me dokumentacionin e tenderit duke e konsideruar konkurrentin si të barabartë”, thotë CETIS-i.  

Ndërkohë, zyrtari i kompanisë G&D kundërshton: “Oferta jonë bazohet në kërkesat e tenderit”. 

Kualiteti i pasaportës, pika tjetër e shqyrtimit

Ankesa tjetër e CETIS-it dorëzuar në OSHP ka të bëjë edhe me kualitetin e letrës që do të përdoret në pasaportat e Kosovës, duke u bazuar në ofertën e kompanisë fituese G&D. 

CETIS është e befasuar me vendimin MPB-së për të zgjedhur prodhuesin i cili ka ofruar pasaportë që, sipas saj, në mënyrë domethënëse është e ndryshme nga ato që kishin filluar të prodhoheshin.  

“Pasaportat e ofruara nga konkurrenti i zgjedhur janë të bazuara në vënien e të dhënave në fletë letre, ndërkohë që pasaportat aktuale përmbajnë fletë me të dhëna në polikarbonat”, thotë CETIS-i.

Kompania thotë se ky është dallim i konsiderueshëm në teknologjinë e përdorur e në shkallën e mbrojtjes së dokumentit pasi, sipas saj, fletët aktuale në polikarbonat me të dhëna në pasaportat e Republikës së Kosovës kanë teknologji të përparuar laserike që u siguron mbrojtje më të lartë nga falsifikimi. 

“Kurse të dhënat e vendosura në letër, sot janë raste të rralla sepse përdorën në teknologji të vjetër e të lirë dhe nuk i mbrojnë aq mirë nga falsifikimi, sa ato në polikarbonat (fletë plastike)”, thotë CETIS-i. 

Këtë e kundërshton G&D-ja. Ata thonë se MPB-ja u mundëson, sipas tenderit, përdorimin e zgjedhjeve teknike.

“Për informacion tuajin, rreth 70 për qind e të gjitha vendeve në mbarë botën aktualisht kanë pasaporta me të dhëna në faqet prej letre, duke përfshirë Francën, Kanadanë, Italinë dhe Shtetet e Bashkuara”, thotë Heiko Witzke. 

 
Ilustrimi: gi-de.com  

 

“Standardet ndërkombëtare të sigurisë të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) i konsiderojnë të dy zgjedhjet të barabarta për nga niveli i lartë i sigurisë”.

Por CETIS-i thotë se ka ofruar fletë me të dhëna në polikarbonat dhe se fakti që MPB-ja ka vendosur të barazojë të dhënat e mirë-mbrojtura me polikarbonat me fletët me të dhëna në letër, sigurisht se është befasuese për ta. 

Ajo shpreson se OSHP-ja do t’u japë të drejtë duke përmendur edhe çmimin që është rreth 200 mijë euro më i lirë. 

Dokumentet nuk ishin të përkthyera

Monitorim gjatë procesit të vlerësimit të ofertave kanë bërë edhe zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). 

Drejtori i AKK-së Hasan Preteni tha se është jashtë vendit, kurse KDI-ja shpreh rezervat në lidhje me procesin e vlerësimit të ofertave. 

Isuf Zejna, analist nga KDI-ja, i cili e ka monitoruar vetëm pjesërisht procesin e tenderimit të pasaportave elektronike, thotë se në dy ditët e para të shqyrtimit të ofertave nuk ka marrë pjesë për shkak të mos dhënies së dokumentacionit të kërkuar, përkatësisht procesverbalin e hapjes së ofertave. 

“Ne e kemi marr këtë dokument tek pas ankesës te Ministri Rexhepi. Kemi kërkuar edhe kopjen e ofertave dhe dosjen e tenderit me kërkesë për qasje në dokumente, duke respektuar sekretet afariste, dokumente të cilat nuk na janë ofruar”, thotë Zejna për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai  thotë se kanë pasur vërejtje në Komisionin Vlerësues për shkak se materialet, përkatësisht ofertat, jo vetëm që ishin të pa përkthyera nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, por anëtarët e Komisionit nuk kanë pasur përkthyes profesionalë. 

Megjithatë, ai thotë se nuk mund të pohohet nëse specifikacionet e tenderit i janë përshtatur ose jo një kompanie të caktuar edhe pse për këtë ka pasur akuza publike. 

“Nuk i kemi dokumentet e nevojshme dhe nuk kemi pasur rastin t’i krahasojmë”. 

KDI-ja rikujton se specifikat për pasaporta elektronike janë shumë profesionale dhe nuk është e lehtë të thuhet nëse ato janë përshtatur ose jo.