Ilustrimi: Trembelat

Anëtarët e Zgjedhur në Bordin e ZRRE-së, me Vlerësim Minimal nga Britanikët

Bordi i  Zyrës së Rregullatorit të Energjisë u plotësua me dy anëtarë, të cilët nuk i plotësonin kushtet për të kryer këtë detyrë. Kuvendi i Kosovës sot ka votuar emërimin e Selman Hotit dhe Izet Rushitit si anëtarë të ri të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Të dy anëtarët e ri të ZRRE-së ishin vlerësuar me pikë minimale krahasuar me katër kandidatët e tjerë nga komisioni vlerësues në të cilin bënte pjesë edhe partneri i Ambasadës Britanike.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka siguruar listën e kandidatëve të propozuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për Qeverinë e Kosovës. Në këtë listë është edhe numri i pikëve të fituara nga secili kandidatë. Bekim Jakupi ka qenë më i poentuari me 36.4 pikë, i pasuar nga dhe Fadil Ismajli me 35.4 pikë. Këta dy janë vlerësuar nga komisioni, në të cilin kanë marrë pjesë edhe britanikët, se i plotësojnë kriteret e nevojshme për të qenë drejtor të bordit të ZRRE-së. Të tjerët, sipas britanikëve, nuk i kanë plotësuar kushtet për të qenë anëtarë të bordit të ZRRE-së. Ata kanë qenë: Naim Sahiti – 29.8 pikë, Skënder Buja – 27.2 pikë, Izet Rushiti – 27 pikë dhe Selman Hoti – 18.6 pikë.

Përveç kësaj, dy anëtarët e rinj të përzgjedhur në bordin që ka kompentenca edhe për vendosjen e tarifave të energjisë kanë edhe të kaluar politike megjithëse ligji për Zyrën e Rregullatorit nuk vendos kufizimet për personat politik

Kush janë anëtarët e rinj të ZRRE-së?

Izet Rushiti, i lindur në Prelez të komunës së Ferizajt, e ka fituar titullin e inxhinierit të elektroteknikës në vitin 1984. Sipas formularit për punësim si anëtar bordi në ZRRE, Rushiti ka nënshkruar deklarimin e tij për përvojat e punës. Ai ishte kandidat i AAK-së për kuvendin komunal në Ferizaj në zgjedhjet lokale të  vitit të kaluar. Kjo dëshmohet nga lista e publikuar në KQZ, ku emri i tij figuron në faqen 240 të këtij dokumenti.

Izet Rushiti, që nga nëntori i vitit 2016 është kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjet Publike Komunale “Ambienti” nga Ferizaj. Në deklarimin e tij, ai thotë se ishte edhe profesor në SHMT “Pjeter Bogdani” nga 2014-2016. Rushiti ka qenë edhe anëtar i Kuvendit Komunal të Ferizajt. Por, ai ishte dorëhequr nga kjo pozitë, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte gjetur se mbajtja e të dy pozitave ishte në konflikt të interesit.

Izet Rushiti, deri në vitin 2016, kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ishte edhe menaxher i Distriktit të Ferizajit në KEDS [Shih edhe Këtu- faqe 2]. Në deklarimin e vitit 2017, Rushiti ka deklaruar se nuk është punëtor i KEDS-it më, por tash është kryeshef i ndërmarrjet “Ambienti”.

Në CV-në e tij shkruan se ai ishte drejtor i distriktit të Ferizajt që nga korriku 2006 deri në korrik 2014. Ndërsa në vitin 2015-2016 ishte menaxher i departamentit të aseteve në KEDS.

Po ashtu, në KEK ai kishte punuar edhe në vitet 1998-2002 si përgjegjës i shërbimit të Matjeve Elektrike dhe 2002 -2005 si drejtor I distriktit të Ferizajt, ku ishte rikthyer përsëri në 2006.

Selman Hoti, është kandidati tjetër i propozuar nga qeveria, e që nga komisioni vlerësues ishte vlerësuar se nuk i plotëson kriteret për të mbajt postin e drejtorit të bordit të ZRRE-së. Ai është i lindur në Carrallukë të Malishevës. Ai e ka të njëjtin mbiemër dhe vendlindje me deputetin e Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti.

“Veç që është i katunit tem. Nuk e kam sen”, ka thënë për Gazetën deputeti i Nismës, Enver Hoti, i cili vjen nga i njëjti fshat.

Sipas formularit për punësim si anëtar bordi në ZRRE, Hoti ka nënshkruar deklarimin e tij për përvojat e punës. Për të marrë titullin inxhinier i elektroteknikës në UP atij i janë dashur 10 vite, nga 1986 deri në 1996. Tri vite pas përfundimit të fakultetit ai ishte punësuar në KEK, nga viti 1999 deri në 2003 si Menaxher u departamentit për matjen e energjisë elektrike. Pas privatizimit të distribucionit, me të njëjtin titull për një vit kishte punuar në KEDS, ku në rubrikën: arsyet e largimit nga vendi i punës, ka shkruar se kjo është bërë ‘me marrëveshje, lirim nga vendi i punës’. Më pas, nga viti 2014 ai punon si drejtor teknik në “Electra SHPK”, në Gracanicë.

Me emërimin e dy anëtarëve të rinjë, Bordi i ZRRE-së është bërë funksional me katër anëtarë. Aktualisht këtij bordi i mungon vetëm kryesuesi i bordit, të cilit i ka skaduar mandati në vitin 2017.

15 Mars 2018 - 19:40

Doruntina Baliu 15/03/2018 - 19:40
NDËRVEPRIMI5
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend