Analizë: Drenasi në Numra  

Të dielën, qytetarët e Komunës së Drenasit do të votojnë për kryetarin e ri të tyre. Këto zgjedhje të jashtëzakonshme kanë ardhur pas dorëheqjes se Nexhat Demaku, të cilit i është konfirmuar dënimi nga Gjykata e Apelit për krime lufte. Demaku e ka lënë në gjysmë mandatin e tret të tij si kryetar i Drenasit.

Komuna e Drenasit vlerësohet se ka rreth 60 mijë banorë të cilët jetojnë në 35 vendbanime. Për nga numri i banorëve, Komuna e Drenasi është e përafërt me komunën e Suharekës,  Lipjanit dhe të Rahovecit.

Komuna e Drenasit vlerësohet si njëra ndër komunat me më së shumti rrugë të asfaltuara, por kritikohen për cilësi të dobët. Për vitet e kaluar në Komunë janë shtruar 43 kilometra rrugë.

Sipas Insitutit GAP, nga 15 premtime që iu dhanë qytetarëve të kësaj komune nga zgjedhjet e fundit, 40 për qind e tyre janë realizuar.

Në mesin e premtimeve që mbeten në letër, dhe faktohet nga emisioni “Jeta në Komunë”  është premtimi për “Lagjen e Dëshmorëve” I cili nuk ka përfunduar për tri mandate radhazi.

Buxheti dhe Qeverisja lokale

Kryetari i ri i Drenasit, për vitin 2017, para vetes do të ketë një buxhet prej 13 milionë e 141 mijë e 239 euro, që i bie se komuna do të ketë mbi 300 mijë euro më shumë në llogarinë e saj se sa që kishte në vitin 2016. Në  krahasim me buxhetin e shpenzuar të vitit të kaluar me projektbuxhetin e ri, Komuna ka mundësi më të vogla për shpenzime komunale dhe subvencione e transfere. Rritja  e buxhetit vërehet tek kategoria paga dhe mëditjet, investimet kapitale dhe mallrave e shërbime.

Zbërthyer në shifra, prej këtij buxheti të planifikuar, parashihen të shpenzohen mbi 7.8 milionë euro për paga dhe mëditje, që i bie rreth 60 për qind e këtij buxheti të planifikuar. Rreth 3.8 milion euro apo mbi 29 për qind do të shpenzohen për investime kapitale. 1.06 milionë euro për mallra dhe shërbime, për subvencione dhe transfere mbi 212 mijë euro dhe për shpenzime komunale mbi 157 mijë euro, të gjitha këto me pjesëmarrje rreth 10.1 për qind.

Sa i përket shpenzimit të buxhetit, deri më tani kemi të dhëna vetëm për vitin 2015, pasi janë edhe një muaj për t’u shpenzuar buxheti për vitin aktual, 2016. Buxheti përfundimtarë i Komunës së Drenasit për vitin 2015 ishte 12 milionë e 828 mijë e 40 euro, të cilin buxhet komuna e shpenzoi deri në 95 për qind apo 12 milionë e 246 mijë e 369 euro, (i cili ishte mbi 889 mijë  më i lartë se i viti 2014-të). Mbi 7.6 milion euro u shpenzuan për paga dhe mëditje, ndërsa 3.1 milionë euro për investime kapitale, dhe rreth 919 mijë euro për mallra dhe shërbime. Mbi 264 mijë euro për subvencione dhe transfere dhe për shërbime komunale janë shpenzuar 193 mijë euro.

Auditori për Drenasin

Gazeta JnK ka hulumtuar edhe nëpër raportet e Auditorit të Përgjithshëm. Në Raportin e Auditimit për vitin 2014 për këtë Komunë ishin dhënë 18 rekomandime. Komuna i kishte implementuar vetëm 6 rekomandime të Auditorit, ndërsa 6 të tjera ishin adresuara por ende nuk ishin finalizuar në kohën kur është kryer aludimit, ndërsa 6 rekomandime nuk ishin adresuar fare.

Edhe në Raportin e Auditimit për vitin 2015-të konstatimet e para që janë dhënë është mos-implementimi i rekomandimeve të vitit paraprak. Pastaj e gjetur tjetër ka qenë mos-regjistrimi i shpenzimeve dhe pagesave në mënyrë adekuat, moszbatimi i kërkesave për menaxhimin e rrezikut, si dhe ishin gjetur mangësi në kontrolle menaxheriale. E gjetur kryesore ishte për mënyrën e shpenzimit të parasë publike, pasi Auditori kishte gjetur dobësi sistematike në prokurim. Në vitin 2015, Auditori ka dhënë 14 rekomandime për t’u adresuar nga komuna në vitin 2016.

Në krahasim me Komunat e tjera Raporti “Treguesit e Performancës së Komunave për vitin 2015”, nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në vlerësimin e përgjithshëm komunën e Drenasit e vlerëson me performancë të mirë.

Sipas këtij raporti, të hyrat nga tatimi në pronë u mbi-realizuan në vitin e kaluar. Mbi-realizimi nuk kishte ardhur si rezultat i rritjes së përformancës, por për shkak të planifikimit të dobët, sepse ajo kishte planifikuar më pak të hyra se sa në vitin 2014. Pra, Auditori konstaton se, në vitin 2015, Drenasi planifikoi të hyra nga tatimi në pronë prej 33 mijë e 500 euro më pak se sa që kishte mbledhur në 2014- ën.

Gazeta ka hulumtuar edhe nëpër raportet e Ministrisë së Pushtetit Lokal. Për vitin e kaluar, me mesatare 41.5 për qind është vlerësuar performanca e Komunës në raportin e  performancë së komunave që është bërë nga Ministria e Pushtetit Lokal. Drenasi është renditur para komunës së Klinës dhe Prizrenit në këtë raport të ministrisë.

Drenasi është një nga Komunat që ka një numër të madh të familjeve në asistencë sociale. Janë 1 mijë e 342 raste nën përkujdesje. Në raport me komunat tjera, Drenasi ka më shumë raste se komuna e Skenderajt dhe e Pejës dhe më pak raste se ajo Vushtrrisë dhe e Prishtinës.

Raporti i MAPL-së thotë se Drenasi bënë pjesë në mesin e komunave që ka shqyrtuar në 100 për qind kërkesat për leje të ndërtimit. Në anën tjetër Komuna e Drenasit bënë pjesë në mesin e komunave me më pak rrugë me ndriçim publik.

Nga emisioni “Jeta në Komunë” rrjedhin fakte se në Komunën e Drenasit janë ndërtuar 9 terene sportive, është bërë aplikimi online për qytetarë për tu pajisur me dokument,  gjithashtu është ndërtuar edhe mbi kalimi në rrugën Prishtinë-Pejë.

Komuna e Drenasit është ndër komunat më së paku hapësira të gjelbëruara, përkundër se në komunën e Drenasit janë mbjellë  rreth 200 fidane në 2014-ën. Janë shumë fshatra që nuk kanë rrjet të kanalizimit e të ujësjellësit. Përkundër largimit të 10 deponive të bërllokut besohet se ekzistojnë edhe 40 të tjera. Nuk ka ndarë mjete për rurizim dhe nuk ka asnjë vend turistik.

28 qendra të votimit

Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), thonë 28 qendra të votimit do të jenë në dispozicion të votuesve në këtë komunë.

Gjithnjë sipas të dhënave të  KQZ-së, janë 2 mijë e 338 votues më tepër votuese së në krahasim me zgjedhjet e fundit, apo rreth 52 mijë e 569 votues me të drejtë vote.

Në zgjedhjet e kaluara, nga 50 mijë e 79 votues sa ishin të regjistruar, votuan 48.3 për qind apo 23 mijë e 510 votues dhe 661 jashtë vendvotimi apo me kusht. Vota të vlefshme u vlerësuan 21 mijë e 148 vota. Sipas rezultateve, mbi 64 për qind të votave i mori Partia Demokratike e Kosovës (PDK) apo 13 mijë e 550, duke u renditur më pas por me përqindje shumë herë më të vogël partia Iniciativa Qytetare për Drenasi e cila më pas iu bashkua PDK-së, (të udhëhequr tashmë nga ish kryetari Demaku i rizgjedhur për të tretën herë.) me 15.3 për qind dhe partitë tjera konkurruese me përqindje  më të vogël.