Kreu i LSDM-së Zoran Zaev i përgjakur pasi u godit me mjet të fortë nga një protestues në Kuvend - Foto: Facebook

Analistët: Policia Mund të Bënte më Tepër Mbrëmë në Maqedoni

Pasi protestues të dhunshëm hynë mbrëmë brenda Parlamentit të Maqedonisë, duke rrahur deputetët, të pakënaqur me zgjedhjen e Talat Xhaferit në krye të këtij institucioni, njohësit e situatës politike në Maqedoni e konsiderojnë të papranueshme dhe të rrezikshme atë që ndodhi.

ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni Blerim Reka dhunën e djeshme e cilësoi kulminacion të keqqeverisjes që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë.

“Dhuna e djeshme në Kuvendin e Maqedonisë ishte kulminacioni i modelit te keqqeverisjes 25 vjeçare në Republikën e Maqedonisë. Një model  shtetëror i instaluar pas pavarësimit nga ish Jugosllavia”, tha Reka për KALLXO.com.

Reka deklaroi se një model i tillë nuk mund të kishte tjetër fund. [Modeli i qeverisjes]që në dhjetë vitet e para(1991-2001)kopjoi modelin e Serbisë së Milosheviqit, ndërkaq në dhjetë vitet e fundit (2006-2017) modelin autoritar të Putinit, nuk ka se si të përfundonte ndryshe”, tha Reka,duke treguar se për çerek shekulli, Maqedonia edhe pse e ndrtuar si shtet multietnik, funksionoi si monoetnik.

Fejzi Hajdari, botuesi i Gazetës “Lajm” në Maqedoni dhe kritikues i ashpër i politikës së Gruevskit dhe Ali Ahmetit, veprimet e djeshme i cilësoi akte terrori.

“Për mua është akt i terrorit, i turpshëm dhe i patolerueshëm. Të lejosh që turma e qytetarëve të maskuar të hynë në Parlament  për t’i rrahur deputetët dhe disa gazetarë, kjo nuk mendoj se ka ndodhur ndonjëherë në shtetet evropiane tani 30 vitet e fundit. Ky është rast i vetëm”, tha Hajdari për KALLXO.com.

Ai deklaroi se dje u pa që shteti i Maqedonisë kontrollohet nga një grup njerëzish.

“Thjesht, dje Maqedonia dëshmoi se nuk ka institucione, apo më mirë thënë, institucionet janë në duar të një grupi të caktuar të njerëzve që janë në qeveri dhe se nuk funksionon shteti i së drejtës”, tha Hajdari.

Analisti kosovar dhe njohësi i mirë i politikës maqedonase, Ramush Tahiri tha për KALLXO.com se ngjarja e djeshme është një goditje e rëndë për demokracinë.

“Është një ngjarje e rëndë për demokracinë e Maqedonisë dhe është një përshkallëzim i situatës që nuk po mund të zgjidhet tash e një kohë të gjatë, që prej zgjedhjeve parlamentare dhe nuk po mundet të zgjidhen organet e Kuvendit”, tha Tahiri.

Ai, njohjen që ndërkombëtarët i bënë Talat Xhaferit si kryetar parlamenti e sheh si përmirësim të pozitës së shqiptarëve.

“Zgjedhja e Talat Xhaferit kryetar kuvendi është një hap përpara për shqiptarët në Maqedoni. Tash duhet që presidenti që e ka mandatin ti thërret liderët politik dhe duhet të gjendet zgjedhja kushtetuese dhe ligjore dhe një lloj kompromisi, sepse edhe faktori ndërkombëtar evropian e ka pranuar Talat Xhaferin si kryetar Kuvendi”, tha Tahiri.

Njëjtë si Tahiri, edhe Reka tha se situata politike tash në Maqedoni është ndryshe, pasi që SHBA-ja dhe BE-ja e ka njohur menjëherë si legjitim, kryetarin e ri të Parlamentit, Talat Xhaferin.

Reagimin e plogësht të policisë, Fejzi Hajdari e shpjegon me mundësinë e ndonjë skenari të parapërgatitur.

“Policia dhe sigurimi i pakët që ishte i pranishëm, nuk bëri as minimumin e rezistencës. Kjo lë të dyshohet për ndonjë skenar eventual, gjë që mund të jetë shumë e mundshme. Qeveria e Gruevskit dhe Ahmetit është e njohur për të tilla skenarë”, tha Hajdari, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme Agim Nuhiut.

Nuhiu sot në një konferencë për gazetarë paralajmëroi se do të tërhiqet nga detyra, ngase tha se e ndjen veten fajtor moral që nuk mundi ta shkëpusë ndikimin e politikës në forcat e rendit dhe MPB.

http://kallxo.com/ministri-agim-nuhiu-paralajmeron-doreheqjen/

Edhe Blerim Reka tha se policia në ndonjë shtet demokratik nuk do të guxonte të vonohej për të intervenuar.

“Në çdo shtet demokratik ku ka polici profesionale e jopartiake, e ku ka kontroll parlamentar të shërbimeve policore, kjo nuk guxonte të ndodhte. Prandaj edhe policia veproi me vonesë, sepse urdhrat jepeshin jo nga një qendër komanduese, por nga dy qendra vendimmarrëse paralele”, tha Reka.

Ndërsa Fejzi Hajdari shprehu nje shqetësim tjetër-tha se maqedonia po braktiset nga ata që nuk kanë lidhje, ose nuk po përfitojnë nga koalicioni VMRO-BDI.

“Si asnjëherë më parë, qytetarët e pafajshëm dhe sidomos ata që nuk kanë ndonjë lidhje farefisnore me qeveritarët e VMRO-BDI, po ikin me të madhe jashtë – po e braktisin Maqedoninë. Në fakt, kjo gjendje më së shumti realisht i ka goditur shqiptarët, të cilët fatkeqësisht po i prijnë braktisjes së Maqedonisë”, tha Hajdari për KALLXO.com.

Emisioni “Jeta në Kosovë” para zgjedhjeve të përgjithshme në Maqedoni kishte ftuar në debat përfaqësuesit e partive politike atje.

Njëri prej të lënduarve në ngjarjet e djeshme, Ziadin Sela kishte deklaruar se shqiptarët në Maqedoni kanë “shumë arsye” për t’i kapur armët, por sipas tij nuk është momenti për to, pasi që duhet shterohen të gjitha mundësitë tjera.

http://kallxo.com/ziadin-sela-ka-arsye-te-kapen-armet-por-nuk-eshte-momenti/

Sipas raportimeve të mediave në Maqedoni, gjendje e Selës tani është mirë.