Amendamentet Krijojnë Mundësi Dorëheqje për Presidenten

Gruas së emëruar Presidente për të zhbllokuar ngërçin politik të krijuar në fillim të vitit të kaluar tash, pas 17 muajve, i kërkohet nga partia më e madhe opozitare që të dorëhiqet për të zhbllokuar një ngërç të ri politik.

Atifete Jahjaga ka refuzuar ta ofrojë dorëheqje pasi, sipas saj, këtë nuk mund edhe ta bëjë.

“Mua nuk më lejohet të jap dorëheqje, sepse kjo do të nënkuptonte procedurë tjetër të zgjedhjeve dhe ushtrues detyre të presidentit të vendit”, ka thënë presidentja e vendit në muajin gusht në një intervistë për Radio Europa e Lirë.

Në kushtetutën aktuale, decidivisht nuk përfshihet askund akti i dorëheqjes së Presidentit.

Për disa kjo është kategori edhe ashtu thjesht morale, por ndërkohë dorëheqja e Presidentit rregullohet me propozim-amendamentimet e komisionit kushtetues që i ishin dërguar Gjykatës Kushtetuese në muajin në mars/maj të këtij viti përkatësisht në amendamentin 8 (neni 91).

“Presidenti i Republikës së Kosovës jep dorëheqje përmes dorëzimit të letër-dorëheqjes tek kryetari i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në amendament. “Dorëheqja është e vlefshme në momentin e pranimit të letër-dorëheqjes nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe është e parevokueshme”.

Në aktgjykimin e saj të korrikut 2012, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk kishte gjetur se ky amendament ishte në kundërshtim me parimet për të drejtat e njeriut – d.m.th. ishte i pranueshëm.

Florent Muqaj, nga Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare dhe i cili ka qenë ekspert në grupin punues të komisionit amendamentues, thotë se për më shumë dorëheqja është “çështje morale”.

“Mendoj që është e gabueshme që në këtë gjendje juridike, dorëheqja të kualifikohet si veprim juridik. Dorëheqja është më shumë akt që prodhon efekt juridik, por prapëseprapë mbetët çështje morale”, tha ai.

“Kriza Politike”

Kryesia e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) ishte mbledhur javën e kaluar dhe kishte ngritur një komision për të vlerësuar koalicionin me Aleancën për Kosovën e Re (AKR) të Behgjet Pacollit. Një deputet i saj, Halit Krasniqi, ka kërkuar në Kuvend po atë javë dorëheqjen e Pacollit pas aferës së “Grandit” meqë ky i fundit nuk kishte paraqitur rastin e kontaktimit të tij nga sekserët që kërkonin miliona në shkëmbim të hotelit më të njohur në vend. PDK është deklaruar se Haliti ka folur vetëm në emër të tij.

Deputeti tjetër i PDK-së, Fatmir Limaj, në një intervistë për Klan Kosovën kërkoi edhe ai javën e kaluar që ndërtuesit e koalicionit PDK-AKR duhet të japin përgjegjësi për të se si ka shkuar ky koalicion. Zyrtarët e të dy partive janë deklaruar për koalicion të mundshëm PDK-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por tash flitet edhe për zgjedhje të reja.

Shumë nga zyrtarët e Qeverisë përballen me hetime ose akuza nga prokuroria ndërsa nuk është e qartë nëse mazhoranca formalisht ka më shumë se 60 deputetë.

Partia kryesore opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, është tërhequr nga procesi i reformës kushtetuese dhe zgjedhore. Ajo e quan tërë këtë grumbull ngjarjesh në skenën politike si “krizë”.

Por si mund të tejkalohet ajo?

“Kusht për tejkalimin e krizës institucionale është respektimi i rezolutës së Kuvendit (7 prill 2011) dhe marrëveshjes politike në mes të liderëve (6 prill 2011), që si produkt kishte zgjedhjen e Presidentes aktuale”, tha deputetja Vjosa Osmani e LDK-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Pra, për tu tejkaluar ky ngërç politik, Kryeministri Thaçi duhet të tregojë vullnet për respektim te marrëveshjes dhe Presidentja Jahjaga duhet të lëshojë rrugë për zgjedhje të Presidentit nga populli”, tha Osmani.

foto  
Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa – kërkojnë zgjedhje  

 

Marrëveshja e liderëve Hashim Thaçi (PDK), Isa Mustafa (LDK) dhe Behgjet Pacolli (KKR) e nominonte kolonelen Atifete Jahjaga për shef të shtetit ndërkohë që krijoheshin komisionet përkatëse për amendamentimin e Kushtetutës dhe reformën zgjedhore në përgatitje të zgjedhjeve të reja.

Komisioni pritej të përfundonte punën brenda 8-12 muajsh. Sipas marrëveshjes, që të nesërmen ishte bërë rezolutë në Kuvend, zgjedhjet e para presidenciale duhet të mbaheshin jo më vonë se gjashtë muaj nga data e hyrjes në fuqi të amendamenteve ndërsa zgjedhjet e përgjithshme jo më vonë se 18 muaj nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në ligjin e zgjedhjeve.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se kjo parti do hyrjen e menjëhershme në fuqi të amendamenteve dhe zgjedhje sipas afatit kohor të paraparë me marrëveshje. “Z.Thaçi është duke u munduar të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve”, tha ai.

Deputetja tjetër e LDK-së Vjosa Osmani, anëtare e komisionit për amendamentimin e Kushtetutës, thotë se “të gjitha amendamentet kushtetuese janë gati dhe po ashtu legjislacioni për Presidentin ka përfunduar qysh moti”.

“Por ato kot votohen”, tha ajo, “nëse Presidentja nuk hapë rrugë për zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe nëse Kryeministri nuk e bën të njëjtën sa i përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”.

foto  
Hajredin Kuçi dhe Hashim Thaçi – pa sinjale për zgjidhjen e preferuar të PDK-së  

 

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se puna e komisionit për amendamentimet kushtetuese është kryer.

“Tash ka mbetur tek subjektet politike me u ulë dhe me gjetë konsensus se si të veprohet”, tha ai. “Për PDK-në çdo zgjidhje kushtetuese dhe legjitime është e pranueshme”.

Sipas Kuçit, deri më tash nuk ka pasur biseda mes PDK-së dhe LDK-së të kësaj natyre.

Partia më e madhe në vend thotë se ajo do të veprojë pasi komisioni i saj i ngritur për të vlerësuar koalicionin aktual të ketë kryer punën e tij.

Kështu, PDK aktualisht nuk ka qëndrim se cila është zgjidhja e saj e preferuar – të provojë të mbijetojë mandatin me koalicionin aktual, të fusë në qeveri parti tjera më të vogla apo të shfrytëzojë kërkesën e LDK-së për të provuar të rikthehet në Qeveri me legjitimitet të ri e më të fortë?

Zyrtarët e saj ishin shprehur për koalicion me AAK-në gjatë javëve të kaluara dhe kjo e fundit thotë se do të merrte pjesë në zgjedhje po të mbaheshin.

Por Daut Haradinaj, deputet nga kjo parti, thotë se Gjykata Kushtetuese ka dhënë mandat të plotë për Presidenten. “Ne respektojmë gjykatën”, Haradinaj i tha Gazetës Jeta në Kosovë. “Dhe nuk mendojmë se tema më e rëndësishme sot, kur flitet për bisedime për problemet në veri, janë zgjedhjet”.

“AAK merr pjesë në komisionin për amendametimet kushtetuese dhe jemi për rregullimin e procesit zgjedhor ashtu që ato të mos mund të manipulohen sërish kurdo që mbahen”, shtoi ai.

I pyetur në lidhje me kërkesën e LDK-së që të ketë pajtim për mbajtjen e zgjedhje, që ajo e ka kushtëzuar edhe me angazhimin e saj në reformën kushtetuese, Haradinaj tha se reformat nuk mund të “bllokohen nga një parti”.

foto  
Daut Haradinaj – AAK nuk mendon për zgjedhjet si opsioni më i mirë  

 

Sërish ndërhynë liderët

Komisioni për reformë kushtetuese, nuk kishte arritur pajtimin për disa çështje që kishin të bënin me kompetencat e presidentit dhe kështu ishte kërkuar sërish përfshirja e liderëve politikë të PDK-së, LDK-së dhe tash AAK-së.

Ndërhyrja, e konfirmuar nga anëtarët e komisionit, kishte të bënte me fuqizimin e kompetencave të Presidentit.

Komisioni kishte propozuar që, përveç zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit, ai të ishte komandant suprem i ushtrisë, të kryesonte Këshillin për Siguri Kombëtare dhe ta zgjedhte ombudspersonin. Atij i hiqej udhëheqja e politikës së jashtme që i besohej Kryeministrit.

Liderët fuqizuan postin e Presidentit me tri kompetenca – forcimin e të drejtës së vetos së Presidentit duke e bërë të rrëzueshme vetëm me votën e 72 deputetëve nga 61 sa ishte më parë, të drejtën e emërimit të shefit të Agjencionit të Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe fuqi më e madhe në zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve.

“I  gjithë  populli  i Kosovës pret që ajo të jetë Presidentja e tyre gjatë pesë (5) viteve të ardhshme” Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Komisioni kushtetues kishte absorbuar këto propozime, duke spastruar tekstin e mëparshëm, dhe të njëjtin me 23 mars të këtij viti, përmes Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e respektimit të drejtave të njeriut me to sipas kapitullit përkatës numër 2 të Kushtetutës.

Për të mbështetur dhe fuqizuar amendamentet kushtetuese, Kuvendi i Kosovës, më 4 maj të këtij viti, gjithashtu kishte nisur nënshkrimet e 37 deputetëve të PDK-së, LDK-së, KKR-së dhe AAK-së.

Sipas kushtetutës, neni 113 pika 9, Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë ex officio (sipas detyrës zyrtare) vetëm kur bëhet fjalë për vlerësim të amendamenteve në lidhje me atë se a shkelin dhe a pakësojnë ato të drejtat e njeriut.

Nga 11 amendamentet e propozuara, Gjykata Kushtetuese vlerësimin kryesor e kishte bërë në amendamentin 10, i cili kishte të bënte me mandatin e presidentes aktuale. Gjykata ka vlerësuar se propozimi i komisionit kushtetues që zgjedhjet e reja të para për presidentin, që supozohej të mbaheshin menjëherë 6 muaj pas futjes në fuqi të pakos së amendamenteve kushtetuese, ndërprenë mandatin legjitim të presidentes aktuale, më çka është vlerësuar se pakësohet/zvogëlohen të drejtat e njeriut në përputhje me kapitullin II të kushtetutës.

Si pasojë e kësaj, do të kishim shkelje kushtetuese.

Në aktgjykim shkruan: “Në rastin e Presidentes  aktuale te  Republikës,  kjo  do te thotë qe i  gjithë  populli  i Kosovës pret që ajo të jetë Presidentja e tyre gjatë pesë (5) viteve të ardhshme.  Kështu që, shkurtimi  i  mandatit  te  saj,  si  propozohet  me  amendamentin  10,  e  privon popullin e  Kosovës nga përfaqësuesi i tyre legjitim dhe garantuesi në një kohë më të hershme se që besonin dhe shpresonin”.

Opozita nuk e konteston mandatin e Presidentes Jahjaga, por thotë se ajo duhet t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja dhe respektimin e marrëveshjes që e kishte bërë atë shefe shteti.

Në intervistën për Europën e Lirë, edhe Jahjaga kishte thënë se ka shprehur vullnet që ta respektojë marrëveshjen politike. “Por, u përket palëve të marrëveshjes që të arrijnë unitetin dhe t’i gjejnë modalitetet e respektimit apo zbatimit të kësaj marrëveshjeje”.

Mungesa e një konsensusi mes partive kryesore, ndërkohë, ka bërë LDK-në që të tërhiqet komplet nga puna në reformën zgjedhore dhe kushtetuese.

Kryetari i komisionit kushtetues Arsim Bajrami thotë se pas vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese puna është kryer dhe se vetëm duhet përpunimi i tekstit final.

Përpunimet janë të nevojshme pasi Gjykata Kushtetuese gjithashtu kishte dhënë vlerësimet e saja  si zvogëluese të të drejtave të njeriut sa i përket amendamenteve që lidhen me kufizimin e kompetencave të ushtruesit të detyrës së presidentit, rizgjedhjes së avokatit të popullit, veton pezulluese të presidentit që lidhet me emërimin e gjykatësve dhe gjykatësve kushtetues si dhe kufizimin e të drejtës për të qenë kandidatë për presidentë atyre që kanë qenë banorë të përhershëm në 5 vitet e fundit në Kosovë.

Vetëvendosje nuk do president të drejtpërdrejtë

Deputetja Vjosa Osmani thotë se zgjedhja e Presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetaret doemos kërkon edhe fuqizim të kompetencave.

“Por, përkundër kësaj, LDK është për respektim të ndarjes dhe balancit (baraspeshës) së pushteteve”, thotë ajo.

Përveç kompetencave të zgjeruara për Presidentin e zgjedhur drejtpërdrejtë, amendamentet rregullojnë se kandidatët mund të nominohen, përveç nga subjektet politike, edhe nga nënshkrimet e 15,000 votuesve të regjistruar në vend.

Deputeti Arsim Bajrami thotë se me zgjedhje të drejtpërdrejta do të “kishim një President më të besueshëm, legjitim dhe kredibil”.

“Me zgjedhje të drejtpërdrejta do të kishim një President më të besueshëm, legjitim dhe kredibil” Arsim Bajrami

Por Lëvizja Vetëvendosje, për ndryshim nga subjektet tjera, ende është e qëndrimit se Kosova nuk kishte nevojë për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit.

“Vetëm ne këtë mënyrë (zgjedhjet nga Parlamenti) ne i ikim rrezikut të mundësisë së mpleksjes së pushtetit në një parti të vetme, e ruajmë institucionin e Presidentit si një figurë potencialisht konsensuale dhe anashkalojmë mundësinë e partitizimit të mëtutjeshëm të këtij institucioni”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, deputeti Afrim Kasolli.

Por kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë të premten në RTK se sistemi politik në vend dhe ndarja e pushteteve nuk ndërron rrënjësisht “me heqjen ose shtimin e disa kompetencave”.

23 mijë euro shpenzime

Mandati i Komisionit ad hoc për reformë kushtetuese fillimisht ishte i përcaktuar të ketë mandat prej 9 muajsh. Mirëpo për shkak të moskompletimit të të gjitha obligimeve, u detyrua që të kërkonte mandat shtesë prej 3 muajsh dhe kërkesa ishte aprovuar nga Kuvendi.

Qeveria kishte ndarë një fond të veçantë për shpenzimet e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës, e cila kishte kapur shumën totale prej 23,011.82 euro.

Shpenzimet e tilla ishin kategorizuar në mbajtjen e punëtorive brenda vendit (punëtori në Dragash dhe në Prishtinë – në Vila Gërmia) gjithsejtë 5,221 euro, shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit (Shqipëri dhe Austri) gjithsejtë 7,336.82, shpenzime për angazhimin e ekspertëve 3,200.00 euro, si dhe e drejta e kompensimit mujor si komision ad hoc me një mesatare mujore prej 62 euro për një anëtar – gjithsejtë 7,254 euro.

E gjithë kjo, i kishte kushtuar buxhetit të Kosovës me shumën totale prej 23,011.82 euro plus kompensimet e kryetarit dhe nënkryetarëve të komisionit.