Ambasadori Dhe Djali i Tij Morën Bursë Nga Shteti

Ambasadori aktual i Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu, përfitoi bursë nga ministria e arsimit për të studiuar në Greqi gjatë kohës sa ishte pjesë e hierarkisë drejtuese të këtij institucioni. 

Ai kishte përfituar bursën në vitin 2009 nga MASHT-i derisa punonte si Drejtor i Administratës Qendrore. Një vit më vonë MASHT do t’i jepte bursë edhe djalit të ambasadorit, Liridon Xhakaliut. 

Ambasadori Xhakaliu para se të merrte pozitën e Drejtorit të Administratës ishte këshilltar politik i ministrit të Arsimit Enver Hoxhaj.  

Bazuar në biografinë e tij të publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Gjermani, në vitin 2010 ai kishte marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në MASHT. 

Bursa e Skënder Xhakaliut është në vlerë prej 7 mijë e 150 eurosh ndërsa e Liridon Xhakaliut është në vlerë prej 11 mijë e 970 eurosh. 

Bursat janë pjesë e një marrëveshje mirëkuptimi që Kryeministri Hashim Thaçi më 12 mars të vitit 2009 nënshkroi me Ioannis Ververidis, rektor në City College. MASHT obligohej të zbatonte marrëveshjen. 

Marrëveshja parashihte shkollimin e 10 vetave për studime bazike e 10 tjerëve për Master. 

Po ashtu marrëveshja parashihte ndarjen e dhjetë bursave për nivelin Master të cilat do t’i përfitonin punonjësit e administratës publike. 

E njëjta marrëveshje ripërtërihet çdo vit nga drejtuesit e MASHT-it dhe të City College. 

MASHT mohon që djali i Xhakaliut është bursist 

Ministria e Arsimit mohoi që Liridon Xhakaliu gjendet në listën e bursistëve. 

MASHT-it iu dërguan një listë emrash për të konfirmuar nëse ishin bursistë që studiojnë në City College/ Shefielld University.

Në mesin e tyre edhe emri i Liridon Xhakaliut. Ministria e Arsimit pohoi se ai nuk ishte bursist. 

Por, Gazeta Jeta në Kosovë konfirmoi nga vetë Liridon Xhakaliu dhe prindi i tij faktin që ai ishte përfitues burse. 

Ndërkohë MASHT konfirmoi se bursë nga ky institucion kishte marrë Skënder Xhakaliu. 

Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, Arbër Morina, përzgjedhjen e bursistëve e ka bërë Universiteti e jo Ministria e Arsimit. 

“MAShT ka organizuar vetëm shpalljen e konkursit dhe pranimin e aplikacioneve të cilat pastaj, ashtu siç janë dorëzuar nga kandidatët, i janë dorëzuar City College/ Sheffield University për vlerësim dhe përzgjedhje”, thotë Morina. 

Universiteti, sipas tij, për master kishte caktuar si kritere për bursë përvojën profesionale, kualifikimet akademike dhe njohjen e gjuhës angleze. 

Ndërkohë për studime bazike janë përcaktuar si kritere performanca dhe suksesi në shkollën e mesme si dhe njohja e gjuhës angleze. 

Zëdhënësi i MASHT thotë se përfitimi i bursës nga një zyrtar i lartë i këtij instituticioni nuk përbente konflikt interesi pasi që vlerësimi dhe përzgjedhja bëhej nga Universiteti i Shefield-it  dhe se bursat dedikoheshin për punonjësit e administratës publike. 

“Nuk ka qenë e nevojshme të konsultohet rreth çështjes së bursave me Agjencionin kundër Korrupsionit sepse kjo nuk përbënte ndonjë rrethanë të konfliktit të interesit”, thotë Morina. 

Agjencioni Kundër-Korrupsion nuk dha përgjigje gjatë javës së kaluar rreth kësaj çështjeje. 

Shpjegime rreth përfitimit të bursave nga studentët nga Kosova gjatë javës së shkuar nuk dhanë as zyrtarët e Universitetit të Shefield-it. 

Hysni Imeri, përfaqësues i këtij universiteti për Kosovë, tha se përgjigje nuk mund të jepej brenda javës pasi që e universitetit grek ishin të zënë dhe se vetëm ata mund të përgjigjeshin. 

Po ashtu përgjigje nuk dha as Megaklis Petmezas për të cilin MASHT thotë se ishte kryetar komisioni në përzgjedhjen e bursistëve. Petmezas mban pozitën e zv/drejtorit të City College. 


Presidentja në takimin përcjellës para nisjes së Xhakaliut në Gjermani
Foto:president-ksgov.net

Ambasadori e djali i tij thonë se i plotësuan kriteret për bursa  

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Xhakaliu, thotë se nisi studimet master për menaxhment në tetor të vitit 2009. 

Nuk i ka përfunduar ende ato. 

“I kam përfunduar të gjitha ligjëratat, kam përfunduar pjesën më të madhe të provimeve dhe tani jam ende duke punuar në punim e disertacionit”, thotë Xhakaliu. 

Ai thotë se ka aplikuar më 28 maj të vitit 2009 dhe se ka plotësuar kriteret për të përfituar bursë studimi. 

Xhakaliu konfirmon se vlera e bursës ishte 7,100.00 euro dhe se mbulonte vetëm shpenzimet e pagesës së studimeve. 

Ambasadori Xhakaliu, përkundër faktit që mbante pozitë të lartë në MASHT atëkohë, thotë se përfitimi i kësaj burse nuk përbente konflikt interesi pasi që ishte përzgjedhur nga Universiteti i Shefield-it. 

Ai shton se veprimi i tij ishte i rregullt dhe se nuk ka qenë e nevojshme të konsultohej me Agjencinë Kundër Korrupsion nëse ky veprim përbente konflikt interesi. “Kështu kam menduar atëherë dhe besoj se ky mendim ka qenë i drejtë”, thotë Xhakaliu. 

Ndërkohë për djalin e tij Liridon Xhakaliun thotë se është student në fushën e ekonomisë në City College, Sheffield University.

“Vlera e bursës studimore të Liridonit për tri vite studimit të nivelit bachelor është 11,970.00 euro dhe mbulon vetëm pagesën e studimeve. Liridoni këtë vit, në muajin qershor, përfundon studimet”, thotë Xhakaliu. 

Ambasadori thotë se djali i tij është përzgjedhur mbi baza meritore duke plotësuar kriteret e kërkuara që kanë qenë suksesi në shkollën e mesme si dhe njohja e shkëlqyeshme e gjuhës angleze. 

Po ashtu edhe vetë Liridon Xhakaliu thotë se plotësoi kriteret që kërkoheshin për të përfituar bursë studimi. 

Ai thotë se Universiteti dhe MASHT i mbulojnë përgjysmë studimet e tij. 

“Sipas njoftimit që e kam marrë unë nga Universiteti kur më kanë pranuar dhe përzgjedhur, bursa ime është vetëm gjysma e mbuluar nga qeveria. Pra 50 për qind”, thotë Liridon Xhakaliu.