Alepo Është një Tragjedi, Por jo “Sikur” Srebrenica

“Alepo nuk duhet të bëhet një tjetër Srebrenicë!” thotë Lord Paddy Ashdown, një politikan i lartë britanik i Partisë Liberale dhe ish-monitorues ndërkombëtar në Bosnje. “Dy dekada përpara Alepos, ishte Srebrenica,” shkruan Washington Post. “Populli i Alepos po masakrohet. A nuk mësuam asgjë nga Srebrenica,” shkruan për Guardian Nedzad Avdiç – edhe vetë një i mbijetuar i Srebrenicës.

Fjalët e Avdiç kanë peshë, pasi “ka parë me sytë e tij tytën e pushkës”, siç shkroi ai në artikullin për Guardian. Megjithatë, tendenca – veçanërisht e fortë te politikanët dhe gazetarët – për të hequr paralele mes një ngjarje historike me një tjetër nuk është as ndihmë dhe as nuk informon më shumë dhe duhet kundërshtuar.

Rezistenca ime ndaj krahasimeve “ashtu sikurse…” është shtuar ndërsa mbuloja luftrat në ish-Jugosllavi në vitet 1990, kur secila anë gjente krahasime false për ta vënë luftën e vet në anën e ëngjëjve në histori.

Serbëve u pëlqente shumë të thoshin se kroatët ishin “ashtu si” nazistët dhe lideri i tyre Franjo Tuxhman “si” Hitleri, edhe pse Gjermania Naziste donte të sundonte botën ndërsa Kroacia donte vetëm pavarësi – dhe ndërsa Gjermania Naziste ishte kompleksi më i frikshëm ushtarak që bota ka parë, ndërsa Kroacia nuk ishte fuqi më e madhe se Skocia.

Kroatët këmbëngulën se rrethimi i Vukovarit në Kroacinë lindore ishte “si” rrethimi i Stalingradit, megjithëse Vukovari ishte pak më i madh se një fshat i madh dhe Stalingradi ishte një nga qytetet më të mëdha të Bashkimit Sovjetik.

Boshnjakët – dhe admiruesit e tyre të jashtëm – e lidhën vazhdimisht luftën në vendin e tyre me Luftën Civile në Spanjë – edhe pse lufta në Spanjë ishte e lidhur me ideologjinë politike ndërsa lufta në Bosnje ishte, në fund, një betejë e shëmtuar për territor mes tre komuniteteve etnike/fetare.

Nuk kam qenë kurrë në Alepo, por isha në Srebrenicë gjatë rrethimit të tmerrshëm të atij qyteti dhe nuk arrij të shoh se çfarë kanë këdo dy vende të përbashkëta përtej rrethimit.

Srebrenica ishte një qytet i vogël, i largët, kryesisht entitet mysliman [boshnjak] përpara luftës 1992-5. Në kohën kur filloi rrethimi, thuajse të gjithë serbët e mbetur ishin larguar dhe shumë refugjatë myslimanë nga zona të tjera kishin ardhur aty, ndaj nuk kishte përçarje në qytet. Brenda Srebrenicës së rrethuar myslimanët po bombardoheshin dhe po vdisnin urie, jashtë ndodheshin serbët e Bosnjës që po kryenin rrethimin. Ishte shumë e thjeshtë – një konflikt i drejtpërdrejt binar, në të cilin një anë mbante të gjitha kartat teksa qyteti ishte rrethuar.

Alepo nuk është qyteti i largët mbi kodër i përbërë nga një kombësi apo grup besimtar. Një nga më të vjetrit dhe më të pasurit nga qytetet kozmopolitane në Lindjen e Mesme, është ose në fakt ishte, shtëpie e shumë komuniteteve dhe nga fillimi i luftës në Siri, është ndarë në të paktën dy anë, në besnikët e qeverisë së Assad dhe pjesa tjetër drejtohej nga opozita – me një enklavë ekstra të drejtuar nga kurdët.

Media perëndimore nuk raportoi kurrë shumë nga gjysma perëndimore e Alepos, ndaj nuk ka asnjë mënyrë për ta ditur sesi njerëzit atje ishin në mbështetje të qeverisë së Assad apo thjesht po i mbanin kokat ulur. Sa për pjesën lindore tashmë të pushtuar, ne dimë se njerëz janë gjendur në mes të konfliktit ose kanë mbështetur aktivisht forcat opozitare anti-Assad që e kontrollonin ato.

E vetmja gjë që Srebrenica dhe Alepo kanë të përbashkët është se bota “nuk reagoi” ndërsa gjëra të tmerrshme ndodhnin, por edhe këtu krahasimi zgjerohet.

Srebrenica ndodhej disa milje katrorë në mes të Europës dhe NATO mund ta mbronte atë lehtësisht nga ushtria e vogël e serbëve të Bosnjes që nuk kishte furnizime ushtarake të pafundme nga Rusia dhe Irani.

Kjo është arsyeja përse Srebrenica është një skandal dhe turp. Nuk është për shkak të numrit të viktimave që ishin të stërmëdha në kuptimin e katastrofës globale, por sepse e gjithë masakra në vitin 1995 ishte krejtësisht e parandalueshme.

Nuk kishte kurrë as rrezikun më të vogël që të shpërthente një luftë botërore për Srebrenicën. Nëse NATO apo madje edhe vetëm britanikët, apo francezët, apo amerikanët do të ndërhynin vetëm, Ratko Mlladiç nuk do të kishte bërë gjë më shumë se thjesht të përplaste grushtin e tij dhe këtu do mbyllej.  Është trishtim ta thuash, por rreth 6000 njerëz vdiqën në Srebrenicë për shkak të fuqive perëndimore, të cilat me gjithë burimet e tyre të mëdha dhe fuqinë ushtarake gjigante, nuk e morën mundimin të ngrinin një gisht për t’i shpëtuar ata.

Ndërhyja perëndimore në Alepo do të përfshinte angazhim me burime në një shkallë krejt të ndryshme. Do të ishte një mijë herë më e rrezikshme dhe rezultati mund të ishte i paparashikueshëm, duke marrë parasysh dedikimin e Rusisë dhe Iranit ndaj fushatës së qeverisë siriane për të marrë qytetin. Ne mund të shajmë Perëndimin për budallallëk që nuk e kundërshton Rusinë, por askush nuk mund ta mohojë se rreziku i një konfrontimi global të vërtetë ishte real. Çfarë ka ndodhur në Alepo është një tragjedi dhe një katastrofë – por le ta lëmë Srebrenicën jashtë këtyre.

 

Marcus Tanner është redaktor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, dhe gazetar i jashtëm për gazetën Britanike, Independent. Përpara se ti bashkohej BIRN në 2006, ai ka punuar si korrespondent për Ballkanin për Independent nga viti 1989 deri në vitin 1994, dhe zëvëndes redaktor i faqes së botës deri në vitin 2001. Tanner është autor i disa librave si, ‘Croatia, A Nation Forged in War,’ ‘Ireland’s Holy Wars,’ ‘Last of the Celts,’ ‘The Raven King: Matthias Corvinus and the Fate of His Lost Library,’ si dhe ‘Albania’s Mountain Queen: Edith Durham and the Balkans.’