Aleatët e Vjetër të Millosheviçit Drejtojnë Ende Serbinë

Pesëmbëdhjetë vjet pasi qindra mijëra protestues u mblodhën në rrugët e Beogradit, më 5 tetor 2000,

Serbia vazhdon të jetë ende e rënduar nga prania e të njejtve politikanë, që ishin mbështetësit më të zjarrtë të regjimit të Sllobodan Millosheviçit.

Duke kërkuar që Millosheviçi të pranojë humbjen në zgjedhjet presidenciale jugosllave dhe fundin e një dekade sundimi autokratik ku u përfshinë luftërat shkatërrimtare në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, optimizmi fillestar që pasoi rënien e tij është shndërruar në zhgënjim.

Politikanët e vjetër të kohës së Millosheviçit janë ndërkohë përsëri në pozita kryesuese.

Kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk është vetëm një ish-nacionalist ekstrem, por një njeri që kishte për mentor Vojisllav Sheshelin, të pandehurin famëkeq për krime lufte.

Vuçiç tani është një politikan pro Bashkimit Europian, i cili shprehet se është i dedikuar për pajtimin në rajon dhe se e ka distancuar veten nga ish-retorika e tij e ashpër.

Megjithatë, Vuçiç ishte Ministër i Informacionit gjatë regjimit të Millosheviçit në kohën e ligjit famëkeq për Informim Publik, të miratuar për të ndihmuar regjimin që të kontrollonte mediat dhe të ndiqte penalisht gazetarët.

Një nga gazetarët më të shquar serb, Slavko Curuvija, u vra në ato kohë.
Partia e vjetër e Millosheviçit, Partia Socialiste e Serbisë, SPS, ka vende në qeverinë e Vuçiç.

Ish-zëdhënësi i Millosheviçit, kryetari i SPS-së Ivica Daçiç, sot është Ministri i Jashtëm serb dhe zëvendës kryeministër.

Gjithashtu edhe Shesheli është kthyer në shtëpi. Ai u lirua nga gjykata për krime lufte në Hagë, për arsye humanitare.

Ai po i dëmton gjithashtu ende marrëdhëniet e Serbisë me fqinjët e saj me retorikën e tij të mirënjohur, të pandryshuar dhe luftë nxitëse.

Përveç zyrtarëve të lartë në pushtet, shumë poste të tjera publike mbahen nga ish-adhurues të regjimit të Millosheviçit, thotë Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit serb për të Drejtat e Njeriut.

“Nuk ka pasur ndryshime të rëndësishme në sistemin gjyqësor, shërbimet e sigurimit apo polici. Dhe ata janë të gjithë lojtarë kyç në krijimin e atmosferës politike,” tha Biserko për BIRN.
Serbia është ende “një e burgosur dhe peng” e strukturave të tilla, shtoi ajo.

Arsyeja kryesore pse këta njerëz janë ende në pushtet, shprehet Biserko, është për shkak të një mosgatishmërie të përgjithshme për të hequr qafe njerëz që mbajnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë për mizoritë e viteve 1990.

“Shoqëria e gjerë nuk e donte dhe nuk e kërkoi një gjë të tillë si lustracioni, duke qenë se kjo do të nënkuptonte përballjen me të kaluarën,” tha Biserko.

Zarko Koraç, i cili ishte zv/kryeministër në qeverinë e parë pas asaj të Millosheviçit, tha se Serbia ka ngecur me njerëzit e Millosheviçit duke qenë se vetë banorët e Serbisë nuk i perceptojnë ata si kriminelë.

“Ata ishin përgjegjës se votuan Millosheviçin në atë kohë dhe tani ata janë përgjegjës se mbështesin njerëz që zhvillonin politikën në vitet 1990,” tha ai për BIRN.

Një gabim është se pas ngjarjeve të 5 tetorit, pak nga liderët e rinj të Serbisë e panë si problem qëndrimin krahë për krahë me njerëzit e krahut të djathtë të Millosheviçit.

Edhe DOS, Opozita Demokratike e Serbisë, forca e krijuar pas ndryshimeve në vitin 2000, kishte në përbërje disa zyrtarë të cilët ishin aktiv gjate regjimit të Millosheviçit, argumenton Korac.

“Ata njerëz ishin pjesë e regjimit dhe pastaj ata ndryshuan mendjet e tyre. Për shembull, Nebojsa Çoviç, i cili ishte kryebashkiak i Beogradit si anëtar i SPS-së së Millosheviçit dhe Momcilo Perisiç, i cili ishte shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave,” tha Korac.

Biserko pranon se revolucioni i vitit 2000 dhe rrëzimi i Millosheviçit nuk do të kishte qenë i mundur pa njerëz të cilët ishin aleatët e tij të ngushtë dhe që më vonë mbetën në pushtet dhe janë ende aty.
“5 tetori ishte një marrëveshje racionale, duke qenë se njerëzit kuptuan se me regjimin e Millosheviçit Serbia po shkonte thellë e më thellë. Ky kuptim erdhi kryesisht nga vetë qarqet e Millosheviçit,” kujton Biserko.

Pavarësisht zotimeve nga udhëheqësit e rinj të vendit se do ta distanconin veten nga politikat shkatërruese të viteve 1990 dhe zëdhënësve të saj të zhurmshëm, kjo gjë nuk ndodhi.

Liderët e rinj të Serbisë zgjodhën stabilitetin dhe pushtetin mbi premtimin për ndryshim pavarësisht fjalëve të tyre në vitin 2000.

Në vitin 2004, kryeministri i ri Vojislav Koshtunica, formoi një qeveri me mbështetjen e armiqve të tij të vjetër në SPS-në e Millosheviçit.

Momenti kyç që shënoi rikthimin fitimtarë të partisë së Millosheviçit të ndjerë ndodhi në tetor të vitit 2008, kur Daçiç dhe Boris Tadiç, në atë kohë president i Serbisë, nënshkruan një deklaratë mbi pajtimin politik, duke i hapur rrugën SPS-së për t’u kthyer në qeveri – dhe të rrijë aty deri sot e kësaj dite.

Partia Demokratike e Tadiçit formoi një qeveri me SPS-në nën drejtimin e Daçiçit, që shumë thonë se e pa si mënyrën e vetme të Tadiçit për të mbajtur pushtetin.

Në pothuajse të njëjtën kohë, Vuçiç dhe Tomislav Nikoliç formuan një parti të re të dalë nga radikalët e Sheshelit, Partia Progresive Serbe, duke marrë me vete një numër të madh të mbështetësve të Sheshelit.

Në rrjedhën e katër viteve, kjo parti e re ia doli të hynte në parlament dhe Nikoliçi u bë presidenti i ri i Serbisë.

Përpjekjet e dështuara për lustracion

Ka pasur disa përpjekje që personat përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut në vitet 1990 të mos lejoheshin të mbanin poste publike.

Në vitin 2003, Serbia miratoi Ligjin për Lustracion, ligjin e saj të parë dhe deri më tani të vetmin për këtë, i cili përcaktoi se të gjithë zyrtarët e ardhshëm publik duhet të kontrollohen për shkelje të të drejtave të njeriut që datojnë nga viti 1976, kur ish-Jugosllavia ratifikoi Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike.

Megjithatë, ligji nuk u zbatua kurrë dhe parlamenti i Serbisë dështoi edhe në kompletimin e plotë me staf të komisionit që kishte për qëllim të zbatonte procesin e lustracionit.

Pothuajse të gjithë anëtarët e komisionit dhanë dorëheqjen në vitin 2004 për shkak të mungesës së mbështetjes së qeverisë. Ligji skadoi në vitin 2013.

Ekspertët thonë se në Serbi nuk ekzistoi kurrë vullneti politik që ligji të zbatohej plotësisht.

“Nëse qeveria do ta kishte vënë në zbatim atë ligj, ajo do të kishte humbur mbështetjen e SPS-së dhe të shumicës në parlament dhe për pasojë qeveria do të kishte rënë,” tha Jovo Bakiç, një sociolog në Universitetin e Beogradit.

Përpjekjet e fundit për të rimiratuar ligjin kanë ardhur nga Lidhja opozitare e Social Demokratëve në Vojvodinë, LSV.

“Ne duam ta rinovojmë këtë ligj, sepse Serbia nuk mund të ecë para derisa ajo të pastrojë rolin e saj famëkeq në luftën e viteve 1990.”

“Lustracioni do të jetë një mënyrë për të treguar se çfarë sjellje dhe veprimesh janë të papranueshme në shoqërinë në të cilën ne duam të jetojmë,” tha për BIRN Bojan Kostres, nënkryetar i partisë.

Teksti që LSV-ja po planifikon të paraqesë do të jetë identik me Ligjin për Lustracion që skadoi në qershor 2013, por këtë herë ai nuk do të ketë një kufizim kohor.

Megjithatë, shumë dyshojnë se kjo përpjekje e dytë do të japë fryte.

“Po tani çfarë? Aleksandër Vuçiç dhe Ivica Daçiç duhet të votojnë fillimisht pro ligjit dhe më pas ata duhet t’i nënshtrohen lustracionit? Këto janë gjepura,” përfundon Bakiç.