Albin Kurti, Mbrojtës i Flaktë i Nacionalizmit në Kosovë

 

Kurti, lideri kontrovers i lëvizjes Vetëvendosje ka qenë zë kryesor, ndonëse disa herë shumë i shprehur, në Kosovë.

Për herë të parë grupi i tij po hyn në botën e politikës dhe, nga zgjedhjet e fundit është renditur si partia e tretë.

Dënimi i tij në vitin 2010 për pengim të zyrtarëve në detyrë gjatë protestave të vitit 2007 në Prishtinë, gjatë të cilave ishin vrarë dy protestues të Vetëvendosjes, nëse ka pasur fare efekt, vetëm sa ka forcuar popullaritetin e tij.

Pas dështimit të tij për t’u paraqitur në gjykatë vitin e kaluar, misioni i BE-së për sundim të ligjit, EULEX, lëshoi urdhërarrest për të.

Ai vazhdoi të jetë ‘në liri’ për një kohë, ndonëse nuk kishte bërë përpjekje për t’u fshehur nga policia dhe rregullisht shkonte në zyrat qendrore të Vetëvendosjes në qendër të Prishtinës, deri në qershor 2010, kur më në fund u arrestua dhe u dënua, mirëpo u lirua menjëherë për shkak të kohës që kishte kaluar nën arrest shtëpiak.

Afro 150,000 persona kishin nënshkruar një peticion që kërkonte nga misioni i BE-së tërheqjen akuzat ndaj tij.

Albin Kurti u lind në Prishtinë më 24 mars 1975. Për herë të parë u bë emër i njohur në Kosovë në vitin 1997, kur u përfshi në Unionin e Pavarur të Studentëve në Universitetin e Prishtinës, ku studionte në fakultet të elektros.

Unioni kishte organizuar protesta në Prishtinë, duke kërkuar kthimin e ndërtesave universitare. Studentët dhe profesorët shqiptarë etnikë u dëbuan me dhunë nga shkollat dhe institucionet tjera akademike në fillim të viteve 1990 nga regjimi nacionalist serb i Slobodan Milosevicit.

Kurti kishte shkuar në udhëtime të ndryshme jashtë Kosovës për të informuar bashkësinë ndërkombëtare lidhur me kërkesat e studentëve, përfshirë në Washington, New York, Bruksel dhe Kopenhagë.

Ai takoi shumë zyrtarë të lartë të punëve të jashtme, përfshirë Robin Cook, atëherë Ministër i Jashtëm në Britani, si dhe Hubert Vedrine, Ministrin e Jashtëm Francez.

Në tetor 1997, në një demonstratë në Prishtinë, Kurti u arrestua për herë të parë. Në gusht 1998 ai filloi të punojë në zyrën e Adem Demaçit, përfaqësuesit kryesor politik për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-në. Policia serbe arrestoi Kurtin përsëri në prill 1999 gjatë bombardimit të Jugosllavisë nga NATO-ja.

Më 10 qershor 1999, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, Kurti dhe mijëra të burgosur të tjerë shqiptarë të Kosovës u transferuan në Serbi.

Në mars të vitit 2000, në një Gjykatë në Nish të Serbisë, Kurti u dënua me 15 vite burgim për krime kundër integritetit territorial të Jugosllavisë dhe aktivitete terroriste.

Kurti refuzoi mbrojtjen në gjykimin e tij, duke thënë: “Unë mund të gjykohem vetëm nga një gjykatë e popullit tim. Unë e njoh këtë gjykatë, sikurse nuk e njoh Serbinë apo Jugosllavinë.” Kurti u lirua nga burgi i Pozarevcit të Serbisë më 2001.

Vetëvendosje organizoi fushatë duke kërkuar që statusi final i Kosovës të  zgjidhej me referendum popullor dhe për të kundërshtuar rolin mbikëqyrës të OKB-së në çështjet e Kosovës.

Që pas shpalljes të pavarësisë më 2008, Vetëvendosje ka vazhduar me kundërshtimet e idesë që Kosova, edhe pas pavarësisë, të ketë nevojë për “mbikëqyrje”.

Kjo lëvizje është e njohur për sloganet dhe protestat inovative. Megjithatë, në gusht të vitit 2009 është kritikuar shumë pasi që mbështetësit e saj përmbysën mbi 30 automjete të EULEX-it në një veprim që kishte për qëllim të shpreh zemërimin ndaj planeve të misionit të BE-së për të nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Rezultatet pozitive të Vetëvendosjes pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit nuk e kanë bindur askënd se Kurti është i gatshëm për qeveri.

Christopher Dell, Ambasador i SHBA-ve në Kosovë, ka lënë të nënkuptojë se nuk pranon të takohet me grupin, ndryshe nga partitë tjera politike.