Qendra Emergjente, QKUK. Foto: Kallxo.com

Alarm nga Zvarritja e Tenderit për Hemodializën

Alarmi për furnizim me material për hemodializë që po vlerësohet më shumë se emergjent, shtyri Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) t’ia heqë pezullimin automatik të tenderit për të cilin ishte parashtruar ankesë për parregullsi. Gjykata e Tenderëve i ka hapur rrugë nënshkrimit të kontratës përkundër që ende nuk janë shqyrtuar pretendimet e operatorit ekonomik për shkelje ligjore. Kreu i OShP-së këtë vendim e ka arsyetuar me shmangien e rrezikut për jetët e pacientëve të kësaj kategorie, përderisa operatori ekonomik ankues ishte kundër.

Pezullimi automatik bëhet në rastet kur për një proces të prokurimit ka ankesa nga operatorët ekonomikë në OSHP. Gjatë kohës së pezullimit automatik, deri në një vendim të OSHP-së, autoritetet kontraktuese nuk kanë të drejtë të ndërmarrin asnjë veprim për atë tender.

Ministria e Shëndetësisë me datën 14 dhjetor 2017, i është drejtuar OShP-së me kërkesën për heqje të pezullimit automatik, duke thënë se zvarritja e tenderit përbën rrezik për jetën e pacientëve.

“Arsyetimi (i MSH-së) se ky aktivitet i prokurimit është prokurim emergjent dhe se heqja e pezullimit për këtë aktivitet të prokurimit është më shumë se emergjent për shkak të situatës alarmante të krijuar për mungesë të materialit shpenzues për hemodializë dhe njoftimeve nga depoja e barnave që është shumë urgjent furnizimi me material për hemodializë”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

OSHP-ja kishte kërkuar edhe mendimin e operatorit ekonomik ankuese rreth kërkesës së ministrisë për heqjen e pezullimit për këtë aktivitet të prokurimit.

Kompania ankuese “Liri-Med” ishte kundër heqjes së pezullimit, duke i cilësuar si të qëllimshme vonesat.

“Kompania ankuese (Liri-Med) me datën 15 dhjetor 2017 ka deklaruar se kundërshtojnë kërkesën e AK-së për heqjen e pezullimit automatik, pasi që autoriteti kontraktues ka neglizhuar zhvillimin e procedurave të prokurimit para se të skadojë kontrata dhe se vetë MSH qëllimisht është vonuar në procedura”, citohet të ketë thënë operatori ekonomik në vendimin e OShP-së.

Kompania ka deklaruar se kundërshton edhe procedurën e negociuar të zhvilluar për këtë aktivitet të prokurimit.

Kreu i OShP-së sqaron arsyen pse duhet të hiqet pezullimi automatik për këtë tender.

“Pas shqyrtimit dhe analizimit të të gjitha shkresave si dhe duke pasur parasysh kërkesën e Autoriteti Kontraktues- Ministria e Shëndetësisë, ku sqaron situatën emergjente të krijuar në mungesë të materialit shpenzues për hemodializë, ndjeshmërisë që ka sektori i hemodializës  dhe njoftimeve nga depoja e barnave që është shumë urgjent furnizimi me materiale për hemodializë vjen në përfundim se duhet të hiqet pezullimi automatik […]” thuhet në vendimin e OShP-së.

Heqja e pezullimit të këtij aktiviteti kreu i OShP-së thotë se është bërë me qëllim të shmangies dhe evitimit të rrezikut së jetës së të gjithë  pacientëve të hemodializës, ose dëmtimit të mëtutjeshëm të shëndetit të kësaj kategorie të pacientëve.

Kompania “Liri-Med” ShPK me 12 dhjetor kishte parashtruar ankesë pranë OShP-së.