Avni Mazrreku - Foto: Facebook

Aktakuza ‘e Fjetur’ Kundër Avni Mazrrekut

Ish-pronari i Kolegjit ISPE, Avni Marrzeku, akuzohet nga Prokuroria se vuri në lajthim organin kompetent në Agjencinë e Akreditimit dhe se ka kryer vepër penale “legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, e cila është e dënueshme deri në 5 vjet burg.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur në prill të vitit 2016, por deri më tani nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore ndaj Mazrrekut. Pas informacioneve të pranuar në KALLXO.com për mos mbajtjen e asnjë seance ndaj Mazrrekut, është pyetur Gjykata e Prishtinës për rastin në fjalë.

Kjo e fundit është përgjigjur katër ditë pas dërgimit të pyetjeve, duke thënë se seanca e parë është caktuar në pjesën e dytë të muajit mars.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se lënda me numër P.1946/16  ku i akuzuar është A.M, është në procedurë dhe shqyrtimi fillestar është caktuar të mbahet me dt. 19.03.2018”, tha Majlinda Gashi, zyrtare për informim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në përgjigjen e dërguar më 26 shkurt.

Gjykata në përgjigjen e saj nuk e ka specifikuar se kur është vendosur që seanca të mbahet me këtë datë, si dhe nuk ka dhënë sqarime për vonesë dhe arsyet pse kjo lëndë nuk është caktuar për afër dy vite.

KALLXO.com ka arritur të sigurojë dëshminë se lënda është pranuar në Gjykatë më 27 prill të vitit 2016, një ditë pas ngritjes së aktakuzës.

Vet Avni Mazrreku i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se nuk ishte në dijeni që për afër dy vjet ndaj tij është e ngritur një aktakuzë.

Në pyetjen se a është në dijeni se një aktakuzë për veprën penale legalizim i rrejshëm është ngritur ndaj tij, ai është përgjigjur me “Jo”, por ka pohuar se është në dijeni se janë zhvilluar hetime rreth kësaj çështje. Mazrreku nuk ka dashur të komentojë tutje për rastin në fjalë.

Çështja ndaj ish-pronarit të Kolegjit ISPE Avni Mazrrekut ishte nisur pas një kallëzimi penal të muajit janar 2015. Hetimet kishin përfunduar me aktakuzën e prokurores Gjejrone Alaj, në vitin 2016, për ‘legalizim të përmbajtjes së pavërtetë’ në hetimet e nisura ndaj drejtorit dhe pronarit të atëhershëm të Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, në vitin 2014. Mazrreku më nuk është pronar i Kolegjit ISPE. Aktakuza lidhet me procesin e akreditimit të kolegjit, përkatësisht pagesat të cilat duhej kryer në Agjencinë Kombëtare të Akreditimit.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Mazrreku akuzohet se e kishte vënë në lajthim Agjencionin e Akreditimit kur u kishte paraqitur dëshminë se ai kishte kryer pagesën prej 19,300 Euro.

Pagesa sipas prokurorisë nuk ishte bërë, ndërsa me këtë dëshmi-pagese aplikacioni i Kolegjit ISPE është futur në shqyrtim në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, e cila është mbajtur më datën 1 korrik të vitit 2014.

Sipas dëshmitarëve të prokurorisë, pagesa e pretenduar “nuk ka shkuar asnjëherë në institucionin e AKA- së”. E Mazrreku, para prokurorit, është arsyetuar se kjo mund të ishte vetëm një gabim teknik.

“Pagesën në shumën prej 7.000 euro e kam kryer më 30.06.2014, më 14.11.2014 shumën prej 9.300 euro dhe me 26.11.2014 shumën prej 10.000 euro. Pagesën në shumë prej 19.300 euro e kam bërë unë përmes sistemit elektronik ‘E-banking’ nga llogaria e kolegjit ISPE në ‘Raiffeisen Bank’, ku shihet se ka mbetë në hapin e dytë e për t’u realizuar është dashtë të kalohet në hapin e tretë, ku kjo ka mundur të jetë një gabim teknik dhe vetë sistemi elektronik ‘E-banking’ i Raiffeisen Bank nuk e lejon këtë tip të pagesave. Edhe në rastin e dytë më datën 13.11.2014 është kryer në tre hapa pagesa dhe ky nuk është rasti i parë që kemi pasë probleme dhe është gabim teknike edhe rrjeti i Internetit mund të ndalë procesin e realizimit të pagesës”, kishte thënë Mazrreku në prokurori.

Gazeta Jnk kishte raportuar në fund të muajit janar se Këshilli i Fakultetit Juridik në Universitetin e Bremenit kishte vendosur për t’ia revokuar titullin e doktoraturës Avni Mazrrekut. Vendimi për revokimin e titullit të doktorit është konfirmuar për “Gazeta Jeta në Kosovë” nga Lorenz Kahler, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Bremenit në Gjermani, aty ku u doktorua Mazrreku.

Në një reagim, Mazrrekut kishte thënë se se Departamenti Juridik i Universitetit te Bremenit nuk ka vendim të shkruar. Ai kishte thënë se pas pranimit të këtij vendimi, do të ankohet dhe kishte siguruar se doktorata e tij nuk do të revokohet.

“Është parim bazik juridik se nuk ka vendim definitive pa u shterur të gjitha mjetet juridike dhe normalisht edhe mua një drejt e tillë me garantohet me ligjet gjermane. As në rastin tim sa i përket titullit Dr. jur të cilin e barti nga viti 2009 nuk ka vendim definitivë dhe një i tillë nuk do të ndodh asnjëherë”, kishte thënë Mazrreku në reagimin e tij.