Aksham Pazari për Autostradën 100 Milionëshe

Hulumtimi i ekipit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, ka gjetur se në kohën kur vendi ishte në krizë politike dikush në ministri ka punuar për të finalizuar një tender 100 milionësh. Në këtë tender, Ministria e Infrastrukturës i ka lënë të përgjegjshme vetëm 8 oferta, duke i eliminuar në mënyrë të kundërligjshme ofertat tjera që ishin edhe më të lira.

Ministria e Infrastrukturës në krye me ish-ministrin Lutfi Zharku, nisi procedurat e Autostradës Prishtinë-Gjilan, ku planifikoheshin të harxhoheshin 128 milionë euro në kohën kur vendi ishte në zgjedhje dhe pushtetet ishin duke u ndërruar.

NDËRLIDHUR

U pranuan 181 oferta nga 27 biznese e konzorciume për tetë pjesët e këtij tenderi. Tenderit iu dha drita e gjelbër nga Ministria e Infrastrukturës, pa shumë shpjegime, 24 orë para ndërrimit të qeverisë. Të përgjegjshme mbetën vetëm 8 oferta, duke u eliminuar në mënyrë të kundërligjshme ofertat e tjera që ishin edhe më të lira se ofertat e rekomanduara për kontratë.

Sipas dosjes së siguruar nga Drejtësia në Kosovë, llotet ishin fituar me këto çmime.

Lloti i parë me 16 milionë e  25 mijë euro. Lloti i dytë me 6 milionë e 223 mijë euro. Lloti i tretë me 5 milionë e 131 mijë euro. Lloti i katërt me 7 milionë e 413 mijë euro. Lloti i pestë, me 21 milionë e 478 mijë euro. Lloti i gjashtë me 18 milionë e 134 mijë euro. Lloti i shtatë me 9 milionë e 329 mijë euro. Dhe Lloti i tetë me 15 milionë e 914 mijë euro.

Në total, operatorët e përzgjedhur kushtonin mbi 33 milionë euro më shtrenjtë sesa ofertat më të lira që u eliminuan nga gara. Siç dëshmoi hulumtimi, kjo i bie që nëse Ministria e Infrastrukturës do të nënshkruante kontratë me ofertuesit më të lirë, Autostrada Prishtinë-Gjilan do të kushtonte 66 milionë e 48 mijë euro dhe jo 99 milionë e 651 euro, sa ishte vlera e llogaritur në fund të tenderit.

Por, kompanitë që aplikuan për “kulaçin” e madh të asfaltit nuk u pajtuan me rekomandimin dhe vendimin e qeverisë në ikje të Isa Mustafës. 12 ofertues u ankuan në Gjykatën e Tenderëve me pretendimet se në këtë tender kishte manipulime dhe shkelje të Ligjit të Prokurimit.

Pak ditë më vonë, një ekspert i angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) konstatoi probleme serioze. Ministria e Infrastrukturës ka eliminuar nga gara 173 oferta duke i lënë të përgjegjshëm vetëm 8 prej tyre dhe eksperti konstatoi se eliminimi i tyre ishte bërë në kundërshtim me ligjin. Për pasojë, i tërë tenderi (8 llotet) ishte njëburimor, pasi që të gjitha kompanitë ishin eliminuar nga llotet. Eksperti ka gjetur shkelje ligjore në të paktën tri llote që së bashku kanë një vlerë prej 46 milionë eurove.

Redaktori i Gazetës “Jeta në Kosovë”, Visar Prebreza, ka treguar se tenderi për Autostradën Prishtinë- Gjilan ishte nisur në një kohë krize politike, kur qeveria ishte e rrëzuar. Njoftimi për kontratë, sipas tij, është bërë me 12 qershor, një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.

“Në një kohë kru i gjithë publiku ka qenë i orientuar kah rezultatet e zgjedhjeve, Ministria e Infrastrukturës e ka nisur këtë projekt gjigant, sepse ishte paraparë të shfrytëzohej një buxhet prej 128 milionë eurove. Pastaj edhe procedurat tjera kanë vazhduar gjatë muajve të verës, ku të gjithë jemi dëshmitarë që gjatë kësaj kohe është folur vetëm për çështjen e numrave dhe çështjen e qeverisë”, ka thënë Prebreza.

Aksham pazari

Ai ka shtuar se pjesa tjetër më interesante, ishte kur komisioni vlerësues e kishte përfunduar punën e tyre një ditë para se të votohej Qeveria Haradinaj.

“Komisioni vlerësues e kishte përfunduar punën dhe i  cakton cilat kompani janë të përgjegjshme, cilat nuk janë të përgjegjshme një ditë para se të votohet Qeveria ‘Haradinaj’. Njoftimi për dhënie të kontratës ka qenë rreth 100 milionë euro, ndërsa ofertat më të lira të pranuara kanë qenë për 33 milionë euro më pak. Nuk themi që ofertat më të lira kanë qenë gjitha të përgjegjshme, mirëpo ka munguar një vlerësim real i ofertave të dorëzuara dhe kjo është vërtetuar edhe nga Gjykata e Tenderëve e cila e ka kthyer këtë tender në rivlerësim”, ka deklaruar redaktoi i Gazetës “Jeta në Kosovë”, Visar Prebreza.

Drejtuesit e asaj kohe dhe ata që janë tani, nuk kanë shpjegim  për këtë rrëmujë që ndodhi me tenderimin e parasë publike. Ish-ministri në detyrë Hanefi Muharremi kujton se e tërë ngjarja u zhvillua pak orë para se ai dhe qeverisja e Isa Mustafës të lironin zyrat për Qeverinë Haradinaj.

“Unë kur kam marrë postin e ministrit ka qenë e caktuar procedura e tenderimit dhe formimi i komisionit për punën e autostradës Prishtinë- Gjilan dhe ka qenë në vazhdim të punës. Kështu që me marrjen e postit gjatë kësaj periudhe Drejtorin e Shërbime Publike (Shefin e Prokurimit) e kam pyetur se si po shkojnë punët në këtë drejtim, i cili herë pas here më ka thënë se është në rregull, se është komisioni duke punuar me intensitet dhe që janë vendosur kamerat të cilat e përcjellin punë e komisionit dhe është një anëtar prej Agjencionit Anti-Korrupsion dhe i kontrollon dokumentet dhe kaq ka qenë prej anës sime”, ka treguar ish-ministri Muharremi.

Ai për “Drejtësia në Kosovë” ka thënë se kishte pyetur se pse puna përfundoi pikërisht në ditën kur ai ia kishte dorëzuar detyrën pasardhësit të tij Pal Lekaj.

“Kështu që nuk kam pasur ndonjë vërejtje deri me 11 shtator. Më 11 shtator me ministrin aktual e lamë se kur do të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës. Por nga ora 9  në mëngjes drejtori i departamentit erdhi në zyrë dhe më tha se komisioni e ka përfunduar punën dhe më erdhi si befasi. Me të thënë të drejtën pse ndodhi kjo pikërisht në ditën kur unë po e dorëzoj detyrën, meqë ka mundur një ditë para ose mbas. Po sidoqoftë unë si në instikt e pyeta se a ka shku puna mirë, më tha se gjithçka është në rregull. Vjen ministri i ardhshëm e vazhdon punën e tij kaq unë mundem me thënë. Por mua çfarë më ka lënë përshtypje, pse komisioni me kryer punën ditën kur bëhet pranim-dorëzimi i punës, vetëm atë i kam thënë drejtorit dhe me kaq e kam përfunduar dhe drejtën me thënë më shumë nuk më ka interesuar”,  ka thënë Muharremi.

Për këtë situatë ka folur edhe ministri i tanishëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ai ka garantuar se projekti i autostradës Prishtinë Gjilan do të realizohet dhe se do të respektohet vendim i OSHP-së lidhur me tenderin.

Ai ka treguar detajet se si e kishte gjetur këtë projekt dhe si ishte nënshkruar para mesnate nga komisioni vlerësues.

“Këtë projekt e kam gjetur në fazë fillestare. E kam gjetur të nënshkruar nga komisioni vlerësues natën në orën 23:00 dhe të përzgjedhur tetë operatorë nga 27 sa kanë qenë në garë. Unë tani do e zbatoj vendimin që do e marrë Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. I siguroj qytetarët e rajonit të Gjilanit se kjo autostradë do të kryhet. Por asnjëherë nuk do lejoj unë si ministër të nënshkruaj diçka që shkon në dëm të qytetarëve dhe të buxhetit të shtetit”, ka thënë ministri Pal Lekaj.

Kërcënimet për tenderin milionësh

Për t’i zgjidhur problemet me këtë tender, kompanitë ishin ankuar në Gjykatën e Tenderëve. Pak ditë para se të mbahej seanca gjyqësore për “kulaçin e madh”, shefi i OSHP-së u përball me kërcënime. Pronarit të kompanisë “Sallahu” i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh si i dyshuar për kërcënimin ndaj kreut të OSHP-së, Blerim Dina.

E njëjta masë i është caktuar edhe Shaban Lushtakut. Në kërkesën e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com pretendohet se Sallahu dhe Lushtaku kanë tentuar ta detyrojnë Blerim Dinën të kryejnë veprime në kundërshtim me pasurinë publike në tenderin prej 21 milionë eurove. Në kërkesën e saj, prokuroria ka përshkruar edhe veprimet e të dyshuarve. I dyshuari Sallahu citohet t’i ketë thënë Dinës që ky tender ka vlerën e 21 milionë eurove dhe kjo punë duhet të kryhet, ose do të kushtojë me jetë. Prokuroria ka përshkruar se është duke tentuar të zbulojë identitetin e dy personave të tjerë të cilët dyshohet të kenë gisht në këtë rast, por të cilët ende janë të paarritshëm për prokurorinë.

Për kërcënimin tregon edhe vetë shefi i OSHP-së, Blerim Dina për Emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

“Për ngjarjen që ka ndodhur në pasditen e 16 tetorit unë personalisht kam dhënë deklaratë në polici. Qëndroj pas deklaratës që e kam dhënë, nuk kisha me hy më shumë sepse me këtë çështje janë duke u marrë organet e ndjekjes dhe po ua lë atyre të merren me rastin”, ka thënë Dina.

Ai madje ka siguruar opinionin se të gjitha vendimet që janë marrë nga OSHP-ja janë marrë  konform Ligjit të Prokurimit Publik, e që kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen edhe përkundër kërcënimeve dhe presioneve nga grupe të ndryshme të interesit.

“I siguroj të gjithë opinionin se të gjitha vendimet që janë marrë në OSHP janë marrë konform Ligjit për Prokurim Publik dhe të gjitha vendimet që  do të merren në të ardhmen prapë do të merren konform Ligjit të Prokurimit Publik. Pa marrë parasysh presionit, kërcënimeve apo forma të ndryshme të grupeve të ndryshme të interesit ne do të vazhdojmë punë tonë duke u bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik”, ka thënë Dina për “Drejtësia në Kosovë”.

Intervista e Dinës në video:

Ndërkohë siç dëshmoi hulumtimi, në deklaratën e tij para Gjykatës Naim Sallahu dhe Shaban Lushtaku kanë mohuar të kenë kryer veprimet e pretenduara. “Drejtësia në Kosovë” ka provuar të flasë edhe me familjarët e familjes Sallahu, por përkundër kërkesës nuk është marrë një përgjigje pozitive.

Sami Lushtaku, kreu i deritanishëm i Skenderajt ishte ndër emrat e lakuar për tenderin multi-milionësh. Emri i tij u përmend si personi i cili kishte kërkuar të pinte kafe me shefin e OSHP-së. Emri i këtij të fundit nuk është përmendur në dosjen e prokurorisë e cila përshkruan se vetëm persona NN kanë kërkuar të pinin kafe me shefin e OSHP-së.

E Sami Lushtaku në një deklaratë për ‘Drejtësia në Kosovë’ ka treguar se Shaban Lushtakun i cili përshkruhet në dosjen e Prokurorisë për kërcënim ndaj Shefit të OSHP-së, e ka kushëri.

I pyetur se cili është problemi i tij me Dinën, Lushtaku thotë ta ketë dëgjuar përmes mjeteve të informimit.

“Të them drejtën e kam dëgjuar përmes mjeteve të informimit dhe ka qenë një befasi për mua. E di që pas ngjarjes më kanë thënë se ata janë shokë pune e kanë pirë me qindra herë kafe, unë këtë histori e di. Kërkoj nga prokuroria dhe gjykata që kësaj çështjeje t’i shkojë deri në fund. Vërtet që këta që keqpërdorin tim, e që nuk është hera e parë që e kam dëgjuar nëpër okular tjerë. Dhe ka shumë hera që njerëzit janë thirrur në emër timin e që unë nuk e kam ditë. Unë nuk di çka ka përmend Shaban Lushtaku, sepse nuk ka pas asnjë arsye”, ka deklaruar Sami Lushtaku për Emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Intervista e plotë me Lushtakun në video:

Lushtaku ka deklaruar se ato ditë ka qenë i angazhuar me fushatën elektorale për zgjedhjet komunale në Skenderaj dhe se kjo sipas tij lehtë mund të verifikohet.

“Unë ato ditë kam qenë nëpër fushata thuajse krejt kohën dhe pak kam pas[ mundësi me u ul në kafe e me pi kafe. Veçse policia e prokuroria munden me vërtetu saktë këtë punë”, ka thënë Lushtaku.

Ai është pyetur edhe për takimin e fundit që ka pasur me kushëririn e tij Shaban Lushtaku, por ka treguar se nuk i kujtohet dhe se shpesh janë takuar bashkë. Lushtaku ka thënë se asnjëherë nuk kanë biseduar për projektin e autostradës Prishtinë – Gjilan me kushëririn e tij, i cili ndodhet në paraburgim Shaban Lushtaku.

“Duke lakuar emrin tim po duan t’i zgjedhin problemet dhe interesat e veta, por që nuk e di pse. Nëse në një formë ose tjetrën unë jam përfshi, policia le të veprojë”, ka deklaruar Lushtaku, duke shtuar se dikush po ka dëshirë të fshihet pas emrit të tij. “Jam bërë një personazh se për çdo gjë dal nëpër medie, edhe gjatë qëndrimit tim në burg është lakuar emri im. Kështu që është e padrejtë dhe unë po kërkoj nga organet që këtyre çështjeve t’u shkohet deri në fund dhe jo të manipulohet me emra. Zgjedhin problemet e veta dhe në fund duan me përmend edhe emrin tim.”

Konfirmimi i shkeljeve ligjore

Dilema të shumta përreth asaj nëse ministria kishte të drejtë kur vendosi për operatorët në fjalë u tentuan të sqaroheshin  në seancën e mbajtur me 24 tetor në OSHP. Të parët që morën fjalën kërkuan anulimin e njoftimit për dhënien e kontratës për gjitha kompanitë që ishin shpallur fitues nga  Ministria e Infrastrukturës.

Deklarimet e operatorëve ekonomikë në video:

Blerim Dina ka treguar se OSHP-ja ka vendosur për tenderin dhe komplet tenderi kthehet në rivlerësim.

Ai madje tregoi edhe arsyet pse OSHP-ja ka vendosur ta kthejë në rivlerësim tenderin.

“Arsyet pse OSHP-ja ka vendosur ta kthejë në rivlerësim tenderin për të gjitha llotet ka arsye të shumta dhe nuk është vetëm një. Të gjitha arsyet janë të përmendura dhe janë të shkruara në vendim dhe kush është i interesuar mund të lexojë vendimin dhe të shohë arsyet dhe të gjeturat e OSHP-së për atë aktivitet të prokurimit”, ka thënë Dina.

Tenderi 100 Milionësh me Shkelje Ligjore

04 Nëntor 2017 - 14:15

Naim Krasniqi 04/11/2017 - 14:15
NDËRVEPRIMI39

33 milionë

euro me lirë do të kushtonte Autostrada për Gjilan