Foto: Care International

Akses i Mohuar: Baballarët e Divorcuar Luftojnë për Fëmijët e Tyre

Divorci ishte i trazuar por llogoret e betejës ishin të qarta. Ai dëshironte akses të pakufizuar te djali i tij dyvjeçar, i cili jetonte me ish-bashkëshorten e tij 10 minuta larg më këmbë në qytetin e Zenicës në qendër të Bosnjës. Ajo dëshironte që ai të dilte tërësisht nga jeta e djalit të vogël.

Në fund, ata të pakënaqur arritën një kompromis: babai mund ta shihte djalin për katër orë çdo të mërkurë dhe dy ditë të plota një në dy fundjava.

Por shpejt, nëna e djalit filloi të tërhiqet nga marrëveshja, sipas babait i cili refuzoi të identifikohet. Pavarësisht afërsisë së apartamenteve të tyre, ai shpesh priste me javë për të parë fëmijën.

“Ishte veçanërisht e vështirë kur unë duhej ta ktheja tek e ëma… dhe ai qante dhe thoshte, ‘Babi, mos ik,'” tha babai 35 vjeçar, i cili është i papunë. “Pastaj dy muaj më parë ajo filloi ta stërvisë atë.”

Ai përdori një celular për të regjistruar një video në të cilën djali shihet i ulur në një triçikël me buzëqeshje në fytyrë, duke thënë me zë lozonjar, “unë nuk dua të shkoj te babi, unë nuk dua të shkoj te babi.”

Në regjistrim, babai dëgjohet duke pyetur: “Kush të tha ta thuash këtë?”

“Mami,” përgjigjet djali.

Sipas mendimit të tij, ky ishte një rast klasik i Sindromës së Prindit Dashakeq, një tipar sjelljeje i përshkruar nga psikologët në rastet kur një prind dëshiron të kundërvërë fëmijën kundër një tjetri pas një ndarjeje armiqësore.

Nuk ishte e mundur të kontaktohej nëna për të dëgjuar anën e saj të historisë.

Në një vend ku gjykatat e familjes nuk njohin përgjegjësinë e përbashkët mbi fëmijët si opsion, babai thotë se ai po përpiqet të shtyjë punonjësit socialë të ndërhyjnë në mënyrë që ai të mund të sigurohet se do të shohë fëmijën e vet – megjithëse ai thotë se zgjidhja finale duhet të jetë përmes ligjit.

“Ajo që dua më shumë është e drejta e barabartë ose përgjegjësia e përbashkët e prindërimit si në Perëndim, por kjo mund të ndodhë vetëm në rast se sistemi ndryshohet,” tha ai. “Tani unë po përpiqem të gjej aq kohë sa mundem dhe unë do të jem i lumtur nëse mund të shijoj çdo fundjavë me djalin tim.”

Ky është një nga mijëra baballarë në Bosnjë dhe në vendet fqinje për të cilët grupimet e të drejtave të baballarëve thonë se janë ndaluar nga pjesa më e madhe e jetës së fëmijëve të vet pas divorceve konfliktuale.

Nënat kanë tendencën të marrin kujdestarinë automatikisht, thonë aktivistët, avokatët dhe ekspertët e mirëqenies së fëmijëve, duke akuzuar mendësinë tradicionale që i sheh gratë si më të përshtatshme për prindërim. Ata thonë gjithashtu se shërbimet sociale janë shpesh të mbingarkuara për të hetuar siç duhet rrethanat rast pas rasti.

Por disa prindër po luftojnë, duke argumentuar se kujdestaria e vetme dëmton fëmijët dhe shkel të drejtat e sanksionuara në ligjin Europian dhe në konventat ndërkombëtare.

“Për mua, e vetmja gjë e pranueshme është që të vijoj të luftoj, të gjej se ku janë ata dhe se si mund të arrij fëmijët dhe t’i kontaktoj ata,” thotë Samiri, një baba në Sarajevë i cili kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij.

Samiri nuk e ka parë djalin e tij 13 vjeçar dhe vajzën tetëvjeçare që prej pesë vitesh.

Pas divorcit të tij më 2009, ai thotë se ish-bashkëshortja filloi të shkelë vizitat e miratuara nga gjykata te djali i tij: dy orë gjatë javës dhe dy ditë një herë në dy javë.

Asgjë nuk u përcaktua për vajzën e tij për shkak të moshës së saj në atë kohë; gjykatat në Bosnjë arbitrojnë vetëm për vizitat me fëmijët mbi tre vjeç.

“Ajo [ish-bashkëshortja] gjente gjithmonë një mënyrë, duke thënë se djali kishte detyra shtëpia, se ai ishte ‘sëmurë’ ose ishte i zënë duke luajtur,” tha ai. “Pastaj ajo filloi të thotë se ai nuk deshte të më shihte mua, por unë nuk isha kurrë i sigurtë për këtë sepse kisha vetëm fjalën e saj.”

Pastaj, një ditë në maj 2012, ai i ra ziles së apartamentit të ish-bashkëshortes. Askush nuk u përgjigj. Ai njoftoi policinë, e cila zbuloi se prona qe zbrazur.

Rezultoi se ajo kishte ikur bashkë me fëmijët në Suedi, ku ajo ka shtetësi që nga vitet e saj si refugjate nga Bosnja në konfliktin e viteve 1992-1995.

“Ata ikën pa paralajmëruar, pa dhënë një shpjegim apo një mesazh, pa asgjë,” tha ai. “Ata thjesht u zhdukën.”

Babai dhe djali po pozojnë në kamera ndërsa kujdesen për një zgarë në piknik. Kjo foto ishte pjesë e një ekspozite dhe fushate organizuar nga grupi i ndihmave Care International për të nxitur baballarët në Bosnjë që të luajnë rol më aktiv në prindërim. Foto: Care International

Nuk ka kujdestari të përbashkët

Në Bosnjën krenare maço, nuk është surprizë që punonjësit socialë të gjejnë shumë baballarë të papërshtatshëm për prindërim. Agjencia për Barazi Gjinore në Bosnjë vlerësonte më 2015 se një në pesë familje pati përjetuar dhunë në familje. Në shumicën e rasteve, dhunuesit janë meshkuj.

Por psikologët thonë se disa qendrat sociale kanë dështuar t’i përshtaten ndryshimeve në shoqëri, ku stereotipet prej maçoje po sfidohen nga gjithnjë e më shumë burra të cilët marrin përsipër përkujdesjen.

Pavarësisht ndryshimeve më të gjera në shoqëri, baballarët janë humbësit në shumicën e rasteve kur vjen puna te kujdestaria e fëmijëve, sipas të dhënave të byrosë së statistikave të të dyja entiteteve të vendit, Federatës Muslimano-Kroate të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikës Srpska të dominuar nga serbët.

Në të dyja entitetet më 2016, nënat morën kujdestarinë në 77 për qind të divorceve të çifteve me fëmijë.

Shumica e këtyre vendimeve u bënë nga gjykatat familjare që vepronin me këshillën e punonjësve socialë që intervistonin prindërit dhe me raste rekomandonin testim psikologjik.

Në gjashtë për qind të divorceve që përfshijnë fëmijë, prindërit arritën një farë marrëveshjeje informale mbi kujdestari të përbashkët, thonë të dhënat nga byrotë e statistikave.

Infografika: Kush e fitoi përkujdesjen për fëmijët

Ndryshe nga shumë vende europiane, ligji i familjes në Bosnjë nuk njeh formalisht bashkëkujdestarinë, e cila lejon nënat dhe baballarët të ndajnë përgjegjësinë për kujdesin ndaj fëmijëve dhe vendimet prindërore.

“Kur vjen puna te kujdestaria e përbashkët, unë jam shumë e kujdeshsme me të,” thotë Aleksandra Marin-Diklic, drejtore e departamentit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Avokatin e Popullit të Bosnjës.

“Ne nuk kemi një pozicion të veçantë, por si institucion, nëse ne do të përfshihemi në këtë çështje, ne me siguri do të marrim opinionin e akademikëve, ekspertëve të ligjit të familjes dhe natyrisht atyre që janë përfshirë drejtpërsëdrejti në punën me njerëzit, konkretisht stafit të qendrave sociale.”

Psikologët e fëmijëve thonë se autoritetet mund të kenë qëllime të mira por në disa raste janë të keqinformuar kur vjen puna për të vendosur se çfarë është më mirë për fëmijët.

“Disa ‘ekspertë’ më pyesin nëse është mirë që një fëmijë të ketë dy familje, për shkak se ata besojnë se një fëmijë duhet të ketë vetëm një familje nga ku të eksplorojë botën,” tha Gordana Buljan Flander, një psikologe dhe drejtore e klinikës për mirëqenien e fëmijëve në Zagreb, e cila shpesh mban leksione në Sarajevë.

“Interesi më i mirë për një fëmijë pasi prindërit vendosin për divorc është që të ketë, për aq sa është e mundur dhe në mënyrë sa më të barabartë që është e mundur, të dy prindërit, edhe nëse ata nuk janë perfektë. Kur ne flasim për të drejtat e një fëmije, një fëmijë ka të drejtë për familje. Kur flasim për nevojat e një fëmije, një fëmijë ka nevojë si për nënën ashtu edhe për babain.”

Jasna Bajraktarevic, një psikologe e njohur me bazë në Sarajevë është dakord.

“Fëmijët absolutisht kanë nevojë për të dy prindërit,” tha ajo. “Ne nuk duhet të mendojmë në termat se çfarë mund të bëjnë baballarët apo çfarë mund të bëjnë nënat, por është e sigurtë, fëmijët kanë nevojë për të dy prindërit, pavarësisht nëse ata bëjnë një familje apo janë të divorcuar.”

Aleksandra Marin-Diklic, komisionere për të drejtat e fëmijëve në Avokatin e Popullit të Bosnjës, e ulur në tryezën e saj poshtë posterave që shkruajnë “Ne marrim vendime në interesin më të lartë të fëmijëve” dhe “Unë kam të drejta.” Foto: Zdravko Ljubas

‘Fëmijët vuajnë më shumë’

Më 1993, Bosnja ratifikoi Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, e cila thotë se fëmijët me prindër që nuk jetojnë bashkë kanë të drejtë të qëndrojnë në kontakt me të dy prindërit me përjashtim të rasteve kur njëri prej tyre mund t’i bëjë keq.

Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës, e cila mbron të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në 47 vende anëtare, përfshirë Bosnjën, kaloi një rezolutë në vitin 2015 mbi të drejtat e baballarëve.

Rezoluta 2079 bën thirrje që vendet të garantojnë “që të dy prindërit të jenë të informuar mbi të drejtat dhe të kenë rol në marrjen e vendimeve të rëndësishme që prekin jetën dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre, në interesin më të lartë të fëmijës”.

Ajo kërkon gjithashtu nga shtetet që të “vendosin në ligjet e tyre parimin e rezidencës së përbashkët pas ndarjes” dhe të “respektojnë të drejtën e fëmijëve për t’u dëgjuar në të gjitha çështjet që i prekin ata”.

Babai në Zenica, i cili po lufton për më shumë kohë me djalin e tij, thotë se instrumentet ndërkombëtare si këto nuk i kanë ndikuar punonjësit socialë kur ai ngriti kërkesën për kujdestari të përbashkët.

“Unë argumentova se një praktikë e tillë është e zakonshme në vendet normale europiane të cilat kanë kujdes për të drejtat e njeriut,” tha ai. “Ata më ndërprenë menjëherë duke thënë se është e pamundur, dhe kjo qe e gjitha.”

Pyetur nëse punonjësit socialë kishin tendencën të favorizonin nënat në mosmarrëveshjet për kujdestarinë, Adnan Podzo, drejtor në Qendrën Kantonale për Mbrojtjen Shoqërore në Sarajevë tha thjesht: “Vendimin se kush merr kujdestarinë e merr gjykata, bazuar në rekomandimet e Qendrës për Mbrojtje Shoqërore.”

Më 2016, departamenti për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës te avokati i popullit në Bosnjë mori 139 ankesa, më së shumti të lidhura me divorcet me mosmarrëveshje, sipas raportit më të fundit vjetor të avokatit.

Shumë akuzojnë punonjësit socialë për anësi, për zvarritje apo për mosmarrje parasysh të rrethanave specifike në raste individuale, sipas kreut të departamentit Marin-Diklic.

“Në shumicën e rasteve, të drejtat e fëmijëve shkelen nga vetë prindërit, por edhe nga ngadalësia dhe inefikasiteti i sistemit,” tha ajo. “Në fund, fëmijët janë ata që vuajnë më shumë”.

Standarde të dyfishta

Baballarët shprehin pakënaqësi të ngjashme në ish-republikat e tjera Jugosllave me gjuhë dhe kulturë të ngjashme: Kroaci, Mali i Zi dhe Serbi.

Në Kroaci, anëtari më i ri i BE-së, ligji i familjes lejon bashkëkujdestarinë – por gjykatat sërish kanë tendencën të favorizojnë nënat si kujdestare të vetme.

Mes nëntorit 2013 dhe nëntorit 2014, periudha e fundit për të cilën ka të dhëna të disponueshme, 86 për qind e fëmijëve në Kroaci me prindër të divorcuar iu dhanë nënave nën kujdestari, sipas byrosë së statistikave të shtetit.

Pak më shumë se 3 për qind përfunduan në kujdestari të përbashkët.

“Eksperienca ime me shërbimin e mbrojtjes shoqërore dhe gjykatat [në Kroaci] është e tillë sa unë nuk ia uroj as armikut më të keq,” tha Oliver Canic, themelues i grupit të baballarëve në Zagreb të quajtur Shoqata për Prindërim të Barabartë.

Canic tha se vendimet për kujdestarinë janë përplot me standarde të dyfishta.

“Nëse baballarët kanë punë, ata shpesh konsiderohen si tepër të zënë për t’u kujdesur për fëmijët,” tha ai. “Nëse janë të papunë, ata nuk shihen si të qendrueshëm financiarisht.”

Ndërkohë, nënat që kanë punë shpesh nuk penalizohen ndërsa ato që janë të papuna shihen se kanë kohë të bollshme për fëmijët, tha ai.

Sipas ligjit ekzistues të familjes, kujdestaria e përbashkët është e mundshme vetëm nëse të dy prindërit janë dakord për të. Shoqata për Prindërim të Barabartë ka propozuar ndryshime në ligj në mënyrë që gjykatat të mund të japin kujdestari të përbashkët edhe në rastin se vetëm një nga prindërit e kërkon atë.

Sociologu Bruno Simlesa tha se problemi qëndron te sjelljet e ngulitura fort mbi rolet gjinore.

“Opinioni dominues në Kroaci, por edhe në vendet e tjera të këtij rajoni, është se kujdesi për fëmijët është shburrërues,” tha ai. “Njerëzit besojnë se burrat e vërtetë nuk shkojnë në recitalet e shkollës së fëmijëve të vet. Burrat e vërtetë fitojnë para dhe disiplinojnë fëmijët e tyre kur është e nevojshme.”

Dejan Visekruna, themelues i shoqatës Tata, shfleton dokumente në zyrën e tij në Beograd. Në tavolinën e tij ka një dokument 468 faqësh me rekomandime për reformimin e ligjit të familjes në Serbi. Foto: Zdravko Ljubas

Modeli skandinav

Në Malin e Zi, të dhënat nga byroja e statistikave tregojnë se fëmijët iu caktuan nënës në 80 për qind të divorceve në vitin 2016. Kjo krahasohet me rreth 7 për qind që iu caktuan baballarëve dhe po aq që u caktuan nën kujdestari të përbashkët, gjë që ligji malazez e lejon.

Edhe ligji i familjes në Serbi e njeh kujdestarinë e përbashkët, megjithëse gjykatat rrallë herë e japin atë.

Serbia nuk ka të dhëna mbi rastet e divorceve, por kërkimet nëpër vendimet e gjykatave nga një grupim i të drejtave të baballarëve me bazë në Beograd i quajtur Tata sugjeron se nënat marrin kujdestarinë në 95 për qind të rasteve të divorceve me mosmarrëveshje.

“Si një shoqëri, ne thjesht besojmë se nëna është prindi përgjegjës për rritjen e fëmijëve,” thotë themeluesi i Tata, Dejan Visekruna, duke shtuar se shumica e njerëzve e shohin rolin e babait si të kufizuar në kalimin e ca orëve me fëmijët dhe në pagesën ushqimore.

Në zyrën e Tata në qendër të Beogradit, telefoni i Visekrunës bie vazhdimisht. Baballarët telefonojnë për ndihmë ligjore, për të përcaktuar takime ose thjesht për t’u shfryrë.

Visekruna, një ish-mjek 45 vjeçar që ka përjetuar luftën për kujdestarinë e djalit të tij, ofron ngushëllim dhe këshilla praktike. Në tryezën e tij kishte një filxhan që mbart emrat e fëmijëve për të cilët janë duke luftuar baballarët e Tata.

Duke punuar me avokatë, Tata ka krijuar një set me rekomandime 468 faqe të gjatë për reformimin e ligjit të familjes në Serbi, përfshirë mënyrat për ta bërë procesin e kujdestarisë më efikas dhe më të barabartë.

Jovan, Sara, Nikola, Ivana, Goran, Filip, Marija… Emrat e fëmijëve të përfshirë në mosmarrëveshje mbi kujdestarinë zbukurojnë një filxhan në zyrën e Tata në Beograd. Foto: Zdravko Ljubas

“Skandinavia ka një përqasje të ndryshme,” thotë ai. “Sistemi bazë atje është që fëmijët të kalojnë një javë me nënën dhe një javë me babain…. Suedezët e nisën këtë praktikë në vitet ’80 përgjatë emancipimit të grave në shoqëri.”

“Në të njëjtën kohë, me zhvillimin e çështjeve gjinore, ata vendosën që çdokush duhet të jetë i barabartë, kështu që ata barazuan pozicionin e burrave dhe grave në divorce, duke i dhënë atyre të njëjtat të drejta dhe detyrime, edhe mbi kujdestarinë e fëmijëve.”

Bosnja nuk ka organizatë baballarësh ekuivalente me Tata në Beograd apo Shoqatën për Prindërim të Barabartë në Zagreb.

Kjo e lë Samirin, ish-bashkëshortja e të cilit i mori fëmijët e tij në Suedi, me pak mbështetje ndërsa ai pajtohet me jetën pa fëmijët e tij.

“Unë i dua fëmijët e mi pavarësisht nëse janë me nënën e tyre apo me mua,” tha ai. “Unë u uroj më të mirën, siç bën çdo prind, por fakti që ata nuk janë me mua, ky nuk është vendimi im.”

 

Zdravko Ljubas është një gazetar me bazë në Sarajevë dhe punon si korrespondent për Deutsche Welle. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Investigative, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Balklkanik për Gazetari Investigative.