Ajri i Pashëndetshëm- Gati Vetëm po Identifikohen Ndotësit

Edhe këtë vit, me ardhjen e stinës së dimrit dhe rënien e temperaturave, ajri në Prishtinë ka filluar të jetë shumë i ndotur.

Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, vlerëson se trendi i cilësisë së ajrit në Kosovë është po thuajse i njëjtë me vitet e tjera, që nënkupton se edhe gjatë këtij viti në dy muajt e fundit ka pasur tejkalime të vlerave të lejuara të ndotjes.

“Është e vërtetë që Prishtina dhe disa zona të tjera urbane dhe industriale kanë nivel më të lartë të ndotjes”, thuhet në përgjigje të ministrisë.

Zyra për Informim dhe Monitorim të Mediave në MMPH, thekson se burimet kryesore të ndotjes janë prodhimi i energjisë, përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje e për prodhim dhe trafiku rrugor.

Valdete  Tahiri-Azemi, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave, ka thënë për KALLXO.com se në funksion të përmirësimit të cilësisë së ajrit MMPH, ka hartuar një plan të aktiviteteve për sezonin vjeshtë dimër 2017-2018, i cili është aprovuar edhe nga ministrja Albena Reshitaj.

“Në këtë plan mes tjerash janë duke u identifikuar burimet kryesore të ndotjes në Prishtinë dhe janë marrë masa konkrete për zbutjen e ndikimit në cilësi të ajrit nga këto burime”, thuhet ë përgjigje të ministrisë.

Ndërkaq, komuna e Prishtinës, në përgjigjet që i ka drejtuar në KALLXO.com, thekson se ka në plan që vitin e ardhshëm të vendosë sensorë të rinj për matjen e ndotjes së ajrit.

“Qëllimi i Komunës së Prishtinës nuk është që të marrim rolin e MMPH dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të cilat janë përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit, por që së paku të vetëdijesohemi për pasojat dhe shkaqet e ndotjes së ajrit”, tha për KALLXO.com Miranda Mullafazliu nga Komuna e Prishtinës.

Mullafazliu konstaton se është gjë e mirë nëse institucionet qendore lëvizin drejt përmirësimit të cilësisë së ajrit.

“Në rast se arrihet që së paku të ketë lëvizje nga institucionet qendrore në këtë drejtim, e krejt në kuadër edhe të marrëveshjes së nënshkruar në Paris në dhjetor 2015 lidhur me ndryshimet klimatike, atëherë ky do të ishte edhe suksesi i projektit”, tha Mullafazliu.

Sipas komunës, ndotësit më të mëdhenj janë sulfhidriku H2S,dyoksidi i sulfurit, dyoksidi i azotit dhe grimcat në vlerën 2.5 µg/m³, ndërsa shkaktari kryesor i ndotjes së ajrit është trafiku i ngarkuar, tani edhe përdorimi i lëndëve djegëse të përdorura për ngrohje si dhe përdorimi i lëndëve djegëse në bizneset e vogla kryesisht ato të përgatitjes së ushqimit.

Mullafazliu tregon si mund të ulet ndotja.

“Ulja e numrit të automjeteve, përmes nxitjes së përdorimit të transportit publik kundrejt atij privat, menaxhimi i rrjetit rrugor, përmirësimi i transportit publik, promovimi i teknologjive të pastra, nxitja e çiklizmit, rritja e sipërfaqeve të gjelbra”, janë disa nga masat që pastrojnë ajrin në Prishtinë.

Mullafazliu thotë se ndotja mund të bie në nivele më të ulëta edhe nëse bëhet kontrollimi i cilësisë së lëndëve djegëse dhe nëse bizneset të cilat përdorin lëndë djegëse kontrollohen dhe obligohen të pajisen me LMK (përmirësimin e ventilimit dhe cilësisë së lëndës djegëse).

Ndërsa Ministria e Ambientit tregon për KALLXO.com se janë duke u zhvilluar dy projekte kundër ndotjes së ajrit.

“Në funksion të përmirësimit të cilësisë së ajrit aktualisht jemi duke adresuar përmirësimin e gjendjes përmes dy projekteve me donatorë. Njëra mbështetje vjen nga Qeveria Japoneze përkatësisht Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe tjera në kuadër të Programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhet në përgjigje të ministrisë.

Ministria bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës sikurse edhe me të gjitha institucionet tjera qendrore dhe lokale e konsideron shumë të mirë.

Ministria e Mjedisit thotë se ka kërkuar zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Monitorimin e Shkarkimeve në Ajër nga burimet e lëvizshme apo automjetet motorike, por edhe rritjen e kontrollit të cilësisë së derivateve.

Agjencia për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë publikon raporte ditore dhe mujore të monitorimit të cilësisë së ajrit.

KALLXO.com, ka shkruar se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka realizuar një hulumtim lidhur me efektet e ndotjes së ajrit në shëndetin e qytetarëve të Prishtinës ku del se ka numër të lartë të të sëmurëve nga ajri i ndotur.

http://kallxo.com/numer-larte-te-semureve-nga-ajri-ndotur/

Gjithashtu, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, kishte thënë para Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe Mjedis se përmirësimi i gjendjes së ajrit dhe ambientit janë ndër prioritetet e saj.

http://kallxo.com/luftimi-ndotjes-ndalese-te-thengjillit-dhe-police-te-gjelber/

Ministrja Reshitaj, ka marrë vendim që të ndërpresë përdorimin e qymyrit si lëndë djegëse për ngrohje në dy çerdhe të Komunës së Prishtinës.

http://kallxo.com/ministrja-e-mjedisit-te-ndaloje-qymyrin-ne-dy-cerdhe/