Agim Bahtiri- Përgatitja e Terrenit për Biznes

Një pronë prej rreth pesë hektarësh, në fshatin Zhabar i Epërm në Mitrovicë, tashmë është rrafshuar nga bagerët e angazhuar nga autoritetet komunale dhe është bërë gati për të pritur investitorin privat.  

Kjo pronë publike planifikohet të jepet në shfrytëzim për 99 vjet.  

Komuna e Mitrovicës nëpërmjet një konkursi publik përzgjodhi kompaninë “Mushroom Park L.L.C” dhe po shtyn përpara idenë që ajo të lidhë kontratë publike për shfrytëzimin e kësaj prone.

Kompania fituese është e ndërlidhur me kryetarin e Mitrovicës për kah pronësia zyrtare.

Firma është e regjistruar në Kosovë dhe figuron se është në pronësi të koreanit Hee-Joo, Park.

Ai është pronar i “Greenpeace Mushroom Farm” që ka partneritet me “Green Mushroom Farm” me bazë në Holandë që është drejtuar nga Agim Bahtiri derisa ai mori postin e kryetarit. 

Ndërkaq koreani është edhe njëri prej drejtuesve të degës së “Green Mushroom Farm” në Kosovë. 

Derisa Bahtiri gjatë fushatës elektorale thoshte se “unë bashkë me biznesmenët e mi do të investojmë dhe do të ndërtojmë fabrikën e kërpudhave”, optimist është shfaqur edhe partneri i tij. 

“Unë do të krijoj mbretërinë e kërpudhave me Agimin edhe me qytetarët e Mitrovicës”, pati thënë Park në një konferencë të investitorëve të  mbajtur në Mitrovicë më 23 maj të këtij viti. 

Park e Bahtiri në qershor të vitit të kaluar inauguruan së bashku hapjen e fabrikës së kërpudhave në këtë qytet nga kompania e kryetarit të Mitrovicës-“Green Mushroom Farm”.

Ndërkohë rekomandimi i komisionit vlerësues që shpall fitues Mushroom Park L.L.C do të shqyrtohet më 14 gusht të këtij viti nga komiteti komunalë për politikë dhe financa. 

Nëse ky rekomandim miratohet nga komiteti kjo çështje do të kalojë për votim në njërën nga mbledhjet e ardhshme të Kuvendit Komunal.

Pikërisht vendi i nxjerrë në konkurs publik në fshatin “Zhabar i Epërm”, ishte përmendur si synim i tij nga Agim Bahtiri gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet lokale në nëntor të vitit 2013. 

Ai thoshte se aty do të ndërtonte fabrikën e kërpudhave dhe do të punësonte 15 mijë njerëz gjatë mandatit katërvjeçar. 

Bahtiri, i intervistuar nga Gazeta Jeta në Kosovë në prill të këtij viti, thoshte se brenda 15 ditësh do të niste ndërtimin e fabrikës pikërisht në këtë vend. 

Po kjo nuk ndodhi. 

Atij i duhet të kalojë nëpërmjet procedurave të konkursit publik për të përfituar të drejtën e shfrytëzimit të tokës.


Depo e firmës “Burimi”, ku vazhdon të qëndrojë makineria për prodhimin e këpurdhave | Foto: Behar Mustafa

Konkurrenti i vetëm në garë i  lidhur me kompaninë fituese 

Por në konkursin publik të hapur më 13 maj 2014  nga komuna për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone rreth 3 kilometra nga qendra e Mitrovicës ka aplikuar vetëm edhe një kompani tjetër. 

Është kompania “Burimi” nga Mitrovica që ka raporte biznesi me familjen e Bahtirit. 

Në depon e kompanisë “Burimi” në Mitrovicë janë të vendosura makineritë e përpunimit të kërpudhave që Bahtiri i kishte sjellë në Mitrovicë pasi që kishte nisur mandatin e kryetarit. 

Mustafë Fazliu, pronar i kompanisë “Burimi”, thotë se nuk ka konkurruar vetëm sa për të përligjur konkursin publik. 

“Jo nuk kam apliku sa me i ndihmu kryetarit që ai me marrë tokën, bile me pas ditë që aplikon edhe ajo firma e kërpudhave, unë nuk kisha apliku hiç”, i ka thënë Fazliu, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Ndonëse e pranon se e ka konkurrentin e fortë, Fazliu thotë se nuk do të lëshojë pe.

“Unë biznesin e kam në gjak, ajo tokë na përshtatet shumë, kështu që nëse na e japin, unë nuk heq dorë”. 

Fazliu thotë se në këtë pronë planifikon të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e materialeve të betonit.

Thotë se i përshtatet kjo pronë, pasi lumin e ka afër, e për prodhimin e këtyre materialeve i duhet uji.

Ai thotë se për këtë projekt ka planifikuar të investojë 5 milionë euro për pesë vjetët e ardhshëm, ndërsa planifikon t’i punësojë 150 punëtorë në fillim. 

Fazliu thotë se makineritë janë të Agim Bahtirit dhe se ai paguan qira për vendosjen e tyre në depon e tij. 

Ai thotë se merr 300 euro në muaj për këtë.

“Tash masi kjo punë u zgat shumë, i kam thanë me m’i dhanë 500 euro në muaj. Edhe pse hala nuk kemi ba kontratë të re ata nganjëherë  m’i japin 400 a 500 euro”.

Megjithatë kur Fazliut iu kërkua nga Gazeta Jeta në Kosovë që të shohë kontratën e lidhur mes palëve ai hezitoi ta bënte këtë. U arsyetua se ka shumë dokumente në zyrë dhe nuk mund ta gjejë me lehtësi. 

Ndërsa, Agim Bahtiri, i pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë, se a ka qenë ky konkurs i përgatitur më herët, në një përgjigje me shkrim ka thënë, se “konkursi ka qenë i hapur dhe çdokush ka mundur të aplikojë”.

Gazeta Jeta në Kosovë, i ka shkruar edhe Agjenicisë Kundër Korrupsion, për të treguar se kjo çështje a paraqet konflikt interesi, por ata akoma nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa, Ligji për Konflik të Interesit, thotë se “zyrtari i lartë nuk duhet të lejojë që interesat e tij private të bien në konflikt me funksionin e tij. Ai duhet të shmangë konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, apo i mundshëm”.  

 
Këpurdhat që prodhohen nga Green Mushroom Farm | Foto: greenmushroomfarm.com

PDK e VV, votojnë kundër Bahtirit

Komisioni që kishte bërë vlerësimin e ofertave, i cili përbëhej nga shtatë anëtarë, me katër vota pro dhe tri kundër kishte rekomanduar firmën e “Mushroom Park L.L.C” për ta marrë në shfrytëzim pronën publike.   

Komisionin e ka udhëhequr Sami Zeka, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Urbanizmit,.

Pro kanë votuar Blerim Baruti, drejtor për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Avdullah Bejtullahu, drejtor i Drejtorisë së Administratës dhe Afërdita Syla nga organizata joqeveritare “Community Building Mitrovica” (CBM). 

Përfaqësuesja e vetme nga shoqëria civile ka thënë se procesi ka qenë në rregull dhe nuk ka pasur ndonjë parregullsi.

“Po të kishte ndonjë parregullësi ose diçka në kundërshtim me kriteret e vendosura në konkurs të cilat kanë qenë kriteret bazë që parashihen me udhëzimin administrativ për vlerësimin e pronave. Unë nuk do kisha votuar pro”, i ka thënë Syla, Gazetës Jeta në Kosovë.

Kundër kanë votuar  Rrustem Musa e Lulzim Zeqirit, të dy anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Latif Latifi nga “Vetëvendosje”. 

Ata pohojnë se procesi është përshkuar me parregullsi.

Rrustem Musa, anëtari i PDK-së në komision, ka thënë se ata kanë votuar kundër, pasi sipas tij ka pasur parregullsi gjatë gjithë procesit.

“I gjithë procesi ka qenë i parregullt, prej kohës kur janë bë ftesat për hapje të kontratave që nuk kanë ardhur me kohë te ne, e deri te fundi kur dokumentet e njërës kompani kanë qenë në një gjuhë të pakuptueshme për ne [kinezisht ose japonisht]”, ka thënë Musa.  

Kompania “Green Mushroom Farm” me bazë në Holandë ka partneritet me kompani koreane dhe japoneze në biznesin e shitjes së kërpudhave.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe Latif Latifit,  anëtari i VV-së në këtë komision. 

“…madje nuk e kemi ditur as me çfarë shume po aplikon “Mushroom Park L.L.C.”, ka qenë një 30 milionësh, që mbrapa nuk e ka pasë shenjën se për çfarë parash po bëhet fjalë”.

Ndërsa Sami Zeka kryetari i Komisionit Vlerësues të Ofertave, i kontaktuar nga gazeta, nuk ka dashur të komentojë rreth kësaj çështjeje, duke thënë se “akoma” nuk ka përfunduar procesi. 

Gazetës me të njëjtën arsye as Komuna e Mitrovicës, nuk i ka ofruar qasje në dokumentet publike të këtyre dy kompanive. 

Kompania  “Green Mushroom Farm” dhe dega e saj “Mushroom Park L.L.C”, ende nuk kanë kthyer përgjigje rreth kësaj çështjeje. 


Gjatë venies së gurthemelit së fabrikë së këpurdhave në Lebanë të Prishtinës | Foto: HiranoMushroomKosovo/fb

Kërpudhat me shumë destinacione

Para se Agim Bahtiri, të hynte zyrtarisht në politikë, kur ai udhëhiqte kompaninë e tij  

“Green Mushroom Farm” së bashku me partnerët e tij nga Koreja e Japonia, kishte shpalosur projektin e tij për ndërtimin e një fabrike të kërpudhave në Kamenicë, e cila sipas tij të fillonte të ndërtohet brenda një muaji. 

Më 3 qershor të vitit 2013, derisa me dy djemtë dhe partnerët e tij po qëndronte në Kamenicë, Bahtiri bëri të ditur se në këtë projekt do të investonte prej 7 deri ne 14 milionë euro dhe se do të punësonte 130 veta. 

Por fabrika, as që duket gjëkundi në tokën që Bahtiri pretendonte se do ta ndërtonte atë. 

Faton Biqkaj, zëdhënësi i Komunës së Kamenicës, ka thënë se çështja e fabrikës ka mbetur ashtu siç ka qenë një vit më parë. 

“Kjo ishte bërë vetëm në kohën e parafushatës, ndonëse kryetari Begzad Sinani, ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë në këtë investim, por më nuk është folur asgjë për të”, ka thënë Biqkaj.

Bahtiri, në Kamenicë kishte treguar se një projekt si ky, do ta niste edhe në Lebanë të Prishtinës. 

Pesë ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale, Bahtiri së bashku me kryetarin e AKR-së, miliarderin Behgjet Pacollin, nisën ndërtimin e fabrikës së kërpudhave në pronat e tij në Lebanë. 

Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës, po atë ditë reagoi duke thënë se projekti ishte nisur pa kërkuar dhe marrë leje nga autoritetet lokale.

Fitore Pacolli, shefe e kabinetit të Ahmetit e kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, ka thënë se akoma në Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit nuk ka ardhur asnjë kërkesë për leje ndërtimore lidhur me fabrikën e kërpudhave.

Ndërsa Agim Bahtiri, i pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë, rreth këtyre investimeve që ishin premtuar më herët ka thënë se janë “në proces e sipër”.