Afër Dialogut për Vizat

Përgjegjësja për Punët e Brendshme në bllokun e 27 vendeve europiane ka ndërmarrë këtë hap pasi një ekip i ekspertëve të Komisionit Europian qëndroi në Kosovë, në mesin e shtatorit.

Malmstrom, në një letër dërguar Ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi më 30 shtator, ka thënë se zbatimi i mëtejmë i reformave mundet përfundimisht t’i hapë rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Shërbimet e komisionit do të verifikojnë nëse garancitë e marra janë të mjaftueshme, me një pikëpamje për të filluar dialogun për liberalizimin e vizave në muajt e ardhshëm”, ka thënë ajo në letrën që e ka parë Gazeta JnK.

Ministri Rexhepi thotë se shpreson që dialogu do të fillojë brenda këtij viti. Ai është obliguar t’i raportojë komisioneres europiane edhe një herë deri më 1 dhjetor.

“Dialogu do të jetë temë e vendimit të Këshillit të Ministrave në atë muaj. Ajo ka konfirmuar përparimet tona të deritashme dhe këto janë cekur edhe në raportin e progresit”, ka thënë Rexhepi për Gazeta Jeta në Kosovë.

Kosovarët mbesin qytetarët e vetëm të rajonit me pamundësi për të lëvizur lirshëm dhe pa viza në shtetet e bashkimit europian. Zhvillimi vjen si një hap i rëndësishëm në kohën kur BE u gjend në qendër të kritikave për politikat e saj të painteresuara karshi Kosovës pas zhvillimeve të dhunshme në veri të vendit.

Malmstrom ka cekur se është njoftuar për zbatimin e ligjit të vitit 2010 për ripranimin nga ana e Qeverisë dhe se Kosova është në proces të nënshkrimit të marrëveshjeve të ripranimit me gjashtë shtete europiane përveç marrëveshjeve që janë përfunduar me tetë shtete tjera anëtare të BE’së, dy shtete të asociuara dhe një vend fqinjë.

“Do të inkurajoja fuqimisht qeverinë tuaj të vazhdojë të kujdeset për funksionimin e procedurave të ripranimit me shtetet europiane”, ka vazhduar ajo.

Komisionerja ka numëruar edhe gjetjet pozitive të misionit të ekspertëve siç janë strukturat funksionale institucionale të riintegrimit, trajnimi i stafit përkatës, vetëdija për rëndësinë e riintegrimit dhe qasja e të kthyerve në shërbimet e përkohshme me të arritur në Kosovë.

Malmstrom ka thënë se, megjithatë, kanë mbetur edhe disa mangësi përfshirë edhe ngritjen e zyrave për komunitete dhe kthim në katër komuna të Kosovës.

“Raportimi nga niveli komunal në atë qendror duhet të përmirësohet dhe një mekanizëm duhet të vendoset për të monitoruar qasjen e të kthyerve në shërbimet publike”, ka numëruar Malmstrom kërkesat në të cilat është kërkuar vëmendja e reformës.

“Shpenzimi i Fondit të Riintegrimit duhet të rritet dhe procedurat e fondit të thjeshtohen. Veprime të mëtejme kërkohen për të lehtësuar qasjen e të kthyerve, posaçërisht atyre nga komunitetet, në tregun e punës, edukim dhe mundësitë e aftësimit”.

Syzana Bytyqi-Jagxhiu, zyrtare për media dhe informim në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Europian (ECLO), ka thënë për Gazeta JnK se ‘tash është me rëndësi për Kosovën që urgjentisht të vazhdojë përpjekjet e saj për zbatimin e reformave të identifikuara nga ekipi i ekspertëve dhe të njoftojë Komisionin përkitazi me to deri në dhjetor 2011’.

Ministri Bajram Rexhepi thotë se ‘nëse dialogu fillon në dhjetor, deri në fund të vitit të ardhshëm kosovarët do të mund të udhëtojnë lirshëm dhe pa viza”.

Qeveria e Kosovës ka marrë dritën e gjelbër të fillojë prodhimin e pasaportave biometrikë prej fillimit të muajit të ardhshëm.

Raportet e organeve respektive me Interpolin janë forcuar. Megjithatë, suksesi i dialogut për liberalizim mund të jetë ngushtë i lidhur me kapacitetin e Kosovës për luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit.