Aeroporti i Rijekës, Kroaci.

Aeroporti Ishullor në Kroaci Kthehet në Bazë të Pentagonit për Transport Armësh në Siri

Panorama e zakonshme në aeroportin e Rijekës në ishullin Krk të Kroacisë përbëhet nga linjat ajrore me kosto të ulët të udhëtarëve që janë në kërkim të diellit.

Por prej prillit, pista e tyre është ndarë me aeroplanë të gjerë ngarkesash që të cilët mbartnin municione dhe pajisje ushtarake të paidentifikuara për luftërat e Pentagonit në Lindjen e Mesme, zbuloi Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN.

Gazetarët kanë identifikuar 14 fluturime mallrash gjatë gjashtë muajve të fundit që mbartnin ose mbajnë ende, armë dhe municion të stilit të Bllokut Lindor për llogari të ushtrisë amerikane.

Kontrolli i trafikut ajror në Rijekë nuk pranoi të komentonte mbi ngarkesën e avionëve, por pranoi se kishte pasur “goxha” nga këto fluturime këtë vit.

Shtimi në numër duket të jetë rezultat i vendimit të Pentagonit për devijimin e rrugës së furnizimit të armëve drejt Sirisë, larg Gjermanisë.

Të paktën dhjetë fluturime janë kryer nga prilli prej transportuesve ajrorë të ngarkuar nga Pentagoni prej Rijekës drejt bazës ajrore të SHBA-së në Katar, Al Udeid Air Base, ku udhëtimi i fundit u bë më 25 shtator.

Çdonjëri prej tyre ka përdorur një shenjë të veçantë, ‘CMB’, që u jepet fluturimeve të ngarkuara nga Pentagoni. Para uljes në Rijekë, avionët përdornin një numër komercial fluturimi, gjë që tregon se ngarkesa ushtarake u mor në Kroaci.

Të dhëna të mbledhura nga BIRN sugjerojnë se ngarkesa mund të jenë armë të ish-bllokut Lindor të destinuara për në Lindjen e Mesme.

Katari nuk rezulton si qendër zyrtare për programin e Pentagonit për armatosjen e luftëtarëve kundër-ISIS, por është renditur si selia e operacioneve ajrore të SHBA-së për Sirinë, Irakun dhe Afganistanin.

Të dhënat e fluturimit tregojnë gjithashtu se aeroplanët e ngarkuar për llogari të Pentagonit çojnë zakonisht ngarkesa ushtarake drejt Katarit dhe Kuvajtit, një nga depot e armëve të destinuara për rebelët sirianë.

Në qershor dhe korrik, katër fluturime të tjera u mbajtën për në Rijekë nga linja ajrore Azerbajxhan Silk Way, që cila drejton një flotë avionësh Ilyushin-76 me origjinë ruse.

Dokumentet e rrjedhura nga transportuesi i mallrave tregojnë se këta avionë dërguan municione sovjetike nga Azerbajxhani në bregdetin kroat në emër të Komandës së Operacioneve Speciale të Pentagonit, SOCOM.

Të dhënat që zbulojnë se 16 milionë armë bullgare të destinuara për forcat e mbështetura nga Pentagoni në Siri dhe Irak do të kalonin nga Gjermania, por destinacioni iu ndryshua nga Kroacia.

SOCOM, një degë sekrete e ushtrisë amerikane, blen pajisje për rebelët anti-ISIS në Siri, si dhe për partnerë të tjerë delikatë. Dega është një lojtare kyçe në kanalizimin e 2.2 miliardë dollarëve armë për luftëtarët sirianë nga vendet e ish-Bllokut Lindor.

Transformimi i Rijekës në një qendër për fluturimet ushtarake erdhi pasi SHBA ndaloi furnizimin e armëve këtyre lloj armëve nëpërmjet bazave ushtarake në Gjermani.

Siç raportoi më herët BIRN, emailet e zbuluara nga gazetarët zbuluan se në dhjetor 2016, Pentagoni urdhëroi kontraktuesit që punonin në linjën e furnizimit të ndalonin transportimin e armëve në bazat e ushtrisë amerikane në Gjermani, sepse Berlini ishte bërë “shumë i ndjeshëm” për dërgesat.

Pentagoni ka refuzuar të konfirmojë se kontraktuesit e saj e përdorën Gjermaninë për transferimin e pajisjeve ushtarake në Siri.

Por informacioni i botuar nga Sistemi Federal i të Dhënave të Prokurimeve, një bibliotekë online e shpenzimeve zyrtare të SHBA-së, ofron prova të tjera se Pentagoni i përdorte bazat gjermane, si dhe prova se armët në Siri u dërguan nëpërmjet Kroacisë.

Sipas dokumentit, i cili u gjet në bibliotekën online nga gazetarët e BIRN, Pentagoni porositi rreth 16 milionë dollarë municione bullgare për luftëtarët në Irak dhe Siri në shtator 2016.

Në prill 2017, kjo porosi u ndryshua për të zbuluar se pika e dorëzimit, e cila nuk ishte zbuluar më parë, kishte ndryshuar nga Gjermania në Kroaci.

Mbërritja e ngarkesës në ishullin kroat Krk përkon gjithashtu me kontratën e parë të Pentagonit në këtë dhjetëvjeçar me Agjencinë Alan, ndërmjetësin kroat të armëve shtetërore. Pentagoni nënshkroi një marrëveshje me vlerë 12.4 milionë dollarë për armët e ish-Bllokut Lindor në prill.

Kur u pyet nga BIRN për destinacionin përfundimtar të këtyre armëve, Agjencia Alan hodhi poshtë çdo sugjerim.

“Mohojmë fuqimisht të gjitha përfundimet dhe supozimet nga mesazhet tuaja,” tha agjencia.

 

Aeroporti i Rijekës, Kroaci.

Qeveria kroate dhe Pentagoni nuk iu përgjigjën kërkesave për koment mbi përdorimin e Rijekës si një qendër për fluturimet ushtarake. (Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë dhe agjencia e aviacionit nuk reaguan, ndërsa Ministria e Tregtisë tha se informacioni ishte konfidencial.)

Damir Ruziq, kreu i trafikut ajror në aeroportin e Rijekës, tha: “Ka një arsye pse këto avionë po vijnë këtu. Aeroporti i Rijekës nuk po i merr me zor,” tha ai.

Ruziq shtoi se nuk kishte ankesa për rritjen e fluturimeve të ngarkesave të mëdha.

Por Almira Brtan, e cila jep apartamente pushimi me qira pranë aeroportit, thotë se disa nga bujtësit e saj menduan se “po fillon një luftë” kur fluturuan avionët e ngarkesave, si gjigandi Ilyushin-76.

“Ngrihen në këmbë, duhet t’i qetësojmë dhe t’u shpjegojmë se janë avionë”, tha Brtan.

“Plazhistët ngrihen nga peshqirët për të parë se çfarë po ndodh. Vendasit reagojnë ndaj atyre të mëdhenjve që janë me të vërtetë të zhurmshëm,” shtoi ajo.

Një prokuror publik në Gjermani ka njoftuar se do të kryejë një hetim paraprak për të parë nëse Pentagoni e shkeli ligjin duke u dërguar armë rebelëve sirianë nëpërmjet bazave ajrore të tij në Gjermani pa dokumentacionin e duhur.

Ky veprim erdhi pas publikimit të investigimit nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Süddeutsche Zeitung në shtator.

Ligji gjerman, i bazuar në qëndrimin e BE-së për eksportin e armëve, kërkon që licencat për transportin e armëve të shoqërohen me certifikatat e përdoruesit përfundimtar, që përcaktojnë destinacionin përfundimtar të dërgesës dhe nga kush do të përdoren pajisjet.

BIRN pyeti zyrtarët në Zagreb përse Kroacia ishte e gatshme të pranonte armët e Sirisë, të cilat gjermanët i kishin refuzuar, pavarësisht faktit që të dyja kryeqytetet ndiqnin të njëjtat rregullime të BE-së, por nuk mori përgjigje.

Nuk është hera e parë që Zagrebi ka qenë një partner i dobishëm për përpjekjet amerikane në Siri. Kroacia qe midis vendeve të para që furnizoi me armë rebelët anti-Assad, si pjesë e një kanali të drejtuar nga CIA dhe të financuar nga Saudia.

Në dimrin e vitit 2012, dhjetëra avionë me ngarkesa armësh të periudhës jugosllave, blerë nga sauditët, u larguan nga Zagrebi për në Jordani. Menjëherë pas kësaj, u shfaqën pamjet e para të armëve kroate të përdorura në fushëbetejat siriane.

 

Ky investigim është prodhuar nga BIRN si pjesë e projektit Gjurmimi i Dokumenteve për Qeverisje më të mirë.