Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

A Kanë Bazë Ligjore Gjobat e Larta në Trafik?

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se ka mospërputhje në mes Ligjit të Trafikut Rrugor dhe Ligjit të Kundërvajtjes dhe një Rregulloreje të cilën e ka nxjerrë Ministria e Punëve të Brendshme, e cila i lejon Policisë të shqiptojë gjoba në vend të ngjarjes deri në 500 euro për personat fizikë dhe deri në 1000 euro për personat juridikë.

Kësisoj vihet në pikëpyetje baza ligjore mbi të cilën Policia e Kosovës është duke shqiptuar gjoba të larta në trafik.

Një situatë e tillë i ka vënë në pozitë të paqartë edhe gjykatësit të cilët deri më tani kishin trajtuar rastet e kundërvajtjeve.

“Është punë e ligjvënësit që ka menduar ashtu. Ne veprojmë me ligjin tonë që tani e kemi në fuqi, dhe sipas mendimit tim duhet me u shfuqizua ai nen 259 dhe me e pru me një akt tjetër administrativ dhe se a do të vlen nuk e kam edhe unë të qartë por ligjvënësi e di me mirë”, tha Sefer Gutaj gjyqtari i kundërvajtjeve në Gjykatën e Prizrenit.

Përkundër paqartësive, ai thotë se ligji është duke u zbatuar.

“Aty ka pak dilema edhe te qytetarët sepse me fillimin e këtij viti ka dalë në aplikim Ligji i kundërvajtjeve dhe njëfarë ngatërrimi edhe te Ligji i rregullave të trafikut rrugor, edhe pse na kemi filluar ta zbatojmë Ligjin e kundërvajtjeve”, tha Imri Sejda, gjyqtar i kundërvajtjeve në Gjykatën e Ferizajt.

Nene të ligjeve tjera me Ligjin e kundërvajtjes nuk janë harmonizuar ende edhe pse Ligji për kundërvajtje ka filluar të zbatohet.

Edhe për Policinë e Kosovës e cila është duke zbatuar këto norma situata nuk është e qartë.  Ata thonë se e kanë për obligim të zbatojnë ligjet dhe rregulloret që i kanë në tavolinë, por pa i diskutuar ato.

Jeton Rexhepi nga Policia e Kosovës thotë se Policia është institucion i cili vetëm zbaton ligje që janë ne fuqi.

“Policia e Kosovës është duke i zbatuar ato ligje të cilat janë në fuqi dhe i kanë dhënë policisë së Kosovës kompetenca dhe përgjegjësi për të vepruar sipas tyre”, tha Rexhepi.

Sipas tij, janë institucionet e tjera ato që duhet të flasin pse nuk janë harmonizuar ligjet ndërmjet veti.

“Besoj që institucionet e tjera mund të japin më gjatë apo më tepër se cilat ligje kanë arritur apo në cilat faza janë në ndryshim plotësimin e tyre”, shtoi Rexhepi.

Ministrinë e Infrastrukturës, e cila do të duhej të sqaronte këtë situatë, askush nuk ka pranuar të flasë para kamerës. Ata janë arsyetuar se nuk kanë çfarë të komentojnë për këtë çështje.

“Ju njoftoj se Ministria e Infrastrukturës ka përgatitur pakon e ligjeve të MI për harmonizim me Ligjin për Kundërvajtje, në të cilën pako ligjore është edhe Projektligji për plotësimin edhe ndryshimin e ligjit nr. 05/l-088 për rregullat e trafikut rrugor. Kemi proceduar për miratim në Zyrën Ligjore të Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në përgjigjen e shkurtër të Ministrisë së Infrastrukturës.

Pa komente për këtë çështje është edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka nxjerrë një rregullore e cila përcakton gjobat e trafikut por pa sqaruar nëse kanë pasur bazë ligjore të nxjerrin rregullore e cila përcakton gjobat e një ligji të cilin e ka një ministri tjetër në kompetencë.

”Ministria përkatëse për punë të brendshme, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor, me akt nënligjor nxjerr vendim me anën e të cilit krijohet mekanizëm për inkasim të gjobave dhe çështje të tjera lidhur me to. Në këtë drejtim, nëpërmjet Udhëzimit Administrativ të lartcekur, MPB e ka rregulluar mënyrën e inkasimit të gjobave, përmes masave administrative të përcaktuara në nenin 10 të UA”, thekson Ministria e Punëve të Brendshme.

Ligji i kundërvajtjes dhe ai i komunikacionit rrugor janë në kundërshtim të plotë me njëri- tjetrin, njëri parasheh që polici mund të shqiptojë gjoba deri në 60 euro, e tjetri që polici shqipton gjoba deri në 500 euro.

Defekte të tjera janë parë edhe nga kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren.

“Ka palë që po ankohen zakonisht sepse ka edhe kontradikta ne mes të ligjit për kundërvajtje dhe trafikun rrugor”, theksoi Ymer Hoxha kryetari i Gjykatës së Prizrenit.

Hoxha deklaroi se edhe Policia për shkak të kontradiktave nuk di si të veprojë kur shqipton gjoba.

“Ligji për Rregullat e Komunikacionit Rrugor është ligj më i favorshëm për palët, akoma është në fuqi, nuk është shfuqizuar dhe është problem i Policisë sepse edhe ata kanë hall nuk dinë si të veprojnë”, shtoi Hoxha.

Mosharmonizimi i Ligjit për rregullat e trafikut rrugor dhe Ligjit për kundërvajtje, që ka hyrë në fuqi në muajin janar, po shihet me dilema edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit. Kreu i këtij institucioni, Hilmi Jashari, tha se kjo është shkelje e rëndë.

“Kjo është shkelje e rëndë e këtij parimi të sigurisë juridike që është përgjegjësi në rend të parë e Kuvendit dhe e vetë Qeverisë që merret me zbatimin e ligjeve dhe aq më tepër nëse ka pasë detyrim ligjor për të bërë ndryshimet në pajtim me një ligj që është bërë me vonë. Dhe nëse kjo nuk ndodh qytetarëve në rend të parë u shkelet e drejta”, tha Jashari.

Sipas tij, kjo situatë jep mundësi për keqpërdorim shumë të rëndë të ligjit, zbatuesve të ligjit ose në atë që ka zbatim selektiv të së drejtës dhe është kërcënim shumë i rëndë nga ‘kanceri i sistemit juridik’.

Nene të ligjeve tjera me Ligjin e kundërvajtjes nuk janë  harmonizuar ende edhe pse Ligji për kundërvajtje ka filluar të zbatohet.

Neni 167 i Ligjit për kundërvajtje parasheh qe te gjithat ligjet tjera ne afatin me se largu 1 vjet duhet te harmonizohen me ketë ligj e qe i bie me se largu 01.01.2018.  Ministria e Infrastrukturës edhe pse ka pasur obligim ligjor një gjë të tillë nuk e ka bërë ende.

Në anën tjetër,  Gjykatat Themelore kanë filluar ta shpallin veten jokompetente për pranimin e lëndëve të kundërvajtjes nën 500 euro e Ligji i trafikut rrugor ende vazhdon të mbetet në fuqi.

Emisionin e fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.