Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

A ka nevojë për zgjedhje

Spektri politik është më mirë të angazhohet seriozisht në përmirësimin e ligjit të zgjedhjeve si dhe vënien e parimeve demokratike dhe të drejtësisë në procesin zgjedhor në vend.

Koalicioni qeverisës në Kosovës si duket është duke u mbajtur për një fije të hollë, siç ka njoftuar Gazeta JnK të hënën http://gazetajnk.com/?cid=1,3,160. Mospjesëmarrja e deputetit Fatmir Limaj në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës e ka ulur në 60 numrin e deputetëve të koalicionit qeverisës që i vë fuqitë në parlamentin e Kosovës në një balans shumë të brishtë.

NDËRLIDHUR

Madje, mund të spekulohet se nëse opozita do të mobilizohej dhe të mos paraqitej në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, pra që të mos ketë kuorum për një muaj të tërë, atëherë parlamenti do të duhej të shpërbëhej që të votohej një i ri. Me zëra të pakënaqur edhe në vet koalicionin qeverisës, sidomos nga deputetë që përbëjnë grupin parlamentar të AKR’së, nuk do të ishte larg mendsh që qeveria të rrëzohej edhe nga një votë mosbesimi për të cilën mjafton të votojnë 61 deputetë.

Por, sa ka gjasa të ndodhë kjo dhe a do të kishte Kosova ndonjë dobi nga një zhvillim i tillë?

Nuk është kjo hera e parë që flitet për çarje në koalicionin qeverisës pasi deri tani është raportuar disa herë se AKR është e pakënaqur me ndarjen e pushtetit dhe se mendon të dalë nga koalicioni. Përfaqësues të partive që kishin hyrë në koalicion parazgjedhor me AKR’në, më specifikisht ata të PD’së, janë shprehur të pakënaqur që çështjet e rëndësishme për ta nuk kanë marrë përkrahjen e qeverisë. Por, në të gjitha rastet, PDK, ose më saktësisht Kryeministri Hashim Thaçi është treguar i aftë që të qetësojë partnerët në koalicion dhe të evitojë eskalimin e krizave potenciale.

Ai është treguar i aftë t’i qetësojë edhe të pakënaqurit brenda vet partisë së tij, PDK, dhe të vazhdojë i papenguar. Kryeministri Thaçi ka arritur të promovojë fytyrat e reja të partisë, edhe pse jo gjithmonë e ka pasur përkrahjen e – t’i quajmë – veteranëve të PDK-së. 

Përfaqësuesit e partive që janë në koalicionin qeverisës nuk kanë asnjë garanci që nëse e rrëzojnë këtë qeveri do të fitojnë diç më shumë se sa kanë tani. Për shembull, deputetët e PD’së nuk kanë marrë përkrahje më të madhe nga LDK’ja e AAK’ja për nismën më të rëndësishme për ta, atë për lejimin e mësimit fetar dhe të shamive në shkollat e Kosovës. Për më tepër, edhe PD, edhe “Grupi i Ekspertëve” që përfaqësohet nga Muhamet Mustafa, por edhe vet AKR’ja, mund të rrezikojnë dhe të mbeten fare jashtë Kuvendit nëse shkohet në zgjedhje të reja. Prandaj, këta deputetë mund të kërcënojnë por është e vështirë të paramendohet se do të shkonin aq larg sa vërtet të largoheshin nga koalicioni ose të votonin për rrëzimin e qeverisë pasi rrezikojnë që vet të jenë humbësit më të mëdhenj.

Në anën tjetër, edhe opozita nuk është treguar aq e fuqishme sa të mobilizohet dhe që të rrëzojë qeverinë. LDK, AAK dhe Vetëvendosje duken po aq opozitë kundrejt njëra tjetrës sa edhe kundrejt PDK’së. Edhe pse në përbërjen e kaluar të Kuvendit të Kosovës AAK’ja ishte zëri më i fuqishëm opozitar, me fillimin e fushatës për zgjedhjet e fundit, LDK dhe Vetëvendosje u bënë zëra më të dëgjuar kundër PDK’së se sa AAK-ja. Kjo ka sjellë një rivalitet që vërehet edhe sot në Kuvendin e Kosovës ku pjesëtarët e grupeve parlamentare që duhet të përbëjnë opozitën adresojnë kritika kundër njëra-tjetrës që tregojnë se opozita në të vërtetë nuk paraqet një bllok të bashkuar të aftë të bashkërendojë veprimet e veta.

Partitë opozitare kanë probleme jo vetëm me njëra tjetrën, por edhe përbrenda vet tyre. Në LDK duket se kryetari i partisë, z. Isa Mustafa, nuk ka arritur t’i bëjë reformat me intensitetin dhe shpejtësinë që e ka dëshiruar. AAK’ja ende është pa liderin e saj, z. Ramush Haradinaj, që është duke u gjykuar në Tribunalin e Hagës, që e ka bërë partinë më të cenueshme përbrenda. Vetëvendosja i ka humbur dy vende në parlament pas largimit të anëtarëve të LB’së nga grupi parlamentar, ndonëse ajo sapo i ka përfunduar zgjedhjet e brendshme dhe duket se është bërë një forcë më e konsoliduar. Megjithatë, nuk është e pavend pyetja nëse këto parti janë vërtetë të gatshme për zgjedhje të reja në Kosovë, pa marrë parasysh sa i dëshirojnë këto.

Sa për 6 deputetët që nuk i përkasin asnjë grupi parlamentar dhe që vijnë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, është vështirë të shihet se çfarë interesi mund të kenë nga ndryshimet në qeveri. Përveç se edhe këta rrezikojnë t’i humbin vendet që i kanë në Kuvend, as partitë opozitare nuk janë treguar më të kujdesshme ndaj tyre se sa PDK’ja, që pastaj këta të dëshirojnë ndryshimet në qeveri.

Pyetje edhe më e rëndësishme se të gjitha këto është ajo nëse Kosova do të kishte ndonjë dobi nga rënia e qeverisë brenda 30 ditëve dhe zgjedhjet e reja një vit pas atyre të fundit. Pa hyrë në debatin se a është e mirë kjo qeveri ose jo, mund të thuhet se zgjedhjet e reja nuk janë lëvizja më e nevojshme për Kosovën tani. Në vend të zgjedhjeve të reja, spektri politik i Kosovës është më mirë të angazhohet seriozisht në përmirësimin e Ligjit të zgjedhjeve në Kosovë dhe vënien e parimeve demokratike dhe të drejtësisë në procesin e zgjedhjeve. Zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë qenë më të këqijat që i ka pasur Kosova deri tash. Vjedhja e votave, siç janë shprehur edhe vëzhgues ndërkombëtarë, ka qenë e shkallës industriale. Sistemi me lista të hapura dhe me 10 ose 5 pikë për secilin votues është në fakt i gjymtë dhe ka dështuar të bëjë mu atë që ka pasur si synim primar dhe e ka lënë liderin e partisë si më të fuqishmin që ende vendos kush do të jetë në krye të listës dhe rrjedhimisht kush do të marrë më shumë vota. Plot mangësi ka pasur edhe procesi i monitorimit të zgjedhjeve si dhe ndëshkimi i atyre që kanë vjedhur ose manipuluar votat. Nga e tërë hajnia e shkallës industriale janë ndëshkuar vetëm një grusht njerëzish dhe atë me gjoba deri në 500 Euro. Vështirë që kjo do ta bindë dikë që të mos bëhet pjesë e vjedhjes së votës në zgjedhjet e ardhshme.

Mos të harrojmë edhe se PDK, AKR si partnerë kryesorë në koalicion dhe LDK si partia më e madhe opozitare, kur janë pajtuar për zgjedhjen për President të Kosovës, janë marrë vesh edhe që të ketë zgjedhje të reja në vitin 2012, që është krejt afër. Prandaj, për t’i bërë mirë Kosovës, në vend të zgjedhjeve të menjëhershme, klasa politike në Kosovë duhet të përqendrohet në përmirësimin e kornizës në të cilën zhvillohen zgjedhjet dhe zhvillohet demokracia në Kosovë.

 

ETIKETA

06 Tetor 2011 - 10:44 am

Ardian Arifaj 06/10/2011 - 10:44 am
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0