Ilustrimi: Trembelat

A Duhet ta Regjistroj Qëndrimin Tim të Përkohshëm në Kosovë?

Kam dëgjuar diçka të ngjashme të paktën disa herë gjatë vitit të kaluar: “Në Kosovë, është më e lehtë të jetosh ilegalisht se sa të regjistrohesh”.

Natyrisht, shumica e vendeve kanë procese burokratike dhe të komplikuara të regjistrimit për shtetasit e huaj që shpresojnë të jetojnë dhe punojnë në sistemet e tyre, ku proceset ligjore shpesh shënohen nga pabarazitë dhe diskriminimi. Në Kosovë, edhe njerëzit me rrënjë të thella që duan të kërkojnë të drejtën e tyre për shtetësi ose vendbanim mund të ballafaqohen me pengesa kur bëhet fjalë për marrjen e dokumenteve shtetërore.

Ndërkohë, shumë banorë të huaj nuk regjistrojnë qëndrimet e tyre, qoftë për shkak të moskuptimit të ligjit, mosinteresimit për procesin e komplikuar, dhe për disa, një ndjenjë e përgjithshme që për shkak të privilegjit të shtetësisë perëndimore, problemet eventuale në lidhje me migrimin ilegal nuk do t’i afektojnë. Dhe për shumë të huaj të paregjistruar që kanë jetuar në Kosovë që nga miratimi i Ligjit për të Huajt në vitin 2013, kështu edhe ka qenë në të vërtetë.

Ligji për të Huajt parashikon që të huajt (të cilët hyjnë pa pasur nevojë për vizë) mund të qëndrojnë në Kosovë për një periudhë prej tre muajsh brenda një periudhe gjashtë mujore.

Ekziston një ide e gabuar në mes të hujave që kur të largohen nga vendi, për shembull, për një udhëtim në fundjavë në Shkup, leja tremujore fillon sërish sapo të hyjnë në Kosovë. Kjo s’është kështu. Një hyrje në Kosovë konsiderohet e paligjshme nëse personi ka shfrytëzuar tashmë këtë leje tre mujore brenda një periudhe gjashtëmujore, dhe, leja e qëndrimit edhe për tre muaj të tjerë për një person fillon përsëri vetëm pas gjashtë muajve nga data e hyrjes së parë.

Megjithatë, jo të gjithë të huajt duhet të regjistrohen. Shumë ndërkombëtarë në Prishtinë janë të mbrojtur nën ‘imunitetin diplomatik’, një privilegj që u zgjatet edhe bashkëshortëve të tyre. Për fat të keq, nuk ekziston një listë në internet për të kontrolluar se cilat organizata kanë këtë imunitet, por sipas Valon Krasniqit, drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, DShAM, këtu përfshihen misionet si KFOR, Zyra e BE-së, USAID, dhe EULEX.

Ka kategori të tjera të njerëzve që duhet të regjistrohen e që janë të përshkruara qartë në ligj, siç janë punonjësit e OJQ-ve vendase, të vetëpunësuarit, nënkontraktorët (p.sh. personat e përfshirë në ndërtimin e ambasadave), studentët dhe studiuesit (madje edhe ata në programet për shkëmbim të financuara nga ambasada).

Të huajt aplikojnë për qëndrim në DShAM, e cila ndodhet në Prishtinë dhe operon nën Ministrinë e Punëve të Brendshme, MPB.

Në vitin 2016 u regjistrova si punonjëse lokale dhe procesi ishte frustrues dhe hutues, por i realizueshëm. U regjistrova për një leje të bazuar në punësim (opsione të tjera përfshijnë bashkimin familjar, arsimin e mesëm dhe të lartë, kërkimin shkencor, për arsye humanitare, të cilat përfshijnë refugjatët dhe viktimat e trafikimit). Pata sjellë dokumentet e kërkuara: kontratën time të punës, pasaportën, deklaratën bankare, një letër të lëshuar në Kosovë që deklaron adresën time ku jetoja me partnerin tim dhe një letër “që tregon se personi nuk është i dënuar … [ose] nuk është nën hetime nga shteti.”

Që kur u regjistrova për herë të parë, dokumenti i fundit duhej të lëshohej nga vendi im. Një mik i imi kishte kaluar nëpër këtë proces duke ofruar një raport të Policisë federale të Amerikës, një tjetër mik thjesht kishte shtypur një letër të paklasifikueshme të lëshuar nga një sajt në internet që bën kontroll të prapavisë kriminale. Unë zgjodha diçka në mes: babai im më dërgoi një letër të skenuar të lëshuar nga gjykata e shtetit tim në Amerikë ku thuhej se nuk kisha raste të hapura. Pavarësisht se nuk ishte një kopje origjinale, ajo u pranua.

U deshën disa javë dhe sigurisht që u përballa me qëndrime shpërfillëse të punonjësve të departamentit, por kjo është burokracia. Por, procesi disi frustrues herën e parë, u bë një rrëmujë institucionale jofunksionale kur u regjistrova përsëri një vit më vonë (me që ra fjala, është një hollësi e vogël në ligj që është e rëndësishme të dihet: në mënyrë që të zgjasësh lejen e qëndrimit, duhet të paraqitni kërkesën tuaj në DShAM jo më vonë se 30 ditë para skadimit të afatit të lejes tuaj aktuale. Disa shtetas me të cilët kam folur janë gjobitur për shkak se nuk e kanë përmbusur këtë kërkesë.) Në secilën prej vajtjeve të mia në DShAM, kishte radhë të gjata jashtë derës së zyres me shtetas të huaj, të rinj dhe të moshuar, shumica të shoqëruar nga folës të gjuhës shqipe për t’i ndihmuar ata gjatë procesit.

Nuk do t’ju mërzis më shumë me detajet e përvojës sime personale, por do të them që pas vizitës në DShAM për disa herë dhe orëve të panumërta të pritjes në radhë me të tjerët, përgatituni për përplasje gjatë procesit. Kjo mund të ndodhë për shkak të se ju keni keqkuptuar se cilat dokumentet kërkohen ose për shkak se zyra është jo funksionale për brenda (zyra e cila është e hapur vetëm nga ora 9:00 deri në orën 15:00 me përjashtim të pushimit një orësh të drekës në orën 12:00).

Ilustrimi: Trembelat

Përvoja juaj mund të ndikohet nga kombësia juaj ose përkatësia etnike. Për shembull, një studente turke me të cilën fola, kishte udhëtuar nga Prizrnei në Prishtinë për të marrë lejen e qëndrimit, u largua me lot pasi kishte qëndruar në radhë të pritjes me orë të tëra, duke u qortuar dhe mosrespektuar nga stafi kur u tha se e kishte harruar pasaportën e saj. Në ndërkohë, në të njëjtën ditë, miqve të mi amerikanë as që iu kërkua pasaporta.

Një tjetër mike e imja kishte kërkuar bashkim familjar. Një i huaj duhet të qëndrojë ligjërisht në Kosovë për të paktën dy vjet para se të ketë të drejtën për të sjellë anëtarët e familjes në Kosovë, duke përfshirë edhe bashkëshortin. Për shtetasit që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në vend, ne ndoshta të gjithë e njohim dikë që punon në Kosovë, e që ka sjellë bashkëshortin apo bashkëshorten për të jetuar me të pavarësisht se nuk e ka përmbushur minimumin dy vjeçar të qëndrimit. Një shoqe e imja amerikane, nga ana tjetër, donte të regjistronte bashkëshortin e saj dhe babain e fëmijës së saj të vogël, një qytetar pakistanez dhe mbajtës i kartonit të gjelbër amerikan, por në mënyrë të qartë iu tha se ishte e pamundur dhe ishte kundër ligjit të Kosovës. Ai u lejua të qëndrojë për tre muajt që i ishin caktuar atij me vizë para hyrjes, dhe pas kësaj, iu desh të largohej nga Kosova.

Ekziston edhe një mospërputhje e madhe në atë se kush raportohet nëse nuk e respekton ligjin. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, njerëzit që u dëbuan në vitin 2017 për mosrespektim të ligjit ishin shtetas të vendeve në vijim: Shqipëria  (shumica dërrmuese), Kolumbia, Turqia, Bullgaria, Filipinet, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Armenia dhe Serbia. Vini re se kush nuk është në listë: shumë nga miqtë tanë të paregjistruar nga vende si ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca.

Disa zgjedhin të mos regjistrohen, sepse ata janë të bindur se privilegji i tyre kombëtar do t’u lejojë atyre lehtësisht të qëndrojnë pa dokumente sipas ligjit të Kosovës. Por qeveria po dështon gjithashtu të bëjë punën e vet, sepse shërbimet dhe komunikimi janë të organizuara keq.

Për shembull, Ministria e Brendshme nuk është e sigurtë se çfarë të bëjë me praktikantët e shumtë në vend që punojnë në misionet me imunitet diplomatik. Në një përgjigje, ministria tha se nuk ka pasur kurrë një kërkesë në këtë drejtim, por sipas mendimit të tyre, regjistrimi i praktikantëve në misionet diplomatike dhe ndërkombëtare duhet të kërkohet sipas nenit 57 të Ligjit për të Huajt, i cili adreson praktikën dhe programet për shkëmbimin e studentëve.

Ka pasur një rritje të aplikacioneve për qëndrim pasi mediat raportuan në fund të vitit 2016 për qytetarët shqiptarë që punonin në Kosovë të cilët u deportuaan për shkak se nuk ishin regjistruar. Në vitin 2017, sipas MPB-së, kishte 1,000 aplikime për leje-qëndrim më shumë sesa në vitin 2016, megjithëse DShAM kishte të njëjtin staf, buxhet dhe infrastrukturë të dobët (një ndërtesë e vogël që nuk ka shtrojë, sistem biletarie dhe ngrohje qendrore). Ndërtesa ka nevojë për më shumë fonde dhe më shumë punonjës me trajnim më të ndjeshëm, pasi mbulon shërbime të rëndësishme për të kthyerit, azilkërkuesit, shërbimet e shtetësisë dhe qëndrimit.

Por, duke jetuar në këtë botë të kufijve, njerëzit me privilegj të shtetësisë duhet ta trajtojnë ligjin e Kosovës si në çdo vend tjetër që shpresojmë të jetojmë, punojmë dhe studiojmë. Plus, gjithmonë ekziston mundësia që ju të përballeni me gjoba ose më keq.