A do të Kemi edhe një Dron Ndaj Kombëtares Serbe?

Është 8 tetori, dita e enjte.

Jemi të gjithë në pritje të ndeshjes Shqipëri-Serbi, e cila mund të shënojë suksesin, por edhe zhgënjimin historik.

Në kohën e fundit, javën e fundit, sidomos në ditët e fundit kemi diskutuar me shokët, kolegët, familjarët, tjerët se a do te kemi edhe një dron të lëshuar në këtë ndeshje?

Por kësaj radhe, nuk po flasim për dronin e llojit si ai i lëshuar në Serbi nga “Ballisti” që dorën në zemër për mua ishte një nga aktivitetet më të mira që ka mundur të ndodhë atë natë në këtë shtet.
 “Cista provokacija”, ama e ëmbël dhe e pranueshme.

Këtë radhë, droni që duhet lëshuar në Stadiumin “Elbasan Arena” duhet të jetë fitorja e Kombëtares Kuq e Zi.

Këtë radhë, nuk duhet të kemi një dron, por 11 lojtarë në fushë dhe të tjerët në bankinë të gatshëm për të kontribuuar në fitore, duke treguar mençuri, pjekuri, gjakftohtësi, kreativitet, profesionalizëm.

Kësaj radhe, nuk na duhet vetëm një dron, por 12 mijë kuq e zinj në tribuna që me mirësjellje, profesionalizëm, me këngë do të përkrahnin ekipin kombëtar drejt aderimit në “France Euro 16”, ashtu siç dinë ata të cilët kanë përcjellë kombëtaren ne çdo hap të saj, në borë, shi, hidhërim, gëzim, edhe atëherë kur kombëtarja jonë ishte e fundit në grup dhe ndeshjet nuk kishin ndonjë domethënie, prandaj të gjithë duhet të jemi drona.

Është më se normale dhe e arsyeshme të kërkojmë fitore nga ekipi i kombëtares. Vetëm fitorja është opsion,është jetë a vdekje, jo sepse luajmë kundër Serbisë, gjë që nuk e mohoj që është një motiv shtesë.

Por sepse pas fitores së Shqipërisë ndaj Portugalisë në stadiumin e tyre, pas dy barazimeve me danezët, pas lojës së bukur të shfaqur ne Beograd kundër Serbisë (jam i sigurt që po të mos ndërpritej ndeshja, do të mposhtnim edhe kombëtaren serbe), si dhe pas fitores në ndeshjen miqësore ndaj Francës (kampione e botës në “Franca 1998”, si dhe kampione e Evropës në “ Euro 2000”), sigurimi i pozitës/vendit të tretë në grupin kualifikues ( sigurimi i pjesëmarrjes në “play-of” që dërgon në Francë) nuk do të ishte rezultat i kënaqshëm për ne, por edhe për Kombëtaren.

Kemi shanset tona, kemi kualitetin, kemi përkrahjen e të gjithë kombit, mbi të gjitha besimin, optimizmi dhe dëshira janë si kurrë më parë të pranishme te ne.

Andaj si kurrë më parë, të enjten dikush me flamuj, dikush me birra, kemi arsye të festojmë dhe të bëhemi gati për Francë. Normalisht nëse deri atëherë kjo qeveri e jona me plot gojën për integrime evropiane na mundëson të lëvizim lirshëm, pa viza.

Fitore, fitore dhe vetëm fitore! Me Kombëtaren, me kuqezinjtë.