50 Mijë të Pranishëm në Përvjetorin e Srebrenicës

Rreth 50 mijë njerëz u mblodhën të enjten për të shënuar 18 vjetorin e masakrave të Srebrenicës, ndërsa u varrosën edhe 409 viktima të gjenocidit në Srebrenicë afër qendrës përkujtimore në Potoçari.

Sipas të dhënave zyrtare, në mesin e të viktimave që u varrosën në Potoçari ishin edhe 44 djem të moshave ndërmjet 14 dhe 18 vjeç dhe tri femra, njëra prej të cilave ishte bebe.

Kishte edhe njerëz që kishin udhëtuar nga Kroacia e Serbia për të marrë pjesë në përkujtim, disa prej tyre kishin ardhur në këmbë, disa me biçikleta dhe të tjerë me motoçikleta.

Kryetari i bordit përkujtimor, Qamil Durakoviq, tha se kjo ishte dita  më e shenjtë dhe më e trishtë për të.

“Të gjithë ju që gjendeni këtu, kërkoj që të mos na harroni nesër,” tha Durakoviq.

“Ju lus që të përdorni ndikimin tuaj dhe të punoni për ta bërë Srebrenicën një vend të paqes dhe tolerancës, që do të shërbente si një mesazh i fortë që kurrë më një gjë e tillë të mos përsëritet, pasi këtë e meritojnë familjet e viktimave”, tha ai.

Ambasadori amerikan në Sarajevë, Patrik Moon gjithashtu bëri homazhe  në qendrën përkujtimore dhe premtoi se vendi i tij gjithmonë do të “kundërshtojnë zërat të cilët mohojnë gjenocidin dhe karakterin multi-etnik të Bosnjë e Hercegovinës”.

“Ndjekjet penale janë të rëndësishme për t’i gjetur ata që janë përgjegjës për gjenocid. Gjykimet e  [udhëheqësve politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës gjatë luftës] Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq janë një pjesë e këtij procesi. Të gjithë ata që veprojnë në përputhje me kodin e lartë moral, duhet ta pranojnë se ka ndodhur gjenocid në korrik të vitit 1995 dhe se ata që janë përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë “, tha Moon.

Zumra Sehomeroviq, nga shoqata e viktimave ‘Nënat e Srebrenicës dhe Zhepës, burri i së cilës u vra në masakrën e vitit 1995, tha se kishte ardhur aty për shkak se kjo ditë i  kujton asaj se çfarë kishte ndodhur 18 vjet më parë, kur ajo ishte në Potoçari.

“Shoh një lumë njerëzish dhe kjo më kujton atë që ka ndodhur në korrik të vitit1995. Kjo është e tmerrshme, e dhimbshme … Nuk mund t’ua shpjegoj njerëzve dhembjen dhe pikëllimin tim, kur shoh tmerrin dhe  vuajtjet e të gjithë këtyre varreve”, tha Sehomeroviq.

Bakir Izetbegoviq, anëtari boshnjak i presidencës tripalëshe të vendit, tha se asnjë qenie normale njerëzore nuk mund të kuptojë urrejtjen që çoi në vrasjen e mijëra njerëzve, vetëm pse ata ishin myslimanë.

“Srebrenica gjithmonë do të jetë një njollë e errët në dorën e bashkësisë ndërkombëtare, pasi vrasjet kanë ndodhur në të ashtuquajturën zonë e mbrojtur”, ka thënë Izetbegoviq.

Tetëmbëdhjetë vjet më parë, forcat ushtarake e policore të udhëhequra nga entiteti serb i Bosnjës, Republika Srpska, sulmuan ‘zonën e sigurt’ të Srebrenicës, e cila ishte nën mbrojtjen e OKB-së dhe vranë rreth shtatë mijë burra e djem, ndërsa dëbuan me forcë rreth 30 mijë gra, fëmijë dhe pleq.

Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi, ICTY, i ka definuar krimet në Srebrenicë si gjenocid në disa prej vendimeve të tij.

ICTY-ja dhe gjykata shtetërore boshnjake deri më tani kanë dhënë dënime me burg prej më shumë se 500 vjetësh për krime lufte në Srebrenicë.

Gjykime të tjera për gjenocid po vazhdojnë ende, duke përfshirë gjykimin e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Republikës Srpska, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq.

Ky shkrim është botuar në Balkan Transitional Justice, pjesë e Balkan Insight