151 Tonë Antibiotikë Importohen nga Kosova

Mbi 6 mijë tonë barna u importuan për dy vjet në Kosovë, vlera e të cilave kalon 110 milionë euro.

Sasia e barnave të importuara në vitin 2016 dhe 2017 është rritur për 3 për qind.

Në bazë të dhënave të grumbulluara, i bie që për periudhën dyvjeçare 2016 dhe 2017 rreth 4.2 tonë barna çdo ditë kanë hyrë në Kosovë.

Në raport me popullsinë e përgjithshme rezidente në vend prej 1.78 milion banorëve i bie që importohet mesatarisht rreth 1.7 kilogram ilaçe në vit për kokë banori. Por, kjo nuk e tregon sasinë e konsumimit të barnave meqë Kosova ka edhe prodhime vendore të barnave.

Në vitin 2016 në Kosovë u importuan rreth 2,989 tonë barna të llojeve të ndryshme. Sasia e barnave të importuara në Kosovë kishte vlerë rreth 56.6 milionë euro prej të cilave, taksa të mbledhura në kufi rezultuan rreth 3.5 milionë euro.

Në bazë të dhënave të dhënave të siguruara nga Dogana e Kosovës dhe përshkrimeve të dhëna nga ky institucion vërehet se në importin e lartpërmendur të barnave, sipas përmbajtjes së medikamenteve, kontribut po japin medikamentet që përmbajnë antibiotikë me një sasi të importit prej 151.9 tonë duke mos anashkaluar 51.9 tonë medikamenteve me përmbajtje të penicilinës dhe derivateve prej tyre.

Në vitin 2017, sasia e importit të barnave veç së është rritur por vlera e saj ishte më e ulët. Tregu i jashtëm duket të ketë ndikuar që me më pak para të blihen më shumë barna në krahasim me një vit më parë.

Në vitin 2017, në Kosovë hynë 3,084 tonë duke shënuar një rritje prej 3 për qind më tepër në krahasim me vitin paraprak. Barnat kishin vlerë të importit rreth 53.5 milionë euro ku nga taksa prej importit të këtyre barnave për buxhetin e vendit u inkasuan rreth 3.48 milionë euro.

Sipas të dhënave të Doganës, për nga përmbajtja e medikamenteve një pjesëmarrje të konsiderueshme në importin e përgjithshëm në këtë vit luajnë edhe produktet të cilat përmbajnë antibiotikë rreth 107.9 tonë me një rënie prej 29 për qind në krahasim me vitin 2016.

Të dhënat për medikamente, Dogana i kodifikon medikamente të dozuar për shitje me pakicë dhe me shifër përkatëse.

Në përgjigjen për Gazetën Jeta në Kosovë, Dogana thotë se të dhënat i trajton më shumë në aspektin e sasisë, vlerës dhe taksave.

Por në Kosovë nuk dihet sa është vlera e barnave të cilat qarkullojnë në tregun e zi.

Së fundmi, Policia kufitare e Kosovë ka konfiskuar barna me afat të skaduar dhe me banderola të Serbisë në vlerë prej 20 mijë eurove.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar vazhdimisht për mungesën e barnave që ballafaqohen pacientët në institucionet shëndetësore të Kosovës. Artikujt mund t’i gjeni në këtë link.