Debat Pernime, Mitrovicë. Foto: Kallxo.com

42 Kandidatë nuk e Kanë Regjistruar Pronën Bashkë me Gratë

Analiza e të dhënave të mbledhura gjatë 30 debateve zgjedhore tregon se  32 prej kandidatëve janë përgjigjur se ende pasuria është e bashkësisë familjare, 16 prej kandidatëve janë përgjigjur se e ka të regjistruar pasurinë si të përbashkët ose kanë pasuri edhe në emër të bashkëshortes. Dy prej tyre kanë deklaruar se nuk kanë pasuri të tyren dhe rrjedhimisht nuk mund ta regjistrojnë si të përbashkët dhe dy të tjerë kanë deklaruar se pasuria është në emër të fëmijëve të tyre.

Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale, i kanë propozuar Qeverisë së Republikës së Kosovës në fillim të vitit 2016 miratimin e udhëzimit administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët, në emër të dy bashkëshortëve, pa pagesë.

Qeveria e ka miratuar këtë iniciativë duke e parë si faktor të rëndësishëm inkurajimin çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të pronës në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Ndonëse udhëzimi administrativ i vitit 2016 i liron nga pagesa çiftet bashkëshortore që i regjistrojnë pronat për herë të parë, ka dallime në mënyrat se si komunat e kanë adaptuar këtë të fundit.

Sipas të dhënave statistikore të organizatës “Polis” në 6-mujorin e parë të vitit 2017 ka pasur rritje të regjistrimeve të pronës në emër të përbashkët vetëm te komuna e Fushë-Kosovës, Drenasit dhe Obiliqit.

Ndërkaq, komunat e tjera të hulumtuara: Kaçaniku, Lipjani, Hani i Elezit, Shtimja, Shtërpca, Prishtina, Ferizaj kanë pasur ulje të numrit të çifteve që e kanë regjistruar pronën e përbashkët.

Në vitin 2015 tek regjistrimi i pronës në emër të dy bashkëshortëve në komunat e regjionit të Prishtinës dhe Ferizajt kanë qenë vetëm 108 prona. Ndërsa në vitin 2016 ka pasur rritje në krahasim me vitet paraprake, pasi që numri i pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve ka shkuar në 524. Në 6 mujorin e parë të vitit 2017, në regjionin e Prishtinës dhe të Ferizajt janë përafërsisht rreth 382 prona të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve.

Politika e lirimit nga pagesa për regjistrimin e pronave në emër të përbashkët është vazhduar deri në prill të vitit 2018.

Si vazhdim i fushatës për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët, Jeta Xharra në debatet zgjedhore 2017-të ua ka parashtruar kandidatëve për kryetar të komunave të Kosovës pyetjen se a e kanë ata pronën në emër të përbashkët me bashkëshortët e tyre dhe nëse nuk e kanë kur do ta bëjnë këtë.

Komuna e Podujevës  

Në Komunën e Podujevës asnjëri nga kandidatët për kryetar të komunës nuk e kanë të regjistruar pronën në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Agim Veliu, ka thënë se ai pronën e ka të regjistruar në emrin e tij.

“Prona është në emrin tim. Premtoj që do ta regjistroj edhe në emrin e bashkëshortes. Nuk mund të caktoj datë por besoj që shumë shpejtë. Po, mundemi edhe në 2017-ën” ka thënë ai.

Ajet Potera nga Vetëvendosje ka thënë që prona është e regjistruar në emër babait të tij, nuk është e përkthyer në emrin e tij kështu që ai nuk mund ta regjistroj si pronë të përbashkët me bashkëshorten.

Edhe kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Podujevës, Hajredin Hyseni ka deklaruar se e prona është e regjistruar vetëm në emrin e tij.

“Prona është në emrin tim dhe do ta respektoj ligjin dhe do ta regjistroj edhe në emrin e bashkëshortes menjëherë pas zgjedhjeve” ka potencuar Hyseni.

As Xhevdet Maloku nga Fjala nuk e ka të regjistruar pronën në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij por ai është shprehur se në të ardhmen do t’i regjistroj pronat qysh e përcakton ligji.

Komuna e Pejës   

Nga kandidatët për kryetar të komunës së Pejës, Bashkim Nurboja nga VV dhe Gazmend Muhaxheri nga LDK nuk i kanë pronat e regjistruara në emër të përbashkët. Po përderisa Nurboja nga VV ka deklaruar se mund të regjistrohet prona në emër të përbashkët, Muhaxheri ka thënë se është tradicional dhe nuk do ta bëj këtë.

“Shumicën e pronës e kemi ende në emër të babës, një pronë që e kam në Prishtinë, një tokë, atë e kam ble para se me u martu, ka mbetur ashtu, nuk kemi mendu, nuk e kemi diskutu atë çështje. Bon në emër të të dyve qysh nuk bon” është shprehur Bashkim Nurboja.

E Gazmend Muhaxheri nga LDK në Debati Zgjedhor për Kryetar të Komunës 2017ka thënë se prona që është e përbashkët është e përbashkët kurse ajo që është blerë ndaras është e ndarë.

“Nuk e besoj, jam tradicional e i vendosi në emrin tim e jo në emër të tjerëve. Atë çka e blejmë bashkërisht është e përbashkët, atë që e blejmë ndaras është e ndarë” ka thënë Muhaxheri.

Eneida Kelmendi nga Fjala ka deklaruar që prona është në emër të bashkësisë familjare kështu që numd të regjistrohet në emër të përbashkët me bashkëshortin e saj.

Kandidati nga radhët e AAK-së, Fatmir Gashi ka deklaruar që një pjesë e pasurisë është në emër të gruas së tij.

“Në emër të gruas është regjistruar një pjesë, ambullanta e saj është në emër të gruas kurse ligji e ka rregullu tani pronën nuk mund ta tjetërsoj askush pa nënshkrim edhe të gruas, po do ja qes krejt mbi to se kam atë problem hiq” është shprehur Gashi.

Kandidati për kryetar të Pejës nga radhët e Alternativës, Reshat Nurboja ka deklaruar që pasuria e tij është në emër të fëmijëve të tij. Dhe e vetmja kandidate e cila e ka pasurinë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortin është kandidatja e PDK-së, Sabiha Shala.

Komuna e Fushë Kosovës

Në komunën e Fushë Kosovës pesë prej kandidatëve nuk e kanë të regjistruar pronën në emër të përbashkët dhe vetëm njëri prej tyre e ka veturën në emër të gruas së tij.

Adem Zogjani nga PDK edhe pse nuk e ka pasurinë në emër të përbashkët me bashkëshorten ka premtuar se nëse e merr mandatin, në ditën e parë do ta regjistroj pronën në emër të përbashkët.

“Shumë shpejt mundem me qit pse jo ai është problemi ma i vogël. Ta garantoj, po e them edhe publikisht, nëse e marr mandatin në ditën e parë që shkoj në komunë do të shkoj me regjistru pronën krejt në emër të gruas” ka potencuar Zogjani.

Ndërsa Ahmet Grajqevci kandidati për kryetar të Fushë Kosovës nga AAK ka thënë se prona është në emrin e tij por që nuk e ka problem ta regjistroj edhe në emër të bashkëshortes.

“Prona është në emrin tim në fshatin Hade. More unë tash si ta marr ofiqarin ja jap krejt jo veq të përbashkët. Edhe xhipin ja kisha dhënë veq s’di me vozitë” shtoi Grajqevci.

Kandidati Avni Zogiani nga VV ka thënë se shtëpia është në emrin e tij por se ai i di obligimet dhe se do ta ndaj në dysh çdo pasuri.

Kurse Burim Berisha nga LDK ka refuzuar ta regjistroj pronën në emrin e përbashkët me bashkëshorten pasi shtëpia e është e ndërtuar me kontributin e tij.

Driton Ademi nga Nisma ka thënë se kur e ka regjistruar pronën në emrin e tij nuk ka ekzistuar ligji aktual por se tani do të veproj në bazë të ligjit.

Kandidati i AKR-së për kryetar të Fushë Kosovës, Isuf Ahmeti është shprehur se prona është në emrin e tij por që pajtohet që ajo të ndahet edhe me bashkëshorten.

“Prona është në emrin tim, edhe ajo është pajtuar që prona të jetë në emrin tim. Nëse ligji është ashtu atëherë pajtohem” ka deklaruar Ahmeti.

Komuna e Prizrenit

Në komunën e dytë më të madhe në Kosovë nga pesë kandidatët që ishin pjesë e Debati Zgjedhor për Kryetar të Komunës 2017 dy prej tyre e kanë pronën e përbashkët me bashkëshortet e tyre, dy nuk e kanë dhe njëri prej tyre e ka pronën në emër të babait të tij.

Lulzim Kabashi, kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Prizrenit është shprehur se nuk e kanë pronën e përbashkët me gruan por e ka premtuar se do ta bëj këtë.

Kurse Shaqir Totaj nga PDK se në të ardhmen çdo pronë që do ta krijojnë së bashku do ta regjistrojnë së bashku me bashkëshorten.

E kandidati i Vetëvendosjes Mytaher Haskuka ka deklaruar se nga dy pronat që i kanë blerë, njëra është në emrin e tij e njëra është në emër të bashkëshortes së tij. E njëjta është edhe me Osman Krasniqin nga AKR i cili në Debati Zgjedhor për Kryetar të Komunës 2017ka thënë se një pronë është në emrin e bashkëshortes e tjetra kur të transferohet prej babait do të regjistrohet në emër të përbashkët.

Nexhmedin Ramadani nga Fjala ka deklaruar se prona është e regjistruar në emrin e babait të tij por kur të bartet te ai patjetër që do të regjistrohet në emër të përbashkët.

 Komuna e Deçanit   

Komuna nga Rrafshi i Dukagjinit e cila ka rreth 40 mijë banorë do të qeveriset nga njëri prej pesë kandidatëve prej të cilëve dy nuk e kanë të regjistruar pronën në emrin e përbashkët dhe tre prej tyre ende e kanë pasurinë e regjistruar në emër të familjes.

Bashkim Ramosaj nga radhët e AAK-së, Blerand Kadrijaj nga PDK dhe Shkodran Imeraj nga Nisma në Debati Zgjedhor për Kryetar të Komunës 2017në Deçan kanë deklaruar se pronat e tyre nuk janë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre pasi ato janë emër të familje e jo në emër të tyre. Por ata kanë premtuar që kur prona të transferohet në emrin e tyre ata do ta regjistrojnë në emër të përbashkët.

Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Deçanit, Mal Lokaj nuk e ka të regjistruar pronën në emër të përbashkët.

“Pronën do ta regjistroj në bazë të ligjit, edhe në emër të gruas edhe në emrin tim. Do ta bëj shumë shpejtë. Në vitin 2018-të  ndoshta edhe 2017-të shumë shpejtë” është shprehur ai.

Edhe Zekë Sinanaj nga Vetëvendosje ka deklaruar se pronat janë vetëm në emrin e tij.

“Shtëpia në Isniq në emrin tim, banesa në Prishtinë në emrin e pronarit i cili është jashtë Kosovës, posa të vjen do ta bartim në emrin e përbashkët” ka potencuar Sinanaj.

Komuna e Drenasit   

Në komunën ku zgjedhjet lokale janë mbajtur disa muaj më parë, nga tetë kandidatët që ishin pjesë e debatit për komunën e Drenasit vetëm Arta Ahmeti – Gjylani nga AAK dhe Ramiz Lladrovci nga PDK kanë deklaruar se e kanë pronën në emër të përbashkët me bashkëshortët e tyre.

Katër kandidatët e tjerë kanë deklaruar se pasurinë e kanë të regjistruar në emër të familjes.

Njëri nga ta ka deklaruar se e ka pasurinë të regjistruar në emrin e tij dhe njëri që gjysmën e ka të deklaruar si të përbashkët e gjysmën jo.

Arta Ahmeti – Gjylani, kandidate nga AAK ka thëse se ajo është juriste me profesion dhe se i di mirë këto procese kështu që prona është e regjistruar në emër të të dy bashkëshortëve. Edhe Ramiz Lladrovci ka deklaruar se një pjesë e pasurisë është veç në emrin e tij, një pjesë veç në emrin e gruas dhe një pjesë tjetre në emër të përbashkët.

Kandidati nga LDK, Bedri Nika ka thënë se pronën për momentin e kanë të regjistruar së bashku me vëllezërit.

“Pronën e kemi bashkë me vëllezër dhe në momentin që e ndajmë me vëllezër, do ta kem edhe në pronë të përbashkët edhe me bashkëshorten” është shprehur Nika.

Idriz Hajdari nga Iniciativa Qytetare për Drenasin ka deklaruar se pronën nuk e ka në emrin e tij por kur ta regjistroj atë do ta bartë në emërin e  djalit të tij. Kurse kandidati nga partia Nisma, Isa Xhemajlaj ka deklaruar se prona është në emrin e tij dhe në emër të babait të tij por që ai do të veproj sipas ligjit dhe do ta regjistroj edhe në emër të bashkëshortes.

Edhe Petrit Sinani, kandidati për kryetar të Drenasit nga radhët e AKR ka deklaruar se pronën e ka në emër të bashkësisë familjare por kur të transferohet kjo pasuri ai do ta regjistroj edhe në emër të bashkëshortes.

Shemsi Elezi nga VV në pyetjen e parashtruar nga Jeta Xharra për regjistrimin e pasurisë në emër të përbashkët ka thënë se pasuria është në emër të përbashkët

“Ende s’kemi bo shpërndarje me familjarë të gjerë. Një pjesë është, hala si kemi nda krejt” ka thënë Elezi.

E Xhavit Drenori nga Vizioni për Drenasin ka thënë se një pjesë është në emrin e përbashkët e një pjesë jo.

Komuna e Skenderajt  

Në këtë komunë nga tre prej kandidatëve për kryetar komune që ishin në Debatin Zgjedhor për Kryetar të Komunës, dy prej tyre e kanë pasurinë në emër të familjes e njëri prej tyre gjysmën e pasurisë e kanë emrin e tij e gjysmën në emrin e bashkëshortes.

Hysni Mehani nga VV dhe Isa Fejzullahu nga LDK kanë deklaruar se pasuria e është në emër të familjes, pra ende nuk është transferuar në emrin e tyre. Ata janë shprehur se në vazhdim do ta rrespektojnë ligjin dhe do ta regjistrojnë pronën në emër të përbashkët.

Kurse Musa Dervishaj nga AKR ka thënë që gjysma e pasurisë është në emrin e tij e gjysma në emrin e bashkëshortes.

“’Mercedesi’ është në emrin tim, kerri i vogël në emër të bashkëshortes, banesa është në emër të bashkëshortes në Prishtinë, shtëpia është në emrin tim, pjesa e tokës është në emër të babagjyshit” ka përfunduar Dervishaj.

Komuna e Rahovecit   

Në komunën e vreshtave dhe rrushit prej katër kandidatë që ishin të pranishëm asnjëri prej tyre nuk e kishte pronën të regjistruar në emër të përbashkët. Dy prej tyre e kishin të regjistruar në emër të bashkësisë familjare e dy të tjerë kanë deklaruar që pronën e kanë emrin e tyre po nuk e kanë të regjistruar edhe në emër të bashkëshortes.

Ibrahim Kryeziu, kandidati prej LDK-së ka deklaruar se pronën e ka ende në emrin e babait.  Edhe Smajl Latifi nga AAK është shprehur se nuk ka pronë në emrin e tij por kur prona të transferohet ai do ta regjistroj në emër të përbashkët.

Shtëpia e Idriz Vehapi nga PDK  është në emrin e tij por ai ka premtuar se do ta respektoj ligjin. Ndërsa Visar Korenica nga radhët e VV së ka thënë se nuk ka prona të regjistruara në emër të përbashkët madje ai ka thënë se në emision e ka kuptuar që pronat mund të regjistrohen në emër të përbashkët.

“Jo nuk kemi, por tash e mora vesh që duhet me regjistru kështu që i vazhdojmë procedurat e regjistrimit” deklaroi Vehapi.

Komuna e Malishevës   

Qyteti me 55 mijë banorë, synohet nga njëri prej shtatë kandidatëve të cilët garojnë për kreun e komunës . Tre prej tyre nuk e kanë pronën të regjistruar si të përbashkët me bashkëshortet e tyre, tre prej tyre ende e kanë pasurinë në emër të bashkësisë familjare dhe vetëm Selajdin Bytyqi, kandidat i pavarur ka deklaruar se më shumë pasuri ka në emër të gruas se në emër të tij.

Adem Berisha prej VV-së ka thënë se prona është në emrin e tij por se nuk prishë punë që të jetë edhe e përbashkët. Bedri Bytyqi nga Fjala ka deklaruar se kurdo që do të ketë pronë ai do ta regjistrojë si të përbashkët.

Mursel Gashi nga radhët e PDK-së ka thënë në debat se tani nuk e ka të përbashkët por që do ta bëj me patjetër.

“Kjo është e pashmangshme, po atë pasuri që e kam nuk kam pasë mundësi me nda. Do ta bëj patjetër, gjithsesi, nëse doni edhe pas një jave do t’ua sjell një fletë dëshmi” është shprehur Gashi.

Nexhat Krasniqi, kandidat i pavarur i cili synon ta marrë qeverisjen e komunës së Malishevës ka deklaruar se prona është ende në emër të familjes së gjerë. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kandidati i Nismas-s për kryetar të komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

“Pasi ende nuk e kam kthy përmbi vete pronën time nuk du me dalë mashtrues para opinionit. Kur ta kthej, e shihni se çka do të bëj. Veturën që e kam, kam me bo në emër të dyve se e kam ende” është përgjigjur Begaj.

Kurse Sami Kafexholli nga LDK është shprehur se ai jeton ende në bashkësi familjare dhe pasuria ende nuk është në emrin e tij.

Selajdin Bytyçi  edhe ky kandidat i pavarur, i vetmi nga Malisheva i cili ka thënë se më shumë pasuri ka në emrin e bashkëshortes së tij se në emrin e tij.

“Ne kemi bukur kapital, ka kapit al më shumë në emër të bashkëshortes që se din as shoqja. Me ditë e din, po e thashë në atë kuptimin që nuk e din ndoshta që ka më shumë se unë. Në emër timin kam unë kapital, por më shumë ka gruaja kapital se sa unë” është shprehur ai.

Komuna e Klinës  

Postin e të parit të Klinës në zgjedhjet lokale të 22 tetorit e synojnë pesë kandidatë.  Avni Gashi nga AKR pronën e ka në emrin e tij e jo në emër të përbashkët, Besim Hoti nga radhët e LDK-së është shprehur se nuk ka pronë të regjistruar në emrin e tij për momentin por kur ta bëj këtë do ta regjistroj në emër të përbashkët.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Klinës, Iber Elezaj ka deklaruar se ende prona është në emër të bashkësisë familjare por do vie koha do ta regjistroj edhe në emrin e gruas.

Edhe Nezir Gashi nga Nisma ka thënë se për momentin pasuria është në emër të familjes sepse ende jetojnë në bashkësi familjare. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kandidati nga radhët e AAK-së, Zenun Elezaj, që pasuria e paluajtshme është në emër të familjes por që gruaja e tij e ka një veturë në emrin e saj.

 Komuna e Istogut

Me rreth 40 mijë banorë, komuna të cilës shteti ia ndan 9.3 milionë euro buxhet në vit synohet të qeveriset nga pesë kandidatët që i kanë hyrë garës për të qeverisur. Kandidati nga radhët e Vetëvendosjes, Agron Avdiaj është shprehur se nuk ka pasuri në emrin e tij por posa ta legalizoj banesën që e ka blerë në Prishtinë do ta regjistroj në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij ose ndoshta krejt në emrin e saj.

Arif Elshani nga Iniciativa e Pavarur  ka deklaruar se e gjithë pasuria është e regjistruar në emër të përbashkët

“Krejt i kemi bashkë, asnjë transaksion pa to s’mund ta bëj. Krejt bashkë i kemi. Disa i kemi regjistru, disa do t’i regjistrojmë, po s’kam ku shkoj pa të. Të gjitha banesat i kemi në emër të përbashkët, e kemi tokën të përbashkët” është përgjigjur Elshani.

E gruaja e kandidatit të PDK-së në Istog, Beqir Sadikaj në intervistën e realizuar me të për debatin në Istog ka thënë se shtëpia është pronë kandidatit të PDK-së kurse një banesë në Prishtinë dhe vetura është në emrin e saj.

Gani Dreshaj nga AAK është përgjigjur se të gjitha pronat ai i ka në emër të gruas. Ndërsa Haki Rugova nga radhët e LDK-së ka treguar se prona nuk është në emër të përbashkët por që kur ta bëj ndoshta si kandidati i AAK-së, Gani Dreshaj do ta regjistroj të gjithën në emër të bashkëshortes.

Komuna e Suharekës   

Pesë kandidatë, Bali Muharremaj (AAK), Blerim Xhemajli (PDK), Kadri Balaj (NISMA), Sali Asllanaj (LDK) dhe Sali Zyba (LVV) garojnë për kreun e komunës. Tre prej tyre nuk i kanë pronat e regjistruara në emër të përbashkët kurse dy prej tyre ende pronat i kanë në emër të bashkësisë familjare.

Bali Muharremaj nga AAK ka treguar se pasuria është ende në emër të familjes por ai ka premtuar që të sqarohet me vëllezër do ta regjistroj pasurinë në emër të pëbashkët.

“Momentalisht deri tash kanë qenë së bashku në bashkësi familjare me vëllezër, kur t’i sqaroj me vëllezër atëherë vazhdoj edhe me gruan” potencoi Muharremaj.

Sali Zybaj nga Vetëvendosje gjithashtu është përgjigjur se pronat janë në emin e familjes. Ai regjistrimin e pronës në emër të përbashkët me gruan e ka quajtur jo vetëm obligim ligjor por edhe obligative për shkak të bashkëjetesës dhe harmonisë në familje.

Kandidati i PDK-së, Blerim Xhemajli është shprehur se pronat janë në emrin e tij por që edhe bashkëshortja e ka një banesë në Prizren të cilin ja ka dhuruar vëllai i saj. Xhemajli është zotuar se kur të vjen puna me regjistru pronën e cila është në emrin e tij në emër të përbashkët nuk e ka fare problem.

Kadri Balaj prej Nisma-s ka thënë se prona është në fshat është ne emrin e babait të tij kurse shtëpia në Prishtinë është në emrin e tij dhe jo në emër të përbashkët.

Kandidati tjetër  Sali Asllanaj nga LDK ka thënë që prona është në merin e tij por që do ta zbatoj ligjin edhe do ta regjistroj pronën në emër të përbashkët.

Komuna e Vushtrrisë   

Vushtrria me rreth 65 mijë banorë është i njohur për monumentet e saj historike si Kalaja e Vushtrrisë, Hamami, Ura e Gurit dhe Shtëpia e Mahmut Agë Gjinollit. Ky qytet i vjetër po synohet të qeveriset nga njëri prej gjashtë kandidatëve.

“Unë kom pasë dëshirë që me ja qit në emrin e saj po nuk ka pranu masi jem bashkë me të. Nëse kemi jetë kemi me i trashegu së bashku po nëse dikush shkon përpara i mbesin gruas po unë kam qejf mem mbetë mu deri në fund” sëhtë shprehur Abdulla Vojvoda nga NISMA duke premtuar se posa të bëhet kryetar pronat do t’i regjistroj në emër të përbashkët.

Bashkëshortja e Besim Muzaqi-t kandidatit të Vetëvendosjes për Vushtrri ka arritur që vetë me siguru premtim prej bashkëshortit që prona e tyre do të regjistrohet në emër të përbashkët.

Ferit Idrizi nga PDK ka deklaruar se para paraqitjes publike në emision ka biseduar me bashkëshorten për këtë çështje, kështu që ata kanë vendosur me i regjistru si prona të përbashkëta

Lutfi Bilalli prej AAK-së është përgjigjur se gruaja e tij ka prona në Gjermani në emër të saj kurse pronat e tjera në Kosovë janë në emrin e tij por ai premtoi se në rastin e pare që do t’i jepet do t’i regjistroj si prona të përbashkëta.

Kandidati i AKR-së për kryetar të Vushtrrisë, Nasuf Aliu ka thënë se deri tash nuk kanë pasur ndonjë pasuri, por tash do të kenë një veturë dhe atë do ta regjistroj në emrin e bashkëshortes.

“Krejt çka të arrijmë bashkarisht si kapital për familjen normalisht që do të bëjmë në bazë qysh e thotë ligji” është shprehur Aliu.

Xhafer Tahiri, kandidati nga LDK është shprehur se në shtëpinë e ndërtuar në të cilën jetojnë tani kanë kontribuar të dy por për shkaqe administrative kjo shtëpi është vetëm në emrin e tij.

Por premtimi i tij ishte se në rastin e pare do ta regjistroj në emër të përbashkët.

Komuna e Gjilanit 

Nga gjashtë prej kandidatëve për Gjilanin tre nuk kanë prona të regjistruara në emër të përbashkët. Dy prej tyre i kanë të regjistruara dhe tjetri nuk ka prona në emrin e tij.

Bajram Hasani kandidati i Nisma-s ka thënë se  shtëpia është në emrin e babait, ka prona edhe në emrin e tij por jo në emër të përbashkët me bashkëshorten. Premtimi i Hasanit ishte se së shpejti do t’i kenë pronat e përbashkëta me bashkëshorten.

Nga kandidatët që synojnë të parin e Gjilanit, Lutfi Haziri nga LDK e ka të regjistruar pronën në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij.

Naser Morina, kandidati i Partisë së Drejtësisë që prona që ka qenë trashëgimi e familjes pak kohë më parë është bartur në emrin e tij por jo në emër të përbashkët me gruan e tij. Por ai premtoi se këtë do ta bëj menjëherë pas emisionit.

“Prona ka qenë trashëgimi e familjes dhe shumë frik e kam bartë në emrin tim, sigurisht që do ta barti edhe në emër të gruas. Menjëherë pas debatit” ka thënë Morina.

Zenun Pajaziti, kandidati i PDK-së ka thënë se kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë me gruan e tij, pronën nuk e ka të përbashkët me bashkëshorten por ai ka thënë se këtë do ta bëj posa ta fitoj garën për Gjilanin.

Kandidati Rexhep Kadriu nga AAK ka thënë se çdo transfer të tokave nuk do ta bëj pa nënshkrimin e fëmijëve pasi dy prej tyre janë mbi moshën 18 vjeçare. Ndërsa Sami Kurteshi, kandidati për kryetar të Gjilanit nga VV është shprehur se nuk ka pronë në emrin e tij që cilën do të mund ta ndante.

“Është pak problematike se na nuk kemi pronë të paluajtshme asnjëri, kështu që nuk kemi çka me qit. Vetura është në emrin tim edhe bibloteka. Në emër të saj është një biznes që e udhëheqë ajo” ka thënë Kurteshi.

Komuna e Hanit të Elezit   

Dy burra dhe një grua i kanë hyrë garës për ta marrë përsipër qeverisjen e një komune të vogël në fundin lindor të Kosovës.

Florim Shkreta, kandidati i PDK-së për kryetar të Hanit të Elezit është shprehur se ata jetojnë në një familje të madhe dhe pasuria është në emër të bashkësisë familjare. Por ai ka premtuar që nëse do të ketë diçka në emrin e tij do ta regjistroj edhe në emrin e bashkëshortes.

Rufki Suma i cili është kandidat i pavarur ka deklaruar se deri para dy tre vitesh pronat të gjitha kanë qenë në emër të prindërve, kurse tani trualli i shtëpisë është në emrin e tij.

“Në momentin që ne e vlerësojmë që është e arsyeshme edhe pse afatet po më duket që kanë fillu do ta bëjmë. Besoj që po, nëse është deri në shkurt atëherë do t’i përmbahemi afateve” përfundoi Suma.

Komuna e Shtimes   

Në komunën e Shtimes nga pesë kandidatët, katër prej tyre nuk e kanë pronën në emër të përbashkët kurse së njëri prej tyre ende e kanë emër të bashkësisë familjare.

Fatmir Rashiti kandidat i pavarur ka deklaruar se prona e trashëguar  është në emrin e tij kurse një shtëpi që është duke u ndërtuar në të ardhmen do të regjistrohet në emër të përbashkët.

Kurse Mehdi Salihu poashtu kandidat i pavarur ka thënë se shtëpia aktualisht është në emër të tre vëllezërve ku edhe ai është bashkëpronar.

“Nuk mundem me thonë saktë, po me siguri që kur ta marr pjesën time do ta regjistroj në emër të përbashkët pa problem” ka thënë Salihu.

Naim Ismajli kandidati i PDK-së për kryetar të Shtimes ka deklaruar se për një pronë që e kanë bërë në vitin 2012 do të aplikojnë për procedurat për regjistrimin në emër të përbashkët.

“Prona është në emrin tim, meqenëse këtë pronë e kemi bërë në vitin 2012 atëherë ligji për lehtësimin e bashkëpronarëve nuk ka qenë në fuqi, tash ka ardhë, nuk më prish ta bëj bashkërisht, absolutisht. Atëherë një muaj pas zgjedhjeve do të aplikoj e tani derisa të zgjasin procedurat” është përgjigjur Ismajli.

Ruzhdi Jashari nga VV ka thënë se shtëpia është trashëguar tek ai nga familja dhe këtë shtëpi ai ka vendosur që ta regjistroj në emër të gruas. Kurse Selim Shabani nga LDK është shprehur se kur të është momenti që bashkëshortja është e gatshme me pranu që me bo pronësinë e përbashkët ai do ta bëj këtë.

 

Komuna e Junikut  

Agron Kuqi nga radhët e AAK-së është i vetmi që ka deklaruar se e ka pasurinë në emër të përbashkët nga katër kandidatët për kryetar të komunës së Junikut.

“Pas vënies në funksion të sistemit noterial natyrisht që i kemi, ka qenë e domosdoshme që të jenë edhe bashkshortet” është përgjigjur Kuqi.

Ndërsa Fatos Shala kandidati i PDK-së për kryetar të Junikut ka thënë se e ka ende të ri babain edhe pasuria është në emrin e tij.

Sylë Gaxherri nga Vetëvendosje dhe Tahir Isufaj nga LDK në Debati Zgjedhor për Kryetar të Komunës 2017 kanë deklaruar se nuk i kanë pronat në emër të përbashkët me shkëshortet e tyre por që këtë do ta bëjnë së shpejti.

 

 

Komuna e Kamenicës   

Komuna e Kamenicës me 36 mijë banorë është komuna me më së paku investime në vend.

Në këtë komunë kandidatët janë zotuar për barazi.

Amir Canaj prej AKR-së është shprehur se për momentin nuk ka diçka në emrin e tij por posa të bëhet ai ka premtuar se do t’i regjistroj në emër të përbashkët. Kurse Faton Jakupi, kandidati nga radhët e AAK-së ka thënë se shtëpinë që e kanë ndërtuar është në hipotekë por posa të lahet borxhi ajo do të regjistrohet në emër të përbashkët.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Kamenicës, Kujtim Gashi ka thënë se shtëpinë e ka në emrin e babës, banesën ende nuk e ka formalizu në aspektin juridik por kur ta formalizojnë do ta kenë të përbashkët me nusën.

Qëndron Kastrati kandidati 28 vjeçar nga VV është shrehur se një herë nuk është i martuar dhe nuk ka diçka në emrin e tij por kur kur kjo të ndodhë ai do ta regjistroj pronën në emër të përbashkët.

Ndërsa Shaip Surdulli kandidati i LDK-së i cili tri herë ka qenë kryetar i Kamenicëska thënë se ai ka një prone të përbashkët me vëllezër e fëmijë e nuk ka diçka në emrin e tij.

Komuna e Vitisë 

Katër burrat që  i kanë hyrë garës për të marrë pozitën e të parit në Komunën e Vitisë kanë treguar për pronat.

Faruk Nura kandidati i AAK-së për kryetar të Vitisë ka deklaruar se pasuria e tij është e përbashkët me bashkëshorten e tij.

“I kom 4 banesa në Prishtinë edhe në emër të gruas edhe aty në bankë e kemi bashkë me tërheqë pare edhe se kam problem.” shtoi Nura.

Kurse kandidati i PDK-së për kryetar Besim Halimi ka thënë se është duke e bartë pronën në emrin e tij pasi janë ndarë nga bashkësia familjare.

“Unë kam pasuri të mjaftueshme kështu që edhe bashkëshortja. Besoj se deri në fund të vitit 2018 gjysma e pasurisë sime do të jetë në emër të bashkëshortes time” shtoi Halimi.

Sali Salihu  nga VV ka deklaruar se ata janë një familje e madhe dhe pasuria është e përbashkët. Kurse Sokol Haliti nga LDK, është përgjigjur se ai nuk ka ndonjë pronë në emrin e tij.

“Për fat të keq nuk kam krijuar ndonjë pronë pasi jam martu, ‘Passatin’ edhe vetura është marrë me kredi nga ana ime sa isha duke punu në Prishtinë. Natyrisht që në emër të njërit për shkak se ajo nuk shkon me dy emra” ka thënë Haliti.

Komuna e Lipjanit

Në vlerësimin e popullsisë të bërë në vitin 2011, Lipjani ka 58 mijë banorë rezidentë dhe një buxhet prej 13,1 milionë eurove. Nga pesë kandidatët për kryetar të Lipjanit, tre nuk e kanë të regjistruar pronën në emër të përbashkët kurse dy prej tyre e kanë në emër të bashkësisë familjare.

Fitim Selimi kandidati për kryetar nga AAK ka deklaruar se pasuria e trashëguar nga babai është në emrin e tij  por ai ka thënë se regjistrimi në emër të përbashkët do të bëhet realitet së shpejti.

Heset Sahiti prej Nisma-s ka deklaruar se ka prona në bashkëpronësi familjare por ka premtuar që posa të jenë në mërin e tij ai do t’i regjistroj në emër të përbashkët.

“Mirëpo normalisht në momentin e parë që do ta qes përmbi vete pronën, jo përmbi vete por do ta qes përmbi shoqen time” shtoi Sahiti.

Imri Ahmeti nga LDK është shprehur se pasuria është e përbashkët me familjen por në momentin e parë që do të ndahet do të regjistrohet në emër të përbashkët.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Ismet Hajrullahu  ka thënë që shtëpinë që e ka ndërtuar në Kosovë pasi e ka shitur atë në Tiranë nuk e ka në emër të përbashkët me bashkëshorten pasi atëherë nuk ka ekzistuar ky ligj.

Gruaja e Selatin Retkocerit, kandidatit të VV – së për kryetar të Lipjanit ka thënë që e gjithë pasuria është në emër të tij por Retkoceri ka deklaruar se nuk është problem që ajo të regjistrohet si e përbashkët.

“Nuk është ai problem fare se edhe ashtu nuk kemi shumë, ajo që është nuk është asnjë problem” ka thënë Retkoceri.

Lidhur me çështjen e të drejtave të grave në trashëgimi e veçanërisht lidhur me problematikat që kanë hasur ato në rrugën drejt realizimit të kësaj të drejte “Drejtësia në Kosovë” ka realizuar disa emisione.

https://www.youtube.com/ëatch?v=S2H8X9n2miA

Në maj të vitit 2017, USAID ka lansuar fushatën për të drejtat e barabarta pronësore.