292 Policë Me Vepra Penale Gjatë Vitit 2012

Ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2012, janë denoncuar apo paraqitur 1 mijë e 78 ankesa në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Drejtori i Departamentit të Hetimeve në IPK, Jetullah Aliu, ka treguar se nga këto raste ka pjesëtarë të Policisë së Kosovës ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për vepra penale, të suspenduar, nën hetime dhe të arrestuar.

“Për vitin 2012, në Inspektoratin Policor të Kosovës janë denoncuar apo paraqitur 1 mijë e 78 ankesa. Prej tyre, 776 janë dërguar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale të Kosovës”, ka thënë Aliu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Nga gjitha këto raste, sipas Aliut, në 292 raste është identifikuar se ka elemente të veprës penale, në 122 raste janë ngritur kallëzime penale, 86 raste të dërguara me raport të veçantë dhe 1 rast është dërguar në Gjykatën për Kundërvajtje.

Jetullah Aliu

“Po ashtu janë mbyllur në IPK, në mungesë të provave dhe fakteve 18 raste, janë nën hetime 65 policë, ndërsa janë arrestuar 18 policë me autorizim të prokurorit kompetent, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer vepër penale”, thotë Aliu.

Drejtori i hetimeve në IPK shtoi se përveç këtyre rasteve, janë dhe 66 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të suspenduar. Kurse janë transferuar me rekomandim 6 pjesëtarë, ndërsa për shkelje disiplinore janë 10 raste.

Aliu konsideron se ky numër i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ballafaqohen me ligjin nuk është alarmant; duke pasur parasysh se është Policia e Kosovës ka më tepër se 7 mijë pjesëtarë, përfshirë këtu edhe një numër stafit civil, si dhe faktin se kjo është një forcë relativisht e re.

Ai shpreson se në vitet në vijim rastet e tilla do të bien dhe nuk do të ketë pjesëtarë të policisë të përfshirë, apo të dyshuar se kanë kryer ndonjë vepër penale.