Nga gjykimi i Fatmir Limajt | Foto: KALLXO.com

2700 Ditët e Gjykimit që në Fund e Lanë të Lirë Limajn

Gati tetë vjet iu deshën gjykatës që të marrë një vendim për procesin gjyqësor ndaj zëvendëskryeministrit aktual, Fatmir Limaj.

Vendimi u dha para një salle të mbushur me familjarë, e mbështetës të Limajt, të cilët lirimin e tij nga të gjitha akuzat e pritën me duartrokitje e me brohoritje: “Çeliku”, “Çeliku”.

Ky ishte emri luftarak i Fatmir Limajt, sa ai ishte njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e viteve 1998-1999.

Shpallja e aktgjykimit nga kryetarja e trupit gjykues, Maria Tuma, zgjati për mbi 40 minuta, pasi që u lexuan edhe të gjeturat e trupit gjykues para gjithë publikut.

E duartrokitjet dhe përqafimet në mes njëri- tjetrit, u përforcuan në momentin kur gjykatësja Tuma liroi nga pika e fundit e akuzës Fatmir Limajn për mosdeklarim të parave të pranuara për fushatë.

Edhe pse Limaj dhe të tjerët u liruan nga të gjitha akuzat, avokati i Limajt, Karim Khan, pas shpalljes, tha se ky proces kishte qenë mjaft stresues dhe ka sjellë dhembje të madhe te Limaj dhe e gjithë familja e tij.

Edhe vetë Limaj, pas lirimit, procesin gjyqësor kundër tij e konsideroi persekutim të pashembullt.

Të akuzuarit, Fatmir Limaj, Endrit Shala e Nexhat Krasniqi u liruan nga pika e parë e akuzuës për krim të organizuar, të dytën për shpërdorim detyre dhe të tretën për marrje ryshfeti.

Florim Zukës, i ishte parashkruar pika e akuzës për dhënie ryshfeti, ndërsa u lirua nga akuza për keqpërdorim në ekonomi.

Aktakuza lidhej me asfaltimin e disa rrugëve në Komunën e Gjilanit.

Limaj qysh nga fillimi, këtë aktakuzë e kishte quajtur të ngritur me urdhër politik.

Sipas tij, gjithçka kishte filluar në momentin kur nuk kishte pranuar që të nënshkruajë për autostradën.

“Unë vetëm i di dy momente- vendimin për autostradën dhe vendimin për aeroportin, pasi që unë kam qenë kundër privatizimit të aeroportit dhe kundër që me dhënë për koncension për 35 vite dhe shumë i interesuar me ndërtu autostradën”, tha Limaj në gjykatë.

“Njëherë më kanë bërë presion që me privatizu, por nuk kam pranuar me nënshkru kundër vendit tim, dhe e kam nënshkruar vetëm për 20 vjet, e jo për 35”, tha më tutje Limaj, ndërsa pak kohë më pas atij iu përmend emri i Isabelle Arnal, ish-udhëheqëses së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

E për Isabelle Arnal, Limaj gjithmonë ka pretenduar në gjykatore se kishte kërkuar që “ta kapnin atë, me apo pa prova”, fjalë këto të cilat sipas tij mund të dëshmoheshin nga ish- hetuesi i EULEX, Troy Wilkinson.

Limaj tha se ndonëse kjo nuk ka të bëjë asgjë me akatakuzën, sipas tij kjo ishte një pikëpyetje se pse “ka ardhur puna deri këtu”.

Pak kohë më vonë, Limaj tha se kishin filluar bastisjet në MTPT dhe në shtëpinë e tij nga një ankesë e bërë nga “shtytësi i këtij rasti”, Mehmet Shkodra, tanimë i ndjerë, pasi që i njëjti ka pretenduar se i është kërkuar ryshfet për marrjen e një tenderi.

“Ka filluar dhe po përfundon me një letër. Sa ankesa bëhen në ditë? Për mua zyrtarisht kanë filluar hetimet më 28 prill 2012 me atë ankesë. Pa e verifikuar besueshmërinë e asaj letre. Prokuroria futet në shtëpinë time dhe në Ministri, duke u bazuar vetëm në ankesën e dëshmitarit tani të vdekur, e pa asnjë provë. Kush nxitojke me bërë atë veprim, këto kanë qenë gjërat të cilat më janë sillur në kokë”, ishin fjalët e Limajt dy ditë para shpalljes së aktgjykimit.

E për ankesën e Shkodrës edhe avokati i Limajt pati disa fjalë të cilat i tha në fjalën e tij përfundimtare.

Avokati i Limajt, Karim Khan para gjykatores përmendi disa SMS të Shkodrës dërguar Fatmir Limajt, Adem Grabovcit e Nexhat Krasniqit, përmes të cilëve Shkodra kishte këmbëngulur vazhdimisht që të takohej me Limajn, e sipas avokatit, duke përmendur në SMS takime fiktive mes Limajt e tij.

Lidhur me pretendimet e Shkodrës, avokati i Limajt, Karim Khan tha se Shkodra disa herë ka shkuar në zyrën e Limajt dhe e ka pritur me orë të tëra duke insistuar që tenderi për mirëmbajtjen verore të rrugëve t’i jepet atij, gjë e cila edhe nuk ka ndodhur.

“Fakti se nuk i janë dhënë tenderët tregon se procesi i tenderimit ka funksionuar me rregull”, tha Khan dhe sipas tij, asnjë person që kërkon ryshfet nga ndokush, “nuk e lë atë ta presë me orë të tëra”.

Një ‘Copë Letre’ që e Përballi Limajn 2,764 Ditë me Gjyqin

KALLXO.com ju tregon të gjitha që ndodhën në procesin që nisi në vitin 2010.

Aktakuza

Fillimisht, Limaj rëndohej me aktakuzën e ngritur në nëntor të vitit 2012, atë të njohur si MTPT 1.

Në rastin e MTPT 1, përveç Limajt, Endrit Shalës, Nexhat Krasniqit e  Florim Zukës, të akuzuar ishin edhe ish- punonjësi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gani Zogaj së bashku me dy vëllezërit e Limajt, Florimin dhe Demirin.

Aktakuza kishte të bënte me krim të organizuar dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin në të ashtuquajturën çështje të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

EULEX-i gjatë shkurtit të vitit 2014 ngriti aktakuzën e dytë kundër Fatmir Limajt që e pandehte atë për përfshirje në korrupsion.

Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë të akuzuar në rastin MTPT 2, përveç Limajt, Shpëtim Telakut dhe Nexhat Krasniqit, pjesë e këtij gjykimi ishin edhe fermeri Ali Aliu, pasi që sipas prokurorisë, dukej se nipërit e tij udhëhiqnin kompaninë “Burimi”, si dhe vetë pronari i kompanisë “Burimi”, Beqir Deda, dy të cilët në mungesë të provave më vonë u liruan nga të gjitha akuzat.

Limaj dhe tjerët akuzoheshin për vepra të ndryshme penale:krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitës dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin.

Prokurori pretendonte se buxheti i Ministrisë së Transportit ishte dëmtuar për së paku 890.000 euro, thuhej në njoftimin e atëhershëm të EULEX-it.

Në korrik të vitit 2013 gjyqi kishte konfirmuar pjesërisht aktakuzën dhe kishte konkluduar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për dyshim të mirëbazuar se të pandehurit Fatmir Limaj, ish ministër i MTPT-së, Nexhat Krasniqi, shef i Prokurimit në MTPT dhe Endrit Shala, ish-shefi i kabinetit dhe këshilltar politik i Fatmir Limajt, formuan një grup të organizuar kriminal i cili kreu veprat e rënda penale të shpërdorimit të pozitës, ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfetit.

Gjykata miratoi akuzën për shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit, të ngritur ndaj Fatmir Limajt, Nexhat Krasniqit e Shpëtim Telakut lidhur me rastin “MTPT 2”, ndërkaq Deda dhe Aliu u liruan në mungesë të provave.

Si rezultat, trupi gjykues vendosi të bashkojë në një rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, ku pjesë e këtij gjykimi deri në ditën e djeshme përfundimisht do të ishin Fatmir Limaj, ish- shefi i kabinetit në MTPT dhe këshilltari politik i Limajt, Endrit Shala, truproja e Limajt Shpëtim Telaku, ish- shefi i Departamentit të Prokurimit në MTPT, Nexhat Krasniqi dhe Florim Zuka, pronar i Kompanisë “Tali”.

Aktakuza e konsoliduar e këtyre dy rasteve të njohura si MTPT 1 dhe 2 u ngrit nga prokuroria në fund të shtatorit të vitit 2015.

http://kallxo.com/fatmir-limaj-kjo-aktakuze-eshte-ngritur-me-urdher-politik/

Sipas aktakuzës së konsoliduar, pika e parë ngarkonte Limajn, Shalën, Krasniqin dhe Telakun me veprën penale krim i organizuar për periudhën 2008-2010.

“Qëllimi i këtij grupi të organizuar kriminal ka qenë që t’u jepnin kontrata të favorshme për ndërtimin e rrugëve, ku tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve u janë dhënë kompanive të ndërtimit të rrugëve me premisën që një pagesë në shumën prej 20% nga vlera e përgjithshme e kontratave të bëhen për këtë grup të organizuar kriminal. Grupi kriminal ka qenë i struktuaruar dhe pjesëtarët e tij kanë vepruar së bashku për një periudhë të gjatë kohore. Pjesëtarët e këtij grupi kanë pasur ose lidhje familjare ose shoqërore me Limajn”, thuhej në këtë aktakuzë.

Bëhet fjalë për kohën sa Limaj ka qenë në pozitën e ministrit të Transportit dhe Postë- Telekomunikacionit (MTPT). Sipas prokurorisë, Limaj ka pasur fuqinë e vendimmarrjes faktike mbi pjesëtarët e grupit të tij, duke përfshirë Endrit Shalën, Nexhat Krasniqin dhe Shpëtim Telakun.

Limaj ka mbetur kreu i këtij grupi kriminal pasi është larguar nga detyra e ministrit të MTPT- së në vitin 2010. Atij shpesh i janë referuar si “daja”, “Bosi” dhe “shefi” nga 2008-2012. Limaj ka mbikëqyrur dhe udhëhequr kryerjen e veprave të rënda penale të kryera nga ana e pjesëtarëve të grupit të organizuar kriminal, thuhej në aktakuzë.

Ndërkaq, Shala, në aktakuzë përshkruhej si “dora e djathtë e Limajt”, i cili kishte shërbyer si “sekser” duke qenë i përfshirë në ryshfete së bashku me Florim Zukën, nga kompania Tali, në vitet 2008-2009.

Shala po ashtu pretendohej se ka ndihmuar Limajn dhe Krasniqin për të shpërdorur pozitat e tyre zyrtare.

Nexhat Krasniqi, sipas aktakuzës “një tjetër shok i ngushtë i Limajt”, thuhej se ka kontrolluar manipulimet e procedurës së prokurimeve.

“Ai, ka propozuar se kush do të jenë anëtarët e Komisionit të MTPT- së, të cilët kanë vlerësuar tenderët dhe që sipas udhëzimebe të Limajt është ndërlidhur dhe ka siguruar që kontratat t’i fitonin ato kompani që ishin të gatshme të paguanin ryshfetet”, thuhej më tej në aktakuzë.

Prokuroria pretendonte se Krasniqi ka nënshkruar kontratat me kompanitë fituese.

“Krasniqi, i cili ka qenë i pranishëm në takimet ku janë diskutuar marrëveshjet e paligjshme, ka nënshkruar personalisht kontratat me kompanitë fituese, si psh me kompaninë ‘Tali’, pavarësisht se ka qenë i vetëdijëshëm për pasojat e veprimeve të tij. Ai gjithashtu, ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në bisedimet rreth pranimit të ryshfeteve”, vijonte aktakuza të lidhë Krasniqin me kompaninë që ishte pronë e Florim Zukës.

Pjesë e aktakuzës së prokurorisë është edhe Telaku, truproja i Limajt, i cili nga prokuroria konsiderohej si shok i afërt dhe bashkëpunëtor i “grupit të Limajt”.

“Ai është nga i njëjti fshat si Fatmir Limaj dhe ka shërbyer nën Limajn në Brigadën ‘Kumanova’. Si pjesëtar i grupit të Limajt, Telaku ka aranzhuar takime private ndërmjet Limajt dhe ndërmjetësve të kompanive të ndërtimit para si dhe gjatë proceseve përkatëse të tenderit. Ai ka kërkuar dokumente të ndërtimit para, si dhe gjatë proceseve përkatëse të tenderit”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Nga kjo pikë e aktakuzës, që të tre, Limaj, Shala, Krasniqi e Telaku u liruan.

Pika e dytë dhe e tretë ndaj Limajt, Shalës, Krasniqit dhe Telakut i ngarkonte të njëjtit me shpërdorim të pozitave të tyre zyrtare dhe marrje ryshfeti përmes kryerjes së bisedimeve, premtimeve dhe dhënies së tenderëve për ndërtimin e rrugëve kompanive të ndërtimit “Tali” dhe “Inter- Europa” në shkëmbim të kërkimit dhe marrjes së ryshfeteve.

Sipas prokurorisë, këta tenderë janë dhënë duke anashkaluar dhe manipuluar rregullat ligjore të prokurimit, në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik, që e ndalon favorizimin e një kompanie mbi një tjetër.

Telaku sipas prokurorisë kishte ndihmuar Limajn dhe Krasniqin për të manipuluar procedurat e tenderit, duke kryer angazhime për marrëveshje private e duke negociuar, duke bartur dokumente të tenderit, duke kërkuar para dhe duke bartur komunikimin privat- përfshirë premtime për dhënie të tenderit, ndërmjet përfaqësuesit të kompanisë, Ali Aliut dhe Limajt, para dhe gjatë procesit të tenderit.

Ndërkaq, Shala dhe Krasniqi, gjithnjë sipas aktakuzës, thuhej se kanë ndihmuar kompaninë “Tali” në pronësi të Florim Zukës, që t’i rregullonte dokumentet për tender, ndërsa në anën tjetër thuhej se Limaj i kishte premtuar Mehmet Shkodrës nga kompania “Inter- Europa” se do t’ia rregullonte dokumentet e tenderit.

Shkodra, i cili tani më është i ndjerë, sipas prokurorisë, nga kompania “Inter- Europa” kishte refuzuar të paguante ryshfetin e kërkuar prej 20%, ndërsa Zuka nga kompania “Tali” kishte rënë dakord që të paguante ryshfetin e kërkuar prej 20%.

E gjitha kjo sipas prokurorisë, ishte bërë që Limaj, Shala dhe Krasniqi të nxjerrin përfitime materiale dhe për të mbledhur dhe kërkuar paratë e ryshfeteve.

Në lidhje me tenderin për ndërtimin e rrugës Ponesh- Zhegovc në Gjilan, Limaj është takuar privatisht me Shkodrën nga kompania Inter- Europa, duke e këshilluar atë që të paraqiste ofertë bashkë me kompanitë e tjera që të fitonte tender për projektet e ardhshme të MTPT, thuhej në aktakuzë.

Sipas prokurorisë, sa i takon tenderit për mirëmbajtjen verore dhe dimërore 2009 në Rajonin e Gjilanit, Limaj i kishte thënë Shkodrës nga kompania “Inter- Europa”, që “të mos fliste dhe mirëmbajtja verore për rrugët për vitin 2009 do të jetë e jotja”.

Prokuroria pretendonte se Krasniqi, nën udhëzimet e Limajt e kishte specifikuar marrëveshjen duke i thënë Shkodrës se “ne do të depozitojmë tek ti 20% të shumës totale paraprakisht dhe ti pastaj do të na japësh neve këto të holla”.

Sipas aktakuzës, kur Shkodra nuk kishte rënë dakord që të paguante ryshfetin e kërkuar, Limajn e kishte udhëzuar Shalën që të negocionte një marrveshje ryshfeti me Zukën nga kompania “Tali” për përfitimin e tij personal, ashtu që në mars 2009, pas diskutimeve të hollësishme që ishin zhvilluar lidhur me ryshfetin ndërmjet Shalës dhe Zukës, kompanisë “Tali” iu dha tenderi me vlerën prej 1.192.844,94 eurove, në këmbim të pagesës së një ryshfeti që arrinte shumën prej 250,000 eurove që do t’i kalonte direkt familjes Limaj.

Ndërkaq, për tenderin tjetër për asfaltimin e rrugës Duraj- Gabricë, prokuroria pretendonte se Limaj e ka udhëzuar përmes një letre, e cila ishte shkruar në prani të përfaqësuesve të kompanisë “Burimi”, duke nënvizuar se çfarë sasie parash duhet të jepte kjo kopmani për të qenë i suksesshëm me këtë ofertë.

Sipas prokurorisë, Telaku ndihmoi Limajn në vendosjen e komunikimit privat me Ali Aliun kur procedura e tenderit kishte filluar. E Krasniqi, sipas aktakuzës, edhe pse ka ditur për marrëveshjet private dhe aranzhimet e bëra nga Limaj, ka pranuar vazhdimin e procedurave të tenderut, nuk ka raportuar ndonjë keqpërdorim dhe ka nënshkruar kontratat me kompanitë fituese “Eskavatori” dhe “Burimi”.

Sa i përket kësaj pike, gjykatësja Tuma tha se prokuroria nuk e ka provuar përtej dyshimit të bazuar këtë akuzë, por vetëm pjesërisht në bazë të deklaratat të tani të ndjerit, Mehmet Shkodra.

Më tej, sipas gjykatëses Tuma, trupi gjykues nuk ka mundësi që të bazohet vetëm në deklaratën e tij, pasi që ligji thotë se një provë nuk mund të konsiderohet si e tillë në qoftë se nuk mund të sfidohet përmes marrjes në pyetje gjatë ndonjë faze të procedurës atëherë kur është e nevojshme dhe marrja e Mehmet Shkodrës në pyetje ishte e pamundur gjatë këtij procesi gjyqësor, pasi që i njëjti ka ndërruar jetë.

Si rezultat, trupi gjykues nuk ka arritur që të konkludojë që Limaj ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në dhënien e këtij tenderi, e as që Shala ka asistuar te Limaj, si dhe përmes raporteve të ekspertëve nuk është vërtetuar se Krasniqi ka qenë në dijeni të rregullimeve të çmimeve.

Pika e katërt e akuzës lidhej me Florim Zukën dhe ngarkonte të njëjtin për dhënie ryshfeti, pasi që siç u cek edhe më lart, kompania e tij “Tali” përmes ryshfetit të cilin sipas prokurorisë Mehmet Shkodra e kishte refuzuar, ka arritur të fitojë tenderin.

“Më 23 mars 2009, ryshfeti ndërmjet Shalës dhe kompanisë ‘Tali’ shkoi në fazën finale. Zuka e siguroi Shalën se Tali “do të kryejë obligimin ndaj teje (Endritit) dhe sigurisht ndaj njerëzve tu” dhe se ai “do t’i japë ty (Endritit) 25 me katër zero”, shkruhej në aktakuzë.

Gjatë procesit, sipas prokurorisë, tenderi iu dha kompanisë “Tali” për ofertën në vlerë prej 1.192.844,94 euro.

Gjatë leximit të të gjeturave të trupit gjykues, gjykatësja Tuma tha se pika e cila ngarkon Zukën për dhënie ryshfeti, ka arritur parashkrimin absolut.

Gjatë fjalës përfundimtare, avokati i Zukës, Blerim Prestreshi, po ashtu theksoi se kësaj vepre vetëm se i ka arritur parashkrimi absolut në momentin kur është bërë aktakuza e konsoliduar e MTPT 1&2 në vitin 2015.

Ndërkaq, akuza e katërt e prokurorisë ngarkonte po ashtu Zukën për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi në lidhje me ndërtimin e rrugës Ponesh- Zhegovc në Gjilan, me pretendimin se Zuka në cilësinë e pronarit të kompanisë “Tali” ka shkelur seriozisht rregullat e veprimtarisë biznesore duke toleruar marrëveshje për rregullim të çmimit me “Zuka Commerce Company”, pronë e vëllait të tij, pa zbuluar se të dy kompanitë punonin së bashku.

Ofertat, që janë paraqitur nga “Tali” dhe “Zuka Commerce” për këtë tender, përmbanin çmime identike në pozitat e kërkuara në të cilat ofertat është dashur të saktësoheshin, tregonte aktakuza.

Në të njëjtën pikë të akuzës, Zuka ngarkohej se ka vepruar njëjtë edhe për tenderin e mirëmbajtjes verore për rrugën e rajonit të Gjilanit për vitin 2008. Por, në këtë rast, prokuroria pretendonte se e kishte bërë me kompaninë “Eurokos”.

Rjedhimisht, gjykatësja Tuma bëri të ditur se as kjo akuzë nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar nga prokuroria.

Akuza e gjashtë dhe e fundit në aktakuzë, ngarkonte Limajn për vepra të tjera penale në formë të mosdeklarimit të parave të pranuara për fushatë.

Kjo sipas prokurorisë kishte ndodhur më 18 tetor 2007, kur Limaj ka pranuar një kontribut në kampanjën politike nga Ibrahim Mislimi për fushatën zgjedhore për kryetar të Komunës së Prishtinës në 2007.

“Kontributi për këtë fushatë ishte aranzhuar ndërmjet Mislimit dhe Shalës derisa Limaj ishte në vizitë në Gjermani. Shala ishte menaxher i kampanjës zgjedhore të Limajt gjatë kësaj kohe relevante. 5.000 euro u transferuan nga Ibrahim Mislimi në llogarinë private bankare të Limajt. Përkundër obligimit për të deklaruar këto 5,000 euro si kontribut zyrtar për fushatën, Limaj nuk ka deklaruar zyrtarisht këtë shumë tek autoritetet përkatëse”, shkruhej në aktakuzë.

Limaj u lirua edhe nga kjo akuzë.

Dëshmitarët

Dëshmitarët e ftuar për të dëshmuar në këtë proces gjyqësor ishin edhe Ish- të akuzuarit e rastit MTPT 2, Ali Aliu dhe Beqir Deda, që të dy u ftuan dëshmitarë nga prokuroria gjatë këtij viti për t’u marrë në pyetje lidhur më tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve verore në rajonin e Ferizajt.

Aliu në pothuajse të gjitha pyetjet e prokurorit u përgjigj me “nuk e di” apo “nuk më kujtohet”.

Aliu gjatë dëshmisë së tij tha se ka biseduar me Shpëtim Telakun për tenderët e rrugëve, të cilin e kishte porositur të flasë me Fatmir Limajn, por Aliu tha se ai nuk ka përfituar asgjë nga kjo.

Menjëherë pas dëshmisë së Aliut, i ftuari i prokurorisë ishte ishte ish- i pandehuri, Beqir Deda, pronar i kompanisë “Burimi”, kompani kjo që merret me ndërtimin e rrugëve dhe ka gurthyes.

Në pyetjet e prokurorit Charles Hardaway, nëse në vitin 2008 kishte pasur tender për mirëmbajtjen verore të rrugëve në regjionin e Ferizajt, dëshmitari Deda tha se në atë periudhë nuk ka pasur një tender të tillë.

Dëshmitari më pas u pyet nga prokurori Hardaway se në vitin 2008 a kishte punuar në Stagovë të Kaçanikut kompania “Burimi” në asfaltim.

Deda tha se kompania ka punuar në Kaçanik, por jo në tenderët e hapur nga ish- Ministria e Transportit.

Para Aliut e Dedajt, në muajin mars të këtij viti u mor në pyetje edhe Adem Grabovci, ish- zëvendësministër i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, që udhëhiqej nga Fatmir Limaj.

Adem Grabovci, i cili ishte dëshmitar i prokurorisë në këtë proces, në muajin mars të këtij viti, u mor në pyetje për disa SMS të cilat i kishte pranuar gjatë kohës sa kishte qenë në pozitë në MTPT.

Këta SMS në vete përmbanin tematikën e shtrimit të rrugëve me asfalt.

Grabovci në pyetjet e prokurorit se a i kujtoheshin SMS-të të cilët po ia lexonte, mohoi t’i kujtoheshin ato dhe tha se nuk mban përgjegjësi se kush i dërgon SMS në numër të tij, madje të njëjtat “i fshin pa i lexuar”.

Po ashtu, gjatë dëshmisë së tij, Grabovci mohoi se njihte biznesmenin e ndjerë Mehmet Shkodra.

“Më kujtohet se kam qenë në pyetje nga prokuroria më herët diku në 2009-ën ose 2010-ën, kam dhanë deklaratën për këta SMS dhe jam pyetur edhe për Mehmet Shkodrën dhe asnjëherë nuk e kam takuar dhe nuk e njoh”, kishte deklaruar Grabovci.

http://kallxo.com/adem-grabovci-perfundon-deshmine/

Dëshmitarja e fundit në këtë proces gjyqësor ishte Marina Toivenen, ish- hetuesja e EULEX-it, e cila u mor me rastin e Limajt.

Toivenen, oficere policore me 32 vjet përvojë profesionale nga Finlanda, udhëtoi në Kosovë në fillim të nëntorit për të dëshmuar në gjykimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës.

Marina Tojvenen pas një kohe që kishte hyrë në EULEX u bë hetuesja kryesore në rastin e Limajt dhe të tjerëve.

Gjatë asaj kohe udhëheqëse e PSRK-së kishte qenë Isabelle Arnal, për të cilën Toivenen tha se nuk ka pasur reputacion të mirë dhe se “ka dëgjuar si thashethem se Isabelle Arnal ka thënë se dëshiron “kapjen e Limajt, me apo pa prova”.

“Po unë nuk e kam dëgjuar ta ketë thënë këtë, kam dëgjuar që shumë kolegë të mi nuk ishin të kënaqur me sjelljen e Isabelle Arnal dhe nuk më kujtohet kush ka thënë, por më kujtohet që dikush ka thënë që e ka thënë në prani të tjerëve, por saktësisht se kush e ka thënë nuk mund të them”, ka vazhduar dëshmitarja.

http://kallxo.com/ish-hetuesja-e-limajt-kam-pasur-qendrim-te-ndryshem-nga-prokurori/

E disa ditë pas kësaj dëshmie, një tjetër akuzë kundrejt EULEX doli në pah.

“Elefanti në Dhomë”

Më 16 nëntor, në ditën kur ishte paraparë të mbahej seanca në orën 13:00, publiku u largua nga salla me urdhër të kryetares së trupit gjykues, me arsyetimin se duhet qëndruar jashtë derisa e njëjta ta shpallë seancën e hapur.

Seanca filloi një orë me vonesë, në orën 14:00. Deri në atë kohë, sa publiku po qëndronte në pritje, Limaj shihej në korridor duke u endur me disa letra në dorë, letra këto të cilat përmbanin artikullin e publikuar në “Le Monde”, artikull ky në të cilin ishte publikuar intervista me ish- kryetarin e gjyqtarëve të EULEX, Malcolm Simmons.

Në këtë artikull, ish- udhëheqësi i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka thënë se EULEX është mision politik që dëshiron “rrëzimin e një klase të politikanëve kosovarë, sikur Fatmir Limaj”.

Me të filluar seanca, Limaj mori fjalën dhe filloi të fliste për artikullin në fjalë.

“Ajo që është me rëndësi për mua është që është përmendur specifikisht emri im dhe është thënë se ky është një mision politik që ka target zotin Limaj” , tha Limaj duke folur për artikullin në “Le Monde”.

“Unë zonja gjyqtare për 7 vjet gati tetë prej ditës së parë kam shprehur shqetësimin. Kjo për mua është shokante përfundimisht”, shtoi ai.

Më pas, mbrojtja kërkoi nga trupi gjykues që Malcolm Simmons të ftohet në cilësinë e dëshmitarit, por që një kërkesë e tillë u refuzua.

E këtë rast, në fjalën e tij përfundimtare, prokurori e quajti “elefanti në dhomë”.

Prokurori tha se këto pretendime janë të rënda, por janë thjesht pretendime, ashtu që kërkoi nga trupi gjykues që të mos ta marrë parasysh.

http://kallxo.com/gjykimi-i-limajt-detaje-nga-fjala-perfundimtare-e-prokurorit/

Derisa, në fjalën përfundimtare të mbrojtjes, avokati i Limajt, Karim Khan, tha se do të shihet përmes shtypit se çfarë do të ndodhë më tutje.

Pretendimi i Simmons nuk u përmend në të gjeturat e trupit gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit.

E për këtë vendim, prokuroria ka të drejtë që të parashtrojkë ankesë brenda afatit ligjor.

Pas shpalljes së aktgjykimit, gjersa i gjithë publiku ndoqi jashtë Fatmir Limajn, në sallën e gjykatores vazhdoi të qëndronte i vetëm prokurori Charles Hardaway.

I pyetur nga KALLXO.com se a do të parashtrojë prokuroria ankesë, prokurori i rastit Charles Hardaway tha se nuk mund të thotë asgjë më tepër, përveç se për më tepër detaje do të lëshohet një komunikatë përmes zyrës për informim të EULEX- it.