2.2 Miliardë Dollarët e Pentagonit për Armët ish-Sovjetike Drejt Sirisë

Mposhtja e Shtetit Islamik në Siri është varur nga një linjë e dyshuar e furnizimit, duke drejtuar sasi të paprecendentë të armëve dhe municionit nga Europa Lindore për rreth 30 mijë luftëtarë rebelë kundër ISIS-it.

Të armatosur me AK-47 dhe granatahedhës të freskët nga linjat shtetërore të prodhimit dhe rezervat e Ballkanit, Europës Qendrore dhe ish- Bashkimit Sovjetik, këta trupa të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara po e zgjerojnë betejën për ta rifituar qytetin e Raqqa-s, kryeqytetin e të ashtuquajturit kalifat, dhe për t’i çliruar zonat e tjera të Sirisë të kontrolluara nga ISIS.

Por rrjedha e armëve deri te këto formacione të milicia-s të mbështetura nga Pentagoni varet nga një nga dokumentet e rrejshme, ka zbuluar një hulumtim i bërë nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Projekti për Raportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (OCCRP).

Operacioni është kritikuar nga ekspertët e transferit të armëve dhe zyrtarët e shqetësuar në Berlin, të cilët kanë parë sasi të mëdha armësh që kalojnë nëpër bazat ushtarake amerikane në Gjermani në rrugën e tyre drejt Sirisë.

Raportuesit kanë identifikuar më shumë se 700 milionë dollarë amerikanë të shpenzuara në armë dhe municione me gjasë të destinuara për rebelët sirianë që nga shtatori i vitit 2015, kur programi i Pentagonit për trajnim dhe pajisje kundër ISIS-it zhvendosi strategjinë.

Departamenti i Mbrojtjes ka buxhetuar 584 milionë dollarë në mënyrë specifike për këtë operacion sirian për vitet financiare 2017-2018 dhe ka rezervuar 900 milionë të tjera për t’i shpenzuar në municionet e tipit sovjetik prej tash deri në vitin 2022.

Një ndjekës i trajnimit nga Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Pentagoni, mëson si ta përdorë AK 47-shin e tij në një kamp sekret të trajnimit. (Foto: US Army/ Sgt. Mitchell Ryan)

Totali prej 2.2 miliardë dollarëve, me gjasë nënvlerëson rrjedhën e armëve te rebelët sirianë në vitet e ardhshme.

Armët dhe municioni që Pentagoni po e dërgon në Siri po barten përmes një rrjeti të zgjeruar logjistik, përfshirë një armate të dilerëve të armëve, kompanive transportuese të armëve, linjave ajrore cargo, bazave ushtarake në gjermane dhe aeroporteve e porteve në Ballkan.

Blerjet përshkojnë rrugën nëpërmjet dy kanaleve. Njëri është i drejtuar nga Komanda Speciale e Operacioneve e ShBA-ve, SOCOM, dhe tjetra është e operuar nga Picatinny Arsenal, një depo pak e njohur e armëve në Nju Xhërsi.

Programi anti-ISIS i Pentagonit u bë fushatë e veçantë e Uashingtonit në Siri në korrik të vitit 2017 pasi Presidenti Trump mbylli operacionin e financuar nga CIA, Syacamore, që synonte armatosjen e rebelëve që luftojnë kundër Presidentit Assad.

Trump është zotuar që “ta shlyejë nga faqja e dheut” ISIS-in dhe ka alokuar fonde për fushatën e Pentagonit, të cilat tani kanë në listë të pagave shumë grupe që dikur ishin kundër regjimit.

Me një sasi të madhe të armëve që vazhdojnë të derdhen në Siri, janë shfaqur edhe brengat për një konflikt më të gjerë të armatosur atëherë kur armiku i përbashkët ISIS të jetë i mundur.

Të pyetur rreth blerjes së paprecedentë të armëve të tipit sovjetik për rebelët sirianë, pentagoni tha se ka verifikuar me kujdes pranuesit e armëve dhe po i dorëzon pajisjet hap pas hapi.

Trajno dhe pajis: një zhvendosje e madhe e strategjisë

Përderisa ISIS e përfshiu Sirinë në vitin 2014, Pentagoni nxitoi të nisë një program 500 milionë dollarësh trajnimi dhe pajisjeje atë dhjetor për të ndërtuar një forcë të re të rebelëve sirianë, të armatosur me armë moderne amerikane, në një përpjekje për ta luftuar kërcënimin.

Por nëntë muaj më vonë, programi kolapsoi pasi që vetëm një grup i vogël i të rekrutuarve dolën në fushëbetejë.

Në stuhinë e titujve negativë nëpër media, Pentagonit iu desh një plan i ri: duke filluar nga shtatori vitit 2015, dhe pavërejtshëm nga mediat, Pentagoni zhvendosi fokusin në armatosjen e rebelëve sirianë që ishin tashmë në teren me armët e bllokut lindor dhe municionet që ata po i përdornin, sipas një dokumenti paraprak të paraportuar të Pentagonit të qershorit të vitit 2016.

Pajisjet e tipit sovjetik, si ato të prodhuara rishtaz edhe ato të marra nga rezervat, mund të gjenden në Europën Qendrore e Lindore si dhe nga ish vendet sovjetike, por edhe në Kinë e Rusi. Dy furnizuesit e fundit janë jashtë listës meqë pajisjet e tyre ushtarake bijnë nën sanksionet amerikane.

Dërgesa e parë e Pentagonit, e cila përfshiu 50 tonë municione, arriti në tetor 2015, vetëm një muaj pas zhvendosjes së politikës. Municionet u dërguan përmes ajrit te njësitet arabe brenda Forcave demokratike Siriane (SDF) që sapo ishin formuar, një koalicion i udhëhequr nga kurdët që aktualisht po i zgjeron luftimet për ta ripushtuar Raqqa-n, si dhe aleati më i madh i Pentagonit në Siri.

Kontejnerët e metaltë bartin municion ishin ngarkuar në portin bullgar MV Norfolk të komisionuar nga SOCOM, më 22 shtator 2016 para se të nisen për Jordani e Siri. Ivan Kolev, BIRN

Kjo nuk duket të ketë qenë dërgesa e vetme dhe SDF nuk duket të ketë qenë formacioni i vetëm që ka pranuar mbështetje- një koalicion i ndryshuar i luftëtarëve rebelë në juglindje të Sirisë gjithashtu është armatosur nga Pentagoni.

Linja e furnizimit e Socom

Komanda e Operacioneve Speciale, SOCOM, më parë nuk e kishte ditur rolin e vet në programin sirian të trajnimit dhe pajisjes, por në një deklaratë më shkrim për BIRN dhe OCCRP, Pentagoni konfirmoi se ajo ka qenë e ngarkuar për prokurimin e armëve dhe municionit për rebelët sirianë.

Që nga zhvendosja e strategjisë deri në maj 2017, ajo ka blerë armë dhe municione në vlerë prej 240 milionë dollarë nga Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, republika Çeke, Kazakistani, Serbia, Polonia dhe Rumania sipas një analize të mijëra dokumenteve të prokuruara të siguruara nga BIRN dhe OCCRP. Para fillimit të programit, shpenzimet e tyre në bllokun lindor ishin shumë të vogla.

Përderisa SOCOM është i njohur për t’i mbështetur fshehurazi partnerët amerikanë në konflikte tjera, dëshmi dokumentuese, ekspertë analizues dhe dëshmi të një kontraktuesi të përfshirë në linjën e furnizimit konfirmuan se Siria është destinacioni kryesor i këtyre blerjeve.

Forcat rebeletë mbështetura nga SHBA në Siri

Ndërmjet dhjetorit 2015 dhe shtatorit 2016, SOCOM gjithashtu ka transportuar katër ngarkesa cargo nga portet rumune dhe bullgare të Detit të Zi të ngarkuara me 6,300 tonë të municionit të blerë për t’u dërguar në bazat ushtarake në Turqi dhe Jordani, bazat kryesore logjistike për furnizimin e rebelëve sirianë, sipas dokumenteve të prokurimit, listave paketuese dhe të dhënave të përcjelljes së anijeve.

Ajo gjithashtu porositi fluturime komerciale cargo me kompaninë ajrore të Azerbajxhanit Silk Way për bazat ajrore në Turqi dhe Kuvajt, pika tjera kyçe të misionit anti- ISIS.

Pentagoni ka kërkuar 322.5 milionë dollarë shtesë për vitin buxhetor që mbyllet në tetor 2017 dhe 261.9 milionë të tjerë për 12 muajt vijues [shih infografikën], për të blerë municione për trajnimet në Siri dhe për ta pajisur programin.

Këtu përfshihen edhe dhjetëra mijëra AK-47 dhe granatahedhës, RPG, si dhe qindra milionë copë municione, sipas kërkesës për financim të bërë nga pentagoni dhe administrata Trump.

SOCOM tashmë kishte lënë një gjurmë në buxhet deri në shkurt, pasi kishte lëshuar një listë blerjesh prej 90 milionë dollarë në mënyrë specifike për Siri, të parë nga raportuesit, e cila përfshin 10 mijë AK-47, 6 mijë raketahedhës, 6 mijë armë të lehta dhe të rënda dhe 36 milionë copë municione.

Picatinny: Zbulohet një linjë e re furnizimi

SOCOM megjithatë nuk është njësia e vetme e Pentagonit që po blen municione për programin sirian të trajnimit dhe pajisjes.

Picatinny Arsenal, një bazë ushtarake në Nju Xhërsi, me ndihmën e objektit simotër në Rock Island të Nju Xhërsit, është gjithashtu pjesë kryesore e zinxhirit të furnizimit.

Ky hulumtim ka arritur të zbulojë se ajo ka blerë armë dhe municione të tipit sovjetik deri në 480 milionë dollarë për rebelët sirianë që nga ndryshimi i strategjisë nga Afganistani, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Rumania, Çekia, Ukraina, Gjeorgjia, Polonia e Serbia.

Picatinny mburret me rekordet e veta të furnizimit me sasi të mëdha të pajisjeve nga blloku lindor në Irak dhe Afganistan, por kjo është shumë e kujdesshme rreth rolit të vet në konfliktin e Sirisë, i cili është përçarës ndërkombëtarisht dhe përfshin grupet furnizuese të milicias e jo armatat shtetërore.

Kjo nënkupton se përderisa blerjet e municioneve jostandarde- eufemizëm amerikan për pajisjet e tipit sovjetik- ishin qartësisht të shënuara për Irak dhe Afganistan, duket se është politikë e Pentagonit që të mos i përmendë mallrat e prokuruara të destinuara për Siri.

BIRN dhe OCCRP zbuluan shtatë kontrata në vlerë prej 71 milionë dollarë që ishin nënshkruar në shtator 2016 dhe përmendën Sirinë qoftë me emër ose me kodin e brendshëm të Departamentit të Mbrojtjes- V7- për programin e trajnimit dhe pajisjes në Siri. Por këto referenca u fshinë shumë shpejt nga dokumentet publike pasi BIRN dhe OCCRP e pyetën Departamentin e Mbrojtjes dhe shtetet furnizuese rreth këtyre dërgesave në mars të këtij viti.

Raportuesit i bënë kopje të gjitha dokumentet para se ato të fshiheshin. Pentagoni refuzoi që të komentojë për këtë modifikim.

Përveç 71 milionë dollarëve të shënuara për Sirinë, një furnizim prej 408 milionë dollarë nga blloku lindor është bërë që nga zhvendosja e strategjisë pa e përmendur destinacionin.

Dërgesat drejt rebelëve sirianë duket se do të rriten në vitet në vijim pasi që Picatinny tashmë ka rezervuar jo më pak se 950 milionë dollarë për t’i shpenzuar në municionin e tipit sovjetik deri në vitin 2022- ajo shpenzoi 1.3 miliardë dollarë amerikanë në dekadën e kaluar- duke vendosur presion më të madh në linjën e furnizimit.

Gërvishtja e fundit të fuçisë

Linja e sapozbuluar e 2.2 miliardë dollarëve e financuar nga SHBA-të, si dhe një linjë tjetër prej 1.2 miliardësh e financuar nga Arabia Saudite, Jordania, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e cila është zbuluar më herët nga BIRN, kanë sjellë fitime të mëdha për prodhuesit e armëve në Europën Lindore e Qendrore.

Fabrikat si ajo Krusik për prodhimin e raketave në Serbi dhe fabrika ushtarake VMZ në Bullgari kanë rritur prodhimin në mënyrë drastike si përgjigje ndaj kësaj. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq premtoi më 1 korrik se edhe “livadhet e pyjet” do t’i shndërrojë në fabrika të armëve dhe gati ta dyfishojë eksportin e armëve në 750 milionë dollarë në vitin 2020 përderisa po kalonte nëpër fabrikën e sapohapur të plumbave, Belom.

Përderisa linja e furnizimit ende nuk është tharë, kontraktuesit e Pentagonit kanë qenë të detyruar që të çajnë rrugë për burime të reja dhe kanë kërkuar leje për të ofruar material nga rezervat e vjetruara në vend të materialit të sapoprodhuar, sipas dokumenteve të siguruara nga raportuesit.

Shtetet e Bashkuara tradicionalisht janë drejtuar në Rumani dhe Bullgari kur ka qenë nevoja për armatim jostandard, por vala e madhe e kërkesave, sipas dokumenteve amerikane të prokurimit, ka detyruar kontraktuesit që të shikojnë edhe në Çeki, Bosnjë e Hercegovinë dhe tani edhe te fqinjët rusë në Ukrainë, Gjeorgji dhe Kazakistan, madje edhe në Afganistan.

Rruga e Pentagonit nëpër Detin e Zi drejt Sirisë

Përderisa kërkesa vazhdon të rritet, gara ndërmjet kontraktuesve për të siguruar armë po bëhet edhe më e ashpër, duke i detyruar ata që të shikojnë edhe më tej, përfshirë edhe Pakistanin e Vietnamin, tha një burim.

Kontraktuesi i Pentagonit, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se kjo situatë ka krijuar “një mjedis ku lakmia është faktor motivues ndër shumicën… e kontraktuesve të përfshirë”.

Furnizimet e vogla e kanë shtyrë Pentagonit që t’i ulë standardet për armë dhe municione. Më parë ai ka kërkuar nga furnizuesit që të ofrojnë pajisje më pak se pesë vjet të vjetra por në shkurt Pentagoni zbuti kërkesat për disa pajisje, sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga BIRN dhe OCCRP.

Municionet e ruajtura në kushte të mjerueshme degradojnë, nganjëherë duke u bërë të papërdorshme e madje edhe të rrezikshme. Një kontraktues i Pentagonit që duhej t’i trajnonte rebelët sirianë vdiq në qershor të vitit 2015 kur një RPG e vjetër 30 vjeç që ai po e mbante në duar shpërtheu në një pistë qitjeje në Bullgari.

Dëmtimi i sistemit të kontrollit të armëve

Funksionimi i duhur i linjës së furnizimit të armëve drejt Sirisë varet jo vetëm në ruajtjen e sekretit të destinacionit përfundimtar të armëve por edhe që vendet furnizuese të Europës Lindore të mos bëjnë shumë pyetje se pse Shtetet e Bashkuara po kërkojnë kaq shumë armë në bllokun lindor, thonë ekspertët që kanë shqyrtuar dëshmitë e siguruara nga BIRN dhe OCCRP.

Këta ekspertë besojnë se si rezultat i kësaj, të dyja palët me gjasë po shkelin obligimet e tyre ndërkombëtare.

Një certifikatë valide e përdoruesit që garanton destinacionin përfundimtar të armëve dhe municionit është një kërkesë standarde ligjore ndërkombëtare për të siguruar një licencë të eksportit të armëve, por një certifikatë e përdoruesit e lëshuar nga SOCOM nën programin për Sirinë dhe e parë nga BIRN dhe OCCRP nuk e përmend shtetin e Lindjes së Mesme.

Në vend të kësaj, aty listohet SOCOM si përdorues përfundimtar, pavarësisht faktit se ushtria amerikane vetë nuk përdor armë nga blloku lindor. Dokumenti thotë se “materiali do të përdoret për qëllime të mbrojtjes në përdorim të drejtpërdrejtë nga qeveria amerikane, të transferuara me anë të granteve si edukim ushtarak ose program trajnimi ose asistencë në siguri”.

Dokumenti është i ngjashëm në formulim për katër certifikata të përdoruesit të SOCOM të rrjedhura online më herët gjatë këtij muaji, të cilat detajojnë se si armët ose municioni do të jenë për “përdorim ekskluziv të Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-ve, aleatëve të saj në NATO dhe partnerëve në mbështetje të operacioneve amerikane të trajnimit, asistencës së sigurisë dhe stabilitetit”.

Në një përgjigje të detajuar me shkrim, pentagoni nuk kundërshtoi emërimin e Ushtrisë Amerikane si përdoruesin përfundimtar, duke shtuar se e shikoi transferin e armëve te rebelët sirianë si pjesë të programit të saj të “asistencës së sigurisë”, një term që e përdor në dokumente ligjore.

Por Wilcken, një hulumtues për çështje të armatimit në Amnesty International, i përshkroi këto certifikata përdorimi si “shumë mashtruese” duke shtuar: “Një certifikatë e tillë që nuk përmban këtë informacion [destinacionin përfundimtar] do të ishte vetë-mposhtje dhe shumë e pazakontë”.

Uashingtoni nuk e ka ratifikuar ende Traktatin e OKB-së për Tregti të Armëve, një marrëveshje ndërkombëtare që synon ta rregullojë transferin e armëve duke parandaluar diversionin e tyre në zona të luftës dhe për ta përmirësuar transparencën, prandaj nuk i bindet ligjërisht atij. Por si nënshkruese, nga SHBA pritet të mos e minojë marrëveshjen, diçka që Wilcken thotë se Uashingtoni është duke e bërë.

Si shtet anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), Uashingtoni megjithatë ka nënshkruar një sërë masash për ta parandaluar trafikimin e armëve- përfshirë edhe një vendim bindës se përdoruesi i certifikatës përfshin edhe shtetin final destinues.

Shtetet eksportuese europiane kanë ratifikuar ATT-në dhe gjithashtu lidhen me vendimet e OSBE-së dhe rregullat edhe më strikte të BE-së, të njohura si Qëndrim i Përbashkët (Common Position) për Eksportin e Armëve. Rregullat e BE-së aplikohen në shumicën e vendeve aspiruese për anëtarësim.

Nën ATT dhe Qëndrimin e Përbashkët të BE-së, para se të lëshojnë licencë eksportuesit duhet ta matin rrezikun që armët dhe municioni mund të devijohet dhe të përdoret për kryerjen e krimeve të luftës ose “për të minuar paqen e sigurinë”.

Pa e ditur destinacionin përfundimtar, një vlerësim i tillë është i pamundur që nënkupton se shtetet eksportuese po veprojnë “me pakujdesi”, tha Wilcken.

Rob Isbister nga Saferworld, një organizatë joqeveritare e cila punon për ta fuqizuar kontrollin ndërkombëtar të tregtisë së armëve, tha: “Nëse SHBA-të po manipulojnë procesin dhe po ofrojnë mbulesë për të tjerët që ta thonë padijeninë për përdoruesit e armëve në fjalë, atëherë i tërë sistemi i kontrollit është në rrezik”.

Autoriteteve në Rumani, Bullgari, Çeki, Serbi, Ukrainë dhe Gjeorgji u janë prezantuar dokumentet e prokurimit amerikan të cilat tregojnë se armët që ato kanë eksportuar ishin të destinuara për Siri. Rumania, Çekia dhe Serbia thanë për BIRN dhe OCCRP se ato kanë lëshuar licenca eksporti për SHBA-të, jo për Sirinë si destinacion përfundimtar. Ministria e Punëve të Jashtme në Pragë shtoi se e ka mbështetur luftën amerikanë kundër ISIS-it, por refuzoi të konfirmojë nëse ishte në dijeni për destinacionin përfundimtar të armëve.

Ministria e Mbrojtjes e Gjeorgjisë tha se një marrëveshje eksporti ishte duke u negociuar por ajo nuk kishte pranuar një certifikatë përdorimi nga Pentagoni dhe se nuk kishte nënshkruar asnjë kontratë. Ukraina dhe Bullgaria nuk janë përgjigjur në kërkesat për koment.

Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Polonia, Kazakistani e Afganistani të cilat janë pajtuar për t’i shitur armë SOCOM-it or Picatinny-t për një destinacion të paspecifikuar që nga shtatori i vitit 2015, gjithashtu janë pyetur nëse kanë qenë në dijeni nëse këto armë do të përfundonin në Siri.

Bosnja konfirmoi se ka lëshuar licenca eksporti për SOCOM por jo për Sirinë, përderisa Polonia e Kroacia thanë se u binden rregullave ndërkombëtare. Kazakistani dhe Afganistani nuk janë përgjigjur.

Autoritetet gjermane duket se kanë qenë më pak të rehatshëm me atë se si ka operuar ky kanal i furnizimit me armë. Një email i rrjedhur i Pentagonit të cilin e ka siguruar BIRN dhe OCCRP zbulon se si Berlini u bë “shumë i ndjeshëm” ndaj sasive të mëdha të armëve të bllokut lindor që kalojnë nëpër territorin e vet në bazat amerikane, të cilat qartësisht janë ridrejtuar në Siri.

Armët vazhdojnë të derdhen në Siri për ta luftuar ISIS-in dhe frika po shtohet se çka do të ndodhë me armët dhe luftëtarët kur xhihadistët të mposhten.

Wilcken tha se ai frikësohet për të ardhmen e Lindjes së Mesme.

“Marrë parasysh situatën shumë komplekse dhe fluide në Siri… dhe ekzistencën e shumë grupeve të armatosura të akuzuara për abuzime të rënda, është e vështirë të shohim se si ShBA-të mund të sigurohen se armët e dërguara në rajon nuk do të keqpërdoren”, tha ai.

Raportit i kontribuuan: Pavla Holcova, Maria Cheresheva, Roxana Jipa, David Bloss, Roberto Capocelli, Ana Babinets dhe Frederik Obermaier.

Linja e CIA-s, Picatinny

CIA përdori arsenalin pak të njohur të Pentagonit për t’i blerë armët për rebelët kundër Assadit, tha një konktraktues.

Një kontraktues i SOCOM, i cili kërkoi të mos i përmendet emri, identifikoi Picatinny Arsenal të Pentagonit si burim për programin e drejtuar nga CIA për t’i armatosur rebelët sirianë që luftojnë Presidentin Assad si dhe fushatën anti-ISIS të Pentagonit.

Operacioni i maskuar i CIA-s Sycamore, i cili nisi në vitin 2013 nën Presidentin Obama, u ndal në korrik të vitit 2017 nga Presidenti Trump.

Dokumentet e prokurimit tregojnë se Picatinny Arsenal më parë kishte blerë municion të tipit sovjetik për Camp Stanley në Teksas, i cili, sipas një raporti të vitit 2015 nga një ish analist i CIA-s, me gjasë ishte strehë për depon sekrete të grupeve rebele të armatosura nga Nikaragua në Afganistan.

Një kontratë e qershorit të vitit 2016 e Picatinny për “armë jo-standarde” gjithashtu thekson përfshirjen e CIA-s. Aty thuhet se sasi të paspecifikuara të armëve si AK-47 dhe RPG do të blihen në emër të “një agjensie tjetër qeveritare”, një eufemizëm për CIA-n.

 

Raportimit i kontribuuan edhe Pavla Holcova, Maria Cheresheva, Roxana Jipa, David Bloss, Roberto Capocelli, Ana Babinets dhe Frederik Obermaier.

Hulumtimi është bërë në kuadër të projektit të BIRN “Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë”