Ilustrim

18 Mijë € False në Kontejner

Një qytetar në Prishtinë, rastësisht, ka zbuluar në një kontejner të mbeturinave 17 800 euro, që dyshohet të jenë të falsifikuara.
 
Qytetari e ka lajmëruar policinë, sot në mëngjes, se kishte gjetur një sasi të parave në një kontejner të mbeturinave në rrugën e “UÇK”-së në Prishtinë.

Ai menjëherë ka kontaktuar me autoritetet policore dhe rasti është iniciuar në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit (DHKEK).

“Pas verifikimit të parave në bankënota prej 500 € dhe 100 € nga zyrtarët e DHKEK-së, policia dyshon se bëhet fjalë për monedha të falsifikuara pasi në to mungojnë tiparet e sigurisë duke filluar nga kualiteti i letrës, numrat serik, shenjat ujore etj”, ka njoftuar policia nëpërmes një komunikate shtypi.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim, ndërsa iu apelon që të jenë të kujdesshëm gjatë pranimit të bankënotave të ndryshme, dhe që në rast të dyshimit, të kontrollojnë për tiparet e sigurisë.

Tiparet e sigurisë tek bankënotat origjinale euro janë:
Shenja Ujore – shtypi reliev (me gritha); Shiriti i sigurisë; Hologrami (vula e hologramit); Ngjyra vizualisht e ndryshuar (me lëvizjen e bankënotës ndryshon ngjyra nga vjollce në të gjelbër); Të shikohet përtej regjistrit (në pjesën e përparme gjendet gjysma e numrit të bankënotës, kurse gjysma tjetër gjendet në pjesën e pasme, por në të njëjtën pozitë); Mikro-shkrimi – Kualiteti i letrës  (është më i yndyrshëm dhe ka aromë).

Policia kërkon nga qytetarët që në rast të dyshimit për monedha të falsifikuara të lajmërojnë stacionin më të afërt policor.