140 Njohje Jozyrtare

Në gushtin e vitit 2009 ‘Mr.R’ nga Kosova kishte hyrë në forumin ‘travelchinaguide.com’ për të kërkuar përgjigjen që tjetërkund nuk mund të gjente. 

“Tung, unë kam pasaportë të Kosovës, a mund të aplikoj për vizë turistike për në Kinë sepse dua ta vizitoj atë?”, pyeste ‘Mr.R’. 

Aq e madhe është Kina sa ‘Ms.Lee’ e gaboi kërkesën e ‘Mr.R’ pasi mendonte se ai veç ndodhej brenda këtij shteti dhe i sugjeronte të paraqitej në komunën përkatëse. Por, ‘Mr.Owen’ e kapi temën dhe ai dha një përgjigje ndihmuese.

“Mr.R, juve mund të aplikoni për vizë kineze në ambasadën e Kinës në Vjenë me pasaportën tuaj të Kosovës”, i tha ai. “Shkoni lirisht”.

Qindra qytetarë të Kosovës mund të hasen duke kërkuar përgjigje të tilla në forume të ngjashme, të pasigurtë se mund të udhëtojnë kur u duhet – për punë ose thjesht për qejf. Interneti është një mënyrë e lehtë dhe familjare për të kërkuar përgjigje, por ata shpesh shtyhen në këso veprimesh për shkak se pyetjet e tyre nuk do të marrin përgjigje nga institucionet.

Janë shpesh ata prej të cilëve merret vesh nëse me pasaportë kosovare mund të udhëtohet, sidomos në vendet më ekzeotike. Ta zëmë, ndonëse është raportuar që disa kosovarë kanë udhëtuar nëpër Kinë, ajo nuk njeh as shtetin dhe as pasaportat e Kosovës. 

Në forumin blurtit.com një kosovar pyeti “a mund të udhëtoj në Spanjë me pasaportë të Kosovës?”. 

“Nëse ke vizë Schengen që nuk përjashton Spanjën atëherë sigurisht se mund të udhëtosh në Spanjë”, iu përgjigj A. Anonimus. “Nëse në vizën tuaj Schengen nuk është e përfshirë Spanja atëherë të duhet një vizë e veçantë nga ambasada spanjolle kudo që të jesh”.

Ndërsa vitet shkojnë gjendja nuk ka ndryshuar shumë. 

Prandaj kur komisionerja eurpoiane Cecilia Malmstrom paralajmëroi në fillim të këtij muaji mundësinë e nisjes së shpejtë të negociatave për liberalizim e vizave edhe për Kosovën, ajo vetëm sa ngjalli frymën e frustrimit.

Përkundër përpjekjeve për lobim nëpër botë, në krye me Zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, dhe ndonëse njohjet ngadalë po vijnë e numri ka arritur në 85, udhëtimi i kosovarëve nuk është lehtësuar.  

Kryeministrit Hashim Thaçi kishte shpërblyer kompaninë reklamuese Saatchi & Saatchi nga Tel Avivi i Izraelit për ta promovuar në botë shtetin kosovar, por kjo duket të ketë kryer prapë pak punë. 

Më konkretisht, kampanja reklamuese e quajtur në anglisht “The Young Europeans”, tenderi për të cilën i kushtoi xhepave kosovarë jo më pak se 5.7 milionë euro, nuk ua ndryshoi asgjë epitetin e vjetër europianëve të izoluar. 

Që nga shpallja e Kosovës shtet, udhëtimi në shumë vende të botës u bë i pamundshëm për shkaqe politike, burokraci vizash e mosnjohje të pasaportave kosovare. 

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, thotë se kosovarët kanë mundësi të udhëtojnë me pasaportat e tyre në më shumë se 140 shtete të botës.

“Republika e Kosovës tanimë është njohur edhe formalisht si e pavarur dhe sovrane nga 85 shtete anëtare të OKB’së”, tha Selimi. “Dhe kosovaret me pasaportat e tyre kanë udhëtuar në më shumë se 140 shtete të ndryshme”.

Por, përveç Kinës gjigante që sot ngjallë kuriozitetin e të gjithëve, kosovarët nuk mund dhe sidomos nuk janë të sigurtë të udhëtojnë në shtete si Rusia nëse dikush nga ata ëndërron qytetin e shkrimtarëve Shën-Petersburg, ose njërin ndër kryeqytetet më të mëdha të botës Buenos Aires të Argjentinës, Marokun e ‘Casa Blancas’ etj.

Disa shtete të tjera, shumë interesante për t’u vizituar, mund të ndodhë t’u japin leje ‘pasagjerëve të çuditshëm’. Bëhet disi çështje fati.  

Genc Kastrati, themeluesi i web-faqes “Kosovo Thanks You”, ku shënohen të gjitha njohjet e reja për shtetin thotë se, nga përvoja e tij, ka edhe disa përjashtime për shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën – të cilat nënkuptohet se nuk e njohin as pasaportën e saj – e që mund të lëshojnë viza për të hyrë në vendet përkatëse. 

 “Tailanda është shembull. Ambasada e saj në Gjenevë nuk e pranon se jep viza për qytetarët e Kosovës, por nëse aplikon ta japin atë”, thotë Kastrati. 

“Ndërsa për shtetet tjera si Gana, ku do të udhëtoj së shpejti, dhe për ku kam marr vizë për udhëtim zyrtar, kjo nuk i dihet. Ndoshta e kam marrë vizën për udhëtim personal, prandaj është vështirë të them se Gana e pranon pasaportën e Kosovës”, shtoi ai. 

Të tjerë kosovarë që kanë pasur rastin të udhëtojnë në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën shprehen të mllefosur me faktin se për një udhëtim të thjeshtë atyre u nevojiten shumë letra dhe kohë për të grumbulluar dokumentacionin e duhur.

Ndonjë herë ndodhë që vizën t’ua shtypin në letër, e jo në pasaportë. Ta zëmë, kështu bën Rumania. Por, ka shtete të cilat injorojnë krejtësisht ‘Europianët e rinj”.

Alban Muja, artist i ri kosovar, tregon se shpeshherë është dashur të anulojë pjesëmarrjet e tij nëpër ekspozita të ndryshme ose manifestime kulturore, për shkak të regjimit të vizave ose mosnjohjes së dokumenteve të Kosovës nga shteti përkatës.

“Kas pasur fat që në Argjentinë shkova me pasaportë jugosllave, e cila kishte ende afat [2010], se përndryshe nuk e besoj se do të kisha mundur ta vizitoj Buenos Airesin”, shprehet Muja. “Në Rusi ka qenë e pamundur të udhëtoj edhe pse kam pasur ftesë zyrtare”.

Vështirësitë janë më evidente sidomos për këso vende më të largëta dhe që tingëllojnë më ‘ekzotike’. Udhëtimet e tilla mund të bëhen shpesh sfida të vërteta të mbushura me plot dramë. 

Mrika Aliu, studente e diplomuar në Universitetin Amerikan, kishte qenë në udhëtim në Singapor. 

Foto: SXC
Foto: SXC

 

Në Azi ekziston një ‘gojëdhënë’ se si Kryeministri i atëhershëm i Singaporit kishte qarë para medieve kur ky vend qe ndarë nga Malajzia me dëshirën e kësaj të fundit, në fillim të viteve 70’të, nga frika se vendi do të dështonte. Tani, Singapori është një shembull suksesi në tregtinë botërore, duke iu falënderuar pozitës dhe përdorshmërisë së porteve detare të tij. 

Mrika kishte mundësi të përjetonte këtë qytet-shtet suksesi në rajonin ku nuk preferohen shtetet e vogla. 

“Në Singapor kam shkuar për një konferencë studentore – World Model of United Nations, WorldMUN”, tregon ajo. “Singapori nuk na njeh neve si shtet, mirëpo për ketë konferencë të madhe studentore ata kanë pranuar që delegacionit tonë t’i japin lejeqëndrim për atë javë”. 

“Para se të shkonim atje, organizatorët e konferencës e kanë marrë përsipër që lista me emrat tanë të jetë në zyrën e imigracionit në aeroport”.

Nuk janë vetëm vendet e tilla të largëta ku është problem të udhëtohet. Pengesat dhe sasia e dokumenteve që u kërkohen kosovarëve për të udhëtuar në Europë jo që thjeshtohet me afrimin e dialogut për liberalizimin e vizave – ajo vështirësohet. Praktika është konfirmimi më i mirë.  

“Edhe pse kam pasur vizë amerikane për tri vjet dhe kam pasur edhe viza të tjera gjashtëmuajshe Schengen, shumë vështirë e pata herën e fundit për ta marrë vizën për në Francë”, tregonte Yllka Metaj, njëzetetrevjeçarja nga Prishtina. 

“Më herët më është dashur që të aplikoj në Shkup për vizë franceze, ndërsa sot që mundem edhe në Prishtinë, po nxjerrin shumë telashe me shumë dokumente shtesë, që asnjëherë më herët nuk mi kanë kërkuar”.

Udhëtimi në shtetet që nuk kanë përfaqësi, zyrë, konsullatë ose ambasadë në Prishtinë, paraqet ngarkesë të posaçme shtesë për ‘europianët e rinj’. Ndonjë herë ata duhet të udhëtojnë deri tek shtetet fqinje për të marrë viza paraprake, e shpesh deri edhe në Europën Qendrore, si në Vjenë. 

“Për të udhëtuar në Izrael, ambasada e tyre në Beograd nuk ma pat mundësuar vizën, për shkak që intervistat i bënin me telefon dhe kurrë nuk mu lajmëruan pastaj”, shtoi Yllka, e cila kishte pasur ftesë për të vizituar Izraelin.

Nganjëherë ‘europianëve të rinj’ u nevojiten edhe nga dy viza për të shkuar në destinacionin e duhur sepse nuk u është e mundur ‘të shkelin’ në ndonjë shtet përkatës. Kjo sidomos dhemb kur të gjithë fqinjët janë liruar nga këto burokraci.

Në web-faqen e MPJ’së nuk ka as shpallje zyrtare nga e cila qytetarët mund të informohen se ku munden ose nuk mund të udhëtojnë. 

Zëvendësministri Selimi thotë se ministria ka një evidencë të shteteve që pranojnë pasaportat por se kjo evidencë nuk mund të shërbejë si udhërrëfyes se cilat shtete pranojnë dokumentet e Kosovës e cilat jo.

“Ka raste margjinale kur as vetë shtetet nuk kanë politika të shkruara dhe të miratuara vis-a-vis Kosovës”, tha ai.

Por zëvendësministri thotë se fakti që pasaportat e Kosovës njihen nga shumë shtete që ende nuk e kanë zyrtarizuar njohjen formale të vendit “flet se Kosova tashmë e ka të konfirmuar statusin e pavarur juridik në sytë e shumicës së anëtarëve të OKB’së”.

“Për këtë flet edhe vota e shumicës së vendeve pro-Kosovës tek procesi i anëtarësimit në FMN dhe Bankën Botërore”.