GjND Vendos Sot për Paditë e Kroacisë dhe Serbisë për Gjenocid

Pesëmbëdhjetë vjet pasi Kroacia ngriti padi kundër Serbisë për gjenocid, dhe pesë vjet pasi Serbia paraqiti një kundër kërkesë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) do ta paraqesë sot vendimin e saj.

Dëgjimet janë mbajtur në GjND në mars dhe prill të vitit të kaluar kur që të dy palët, Beogradi dhe Zagrebi, prezantuan dëshmitë e tyre para gjyqtarëve.

Që të dyja shtetet kanë shpenzuar shuma të mëdha të parave për t’i siguruar rastet e tyre para GjND-së. Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë të Kroacisë, shteti shpenzoi 28,111,589 kuna [rreth 3.7 milionë euro] për rastin e saj. Ministria e Jashtme e Serbisë tha se Beogradi ka shpenzuar 800,000 euro.

Gjatë dëgjimeve, Zagrebi synoi të dëshmojë se njësitë e komanduara nga Beogradi vranë më shumë se 10 mijë kroatë gjatë një kampanje të pastrimit etnik në fillim të viteve 1990 në luftën në Kroaci.

Serbia ka deklaruar se ushtria kroate ka kryer gjenocid gjatë Operacionit Stuhia në vitin 1995, gjatë së cilit ushtria kroate riktheu një pjesë të territorit kroat të okupuara më herët nga serbët e Kroacisë. Më shumë se 200 mijë serbë nga Kroacia ikën nga shteti si pasojë e kësaj.

Kroacia ngriti padi për gjenocid kundër Serbisë në vitin 1999, duke kërkuar gjithashtu që Beogradi të ndëshkojë ata që kanë kryer krime lufte gjatë konfliktit, të kthejnë pronën kulturore të plaçkitur, dhe të paguajë dëmet që janë shkaktuar gjatë luftës.

Serbia dërgoi kundër kërkesën në vitin 2010, duke pretenduar se Kroacia ishte fajtore për gjenocidin kundër serbëve gjatë dhe pas luftës.

Edhe Zagrebi edhe Beogradi shprehën besimin që ato do ta fitojnë rastin, por ekspertët sugjeruan se asnjëra nga këto shtete nuk do të jetë në gjendje të ofrojë dëshmi për akuzën për gjenocid.

Ata gjithashtu shprehën shqetësimin se rastet gjyqësore mund ti përkeqësojnë edhe më shumë marrëdhëniet në mes të dy shteteve fqinje.

Që kur është formuar pas Luftës së Dytë, GJND la njohur vetëm një rast të gjenocidit, masakrën në Srebrenicë në Bosnjën lindore në vitin 1995.