Gjina Zeqiri | Foto: KALLXO.com

Gjina Zeqiri Fton Pacientët Kosovarë në Bosnjë

Gjinekologia e cila është në arrati pasi që kërkohet nga shteti i Kosovës për thyerje të profesionalizmit dhe punë pa leje të Komisionit për Frytnim të Asistuar Mjekësor, po i fton pacientët nga Kosova të shkojnë në Bosnjë për t’u trajtuar.

Zeqiri po ua reklamon në Facebook pacientëve kosovarë spitalin turk “Jinemed” me arsyetimin se ata duhet të njihen me ekipin e mjekëve profesionistë të tij.

E kontaktuar nga KALLXO.com Zeqiri mohon se është duke punuar me këtë spital, por nuk e hodhi poshtë mundësinë se mund të punojë atje.

“Ndoshta do të punoj në të ardhmen, edhe pse e di që tendenca e konkurrentëve të mi kosovarë është që të ma pamundësojnë që të punoj kudo, e sidomos në Ballkan, nga frika se do t’ua marr pacientët të cilët në fakt ata nuk i meritojnë, meqë nuk janë të edukuar që të punojnë fare në këtë lëmi”, tha Zeqiri.

gjina zeqiri per spitalin turk

Zeqiri nuk e ka frikën e ekstradimit nga ndonjë shtet në Kosovë, ndërsa veten e konsideron viktimë të shtetit jofunksional.

“Unë kam nënshtetësi tjera më të fuqishme sesa ajo e Kosovës, kështu që asnjë shtet nuk është i interesuar që mua si viktimë të një shteti jofunksional siç është Kosova të më ekstradojë në atë xhungël”, tha ajo për KALLXO.com.

Në postimet e saj në rrjetin social Facebook Zeqiri thotë se edhe përcaktimi i gjinisë nuk është krim dhe se këtë e kanë bërë shumë yje botërore.

“Shumë yje janë bërë prindër duke iu falenderua tretmanit të frytnimit të asistuar mjekësor apo IVF-it. Madje, për hir të planifikimit familjar, me procedurat e IVF-it pacientët mund të përcaktohen për një apo më shumë fëmijë, e poashtu mund ta përzgjedhin edhe gjininë e fëmijëve të tyre. Pra, përzgjedhja e gjinisë nuk është krim, por është një e drejtë e prindërve për një familje të lumtur”, ka shkruar Zeqiri.

Gjina Zeqiri per percaktimin e gjinise

Në Kosovë neni 25 i Udhëzimit Administrativ 06/13 e ndalon përzgjedhjen e gjinisë. I njëjti udhëzim administrativ ndalon edhe reklamimin e këtyre shërbimeve në çfarëdo forme.

Zeqiri në Kosovë kërkohet për shkak se ndaj saj rëndojnë akuzat se nuk e kishte bërë vërtetimin e licencës pas datës 27.04.2013, se kishte të punësuar dy shtetas turq të palicencuar, se ka bërë përzgjedhje të gjinisë, se janë kryer procedurat e FAM-i të femrat mbi moshën e lejuar 45 vjeçare pa marrë mendimin e Komisionit për Fertilizim të Asistuar Mjekësor dhe se nuk ka pasur regjistër nacional për personat që kanë kryer procedurat e FAM-it.

Me 15 janar 2016 prokuroria ngriti aktakuzë kundër disa bashkëpunëtorëve të Gjina Zeqirit, ndërsa për Gjina Zeqirin  fillimisht është bërë pezullimi i hetimeve, mirëpo pastaj është bërë kërkesë për vazhdimin e procedurës penale.

Me datën 3 shkurt emisioni “Jeta në Kosovë” ka shfaqur hulumtimin për Frytnimin e Asistuar Mjekësor kur Zeqiri ishte intervistuar në arrati.

Në këtë emision kanë dhënë shpjegimet e tyre të gjitha organet përgjegjëse në trajtimin e rastit të spitalit të Gjina Zeqirit.