Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilani Ndryshon Statutin, Rikthehen Dy Drejtori Komunale

Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtoria e Inspektoratit janë kthyer në ekzekutivin e Komunës së Gjilanit.

Kuvendi i Gjilanit, nën drejtimin e kryesueses Shpresa Kurteshi-Emini, ka miratuar të enjten ndryshimet dhe plotësimet në statutin e Komunës, me 29 vota për dhe 6 kundër dhe kështu i ka hapur rrugë riorganizimit të ekzekutivit, duke rikthyer dy drejtoritë e mëhershme, Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Drejtorinë e Inspektoratit.

Megjithatë asamblistët  nuk kanë  përkrahur krijimin e drejtorive tjera dhe as komiteteve, me përjashtim të Komitetit për personat me aftësi të kufizuar.

Komuna e publikoi të gjithë procesin e votimit të statutit të ri të komunës:

Komuna e Gjilanit njoftoi që Lëvizja Vetëvendosje, me një përjashtim, ka votuar kundër ndryshimit të statutit, edhe pse kërkesa e saj për themelimin e një komisioni komunal për të vlerësuar punën e katër viteve të kaluara në sektorin e ndërtimeve pa leje dhe ambient, u përkrah nga subjektet tjera. LVV insistoi që ndryshimi i statutit të bëhet pasi që komisioni ta përfundojë punën e tij.

Fillimisht, arsyet për nevojën e ndryshimit të statutit i ka paraqitur Arben Mehmeti, kryetar i komisionit, i cili ka thënë se versioni i ofruar është një dokument i hartuar me konsensus politik dhe harmonizim të sugjerimeve të qytetarëve.

Komisioni ka propozuar themelimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Drejtorisë së Inspektoratit, ndërkaq, për arsye të profilizimit dhe shërbimeve më efikase në raport me qytetarët, është propozuar që Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të ndahet në Drejtori për Shëndetësi Primare dhe Drejtori për Çështje Sociale dhe Banim Social. Po ashtu, si nevojë për një përkushtim më serioz në lidhje me disa shërbime më specifike, është arritur pajtimi që të propozohet edhe një drejtori e re – Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit, ka thënë Mehmeti.

Po ashtu, në kuadër të këtyre ndryshimeve, është rekomanduar krijimi i Komiteteve të reja, si kërkesë e grupeve të caktuara të njerëzve si dhe krahas themelimit të drejtorive, edhe atë: Komiteti konsultativ për persona me aftësi të kufizuar, Komiteti për shëndetësi primare, Komiteti për çështje sociale dhe banim social si dhe Komiteti për mbrojtje të mjedisit.

Në debat janë përfshirë Avdyl Aliu (LDK), Riza Abdyli (PDK), Anila Tusha (Nisma), Ibish Ibishi (AAK), Shemsedin Ramushi (AKR), Milivoje Stojanoviq (LS), të cilët në emër të grupimeve të tyre politike i kanë dhënë mbështetje ndryshimit të statutit, ose parimisht janë deklaruar për rithemelimin e dy drejtorive të reja, ndërkaq Nevzad Isufi (LVV) ka thënë se edhe ai parimisht është për rithemelimin e dy drejtorive të mëhershme, por ka kërkuar që më parë të bëhet një vlerësim i gjendjes në këta sektorë dhe dëmeve që janë shkaktuar me shuarjen e Drejtorisë së Kulturës dhe Inspektoratit. Ky propozim është mbështetur edhe nga Bujar Nevzati (PDK), i cili përndryshe i votuar ndryshimet e propozuara.

Ndërsa anëtarët tjerë të këtij subjekti (LVV), Arbëreshë Kryeziu, Arijeta Rexhepi, Arta Haziri e Nehat Osmani kanë thënë se janë kundër këtyre ndryshimeve. Osmani ka thënë se shuarja e këtyre dy drejtorive ka qenë e padrejtë dhe e paarsyeshme, ndërsa propozimi për rikthimin e tyre, është i pa sinqertë dhe i ka ftuar edhe subjektet tjera që të votojnë kundër.

Një anëtare e këtij subjekti, Festa Shabani, ka votuar në favor të ndryshimit të statutit, derisa votat e 6 të tjerëve kanë qenë kundër.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, ka thënë se nisma e kryetarit të Komunës për ndryshimin e statutit, ka hasur në mirëkuptim tek anëtarët e Kuvendit, si nevojë për ri-organizmin e ekzekutivit si dhe shërbimit civil, duke sqaruar se Kultura dhe Inspektorati, në mandatin e kaluar kanë funksionuar si sektorë, ndërsa tani është vlerësuar i arsyeshëm rikthimi i tyre në nivel drejtorie.