Gjilani dhe Kumanova me Bashkëpunim Ndërkufitar

Në komunën e Gjilanit është zyrtarizuar bashkëpunimi ndërkufitar me shtetin e Maqedonisë nëpërmjet inaugurimit të zyrës për administrimin e projekteve ndërkufitare.

Një zyrë e tillë pritet të hapet edhe në qytetin e Kumanovës me funksione të njëjta.

Hapja e të ashtuquajturit “Sekretariat i Përbashkët Teknik” është bërë me mbështetje nga Zyra e Bashkimit Evropian në kuadër të programit të Instrumentit të Para –Anëtarësimit (IPA) në fazën e tij të dytë.

Libor Chlad, përfaqësues i Zyrës së BE-së në këtë rast tha se ky program ka për qëllim bashkëpunimin ndërkufitar si shkas për nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe përmirësimin e jetesës në zonat ndërkufitare.

“Objektivi i përgjithshëm i programit është të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, atë social dhe territorial të zonës së programit duke nxitur integrimin, zhvillimin e përbashkët dhe përdorimin e potencialeve dhe mundësive për të bërë zonën ndërkufitare tërheqëse për të jetuar dhe punuar” tha Chlad.

Ndërsa Lutfi Haziri, Kryetar i Komunës së Gjilanit,  ka vlerësuar hapjen e kësaj zyre si tregues të natyrës mikpritëse por edhe bashkëpunuese të këtij qyteti.

“Jemi mikpritës dhe pionier të bashkëpunimit ndërkufitar me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik lokal. Jemi këtu jo vetëm në këtë kuadër të bashkëpunimit Gjilan-Çair, por edhe si iniciues të mikro-regjionit Gjilan-Kumanovë-Preshevë” u shpreh Haziri

Besim Kamberaj, udhëheqës i departamentit për zhvillim rajonal në kuadër të MAPL, tha se ky bashkëpunim do të sjellë përfitime nga projektet që do të zhvillohen në kuadër të programit.

“Është një mundësi shumë e mirë për këto Komuna që janë pjesë e programit Kosovë- Maqedoni, për organizatat jo-qeveritare dhe përfituesit e tjerë potencial. Është mundësi shumë e mirë e zhvillimit, pasi tashmë jemi duke hyrë në fazën e IPA 2, dhe mundësi të mëdha që të përfitojnë numër i madh përmes projekteve të ndryshme”, tha Kamberaj.

Programi IPA II është instrument financiar që ndër të tjerash ofron ndihmë në tranzicion dhe ndërtim të institucioneve nga i cili mund të përfitojnë shtetet kandidate  të BE-së dhe kandidatët potencialë.

Ky program ka filluar në vitin 2007  dhe po vazhdon fazën e  tij të dytë për vitet 2014-2012.