Gjetaj: S’ka Raport për të Zhdukurit Pa Pjesëmarrjen e Kosovës

Takimi i radhës i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur kishte më shumë karakter informues.

Kryesuesi i këtij komisioni, Prenk Gjetaj, informoi anëtarët dhe të tjerët që ishin të pranishëm për pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në Sesionin e 30-të të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e njeriut.

Pas takimit, ai tha se kishte edhe reagim negativ nga delegacioni i Serbisë për pjesëmarrjen e Kosovës, duke shtuar që kjo është hera e parë që delegacioni i Kosovës merr pjesë në këtë këshill.

“Reagimet tona dhe mospajtimet tona së pari për të na trajtue bashkë me Serbinë kanë pasë efektin e vet që mos të bëhet raport më edhe për çështjen e të pagjeturve dhe të gjitha çështjet tjera bashkë me Serbinë, pra Kosova subjektivitetin e vet, ka instituconet e veta”

Gjetaj tha po ashtu që adresë për të pagjeturit është Serbia.

“Adresë kryesore për të kërkue të pagjeturit është Serbia, për arsye që ende vazhdojmë të dyshojmë për varreza masive në Serbi, me vetë faktin sepse ky numër kaq i madh i të zhdukurve diku janë. Serbia ende mban të fshehura varret ilegale sikurse ishte rasti i Rudnicës”.

Po ashtu u fol edhe për çështjen e mbetjeve mortore në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, i cili udhëhiqet nga EULEX-i, por kryesuesi kërkoi që kjo përgjegjësi të bartet tek vendorët.

Një tjetër kërkesë erdhi edhe nga përfaqësuesi i familjeve të të pagjeturve, Bajram Qerkinaj. Ai në emër të këtyre familjeve kërkoi që në këtë komision të merr pjesë edhe një këshilltar i kryeparlamentarit në mënyrë që ai të informohet drejtpërdrejtë për çështjen e të pagjeturve.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Bajram Gecaj, zv. ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili siguroi përkrahjen e qeverisë në këtë çështje.

Në Kosovë tash e 16 vite mbeten të zhdukur 1655 persona.