Gjetaj: Politika, Peng për Zbardhjen e Fatit të të Pagjeturve

Kryetari i Komisionit Qeveritar Për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, ka thënë sot se fati i personave të pagjetur në luftën e fundit në Kosovë nuk po ndriçohet si pasojë e pengesës nga politika.

Pas mbledhjes së Komisionit Për Persona Të Zhdukur, Gjetaj ka adresuar çështjen e personave të zhdukur dhe procesin e gjetjes së tyre me kritika për qasjen e institucioneve ndaj  zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

“Çështjen e ndriçimit të fatit të të pagjeturve po e mban peng politika me vet faktin se ende bartësit e aktiviteteve kriminale janë gjallë, madje udhëheqin institucione me përgjegjësi”, tha Gjetaj.

Ai ka bërë thirrje për hartimin e një strategjie për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve që, sipas tij, do t’i ndihmonte edhe këtij komisioni për vazhdimin e punës së vet.

“Po kërkojmë në radhë të parë nga bërësit e politikave pra kreu i qeverisë, kreu i EULEX-t, kreu i Komitetit  Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur të hartojnë një strategji, të ndihmojnë në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur”, u shpreh ai.

Në Kosovë janë evidentuar 1666 persona të zhdukur dhe rreth 2000 mijë mbetje mortore të rivarrosura pa ADN, pas luftës.

Gjetaj ka adresuar edhe problemin e mungesës së bashkëpunimit të familjarëve të personave të zhdukur për identifikimin e trupave.

“Kemi familjarë të cilët mashtrohen, manipulohen, shantazhohen nga manipulues , shantazhues e keqbërës se gjoja ka njerëz të gjallë dhe [familjarët]  nuk japin gjak”, tha ai.

Ndër të tjera në takimin e këtij komisioni është diskutuar edhe planveprimi për shënimin e 27 Prillit, Ditës Kombëtare të të Pagjeturve.

Gjetaj ka njoftuar se ka pasur gërmime në disa lokacione në Kosovë ku nuk ka pasur gjetje si te “Pishat“ në Podujevë dhe në varrezat e qytetit në Prizren.