Konferenca e Prenk Gjetajt dhe Bajram Qerkinit | Foto: KALLXO.com

Gjetaj: Nuk Kemi Çfarë t’u Themi Familjarëve të të Pagjeturve

Të pakënaqur me punën e institucioneve janë shprehur Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj dhe përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve, Bajram Qerkini duke thënë se nuk mund të krenohen me atë që është bërë deri më tani për zbardhjen e fatit të atyre që mungojnë nga lufta e viteve 1998-1999.

“Durimi i familjarëve ka humbur. Ne nuk kemi se çfarë t’u themi familjarëve. Çdo përgjigje e imja apo e kujtdo tjetër nuk i kënaq familjarët.. sigurisht që nuk jemi të kënaqur me atë se çfarë është punuar deri më tash  sepse vetë fakti që i kemi edhe  1 mijë e 658 persona si të zhdukur s’mund të krenohemi”, tha Gjetaj.

Gjetaj, ka treguar se kohëve të fundit janë gjetur vetëm 8 mbetje mortore të cilave nuk u është bërë ende AND-ja dhe se shumë lokacione janë mbyllur pa rezultate.

Ai ka treguar edhe lokacionet ku 5 prej tyre janë gjetur në Prizren, 2 në Krushë të Vogël dhe 1 në Lloshkobare të Ferizajt.

Ndërkaq, Qerkini i cili e ka konfirmuar se veç durimi i familjarëve ka humbur, ka treguar se rreth 50 për qind e tyre kanë vdekur pa e ditur vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur.

Ai ka porositur institucionet vendore e ndërkombëtare të ndalojnë lojërat e Serbisë dhe t’u kërkojnë përgjigje për vendndodhjen e lokacioneve.

“Lojën e serbëve shqiptarët s’po munden me ndalë. Nuk jemi boll sa duhet serioz, nuk jemi sa duhet këmbëngulës. Nuk muj me i pranu lojnat e Serbisë, duhet të ndërprerë institucionet e Kosovës krejt  lojnat”, tha ai.

Ai ka shtuar se secili familjar duhet ta dijë vendndodhjen e të zhdukurve.

“Ne këtu e kemi bashkësinë ndërkombëtare, ne I kemi ambasadat, e kemi këtu fuqinë e botës dhe nuk po jemi në gjendje me i bashku, me ju thanë ju lutem që rreth vendndodhjes së njerëzve të  cilët ne i kemi me emër e mbiemër e din kryesia e Beogradit”, shtoi Qerkini.

Qerkini fjalë të ngjashme kishte thënë edhe para 20 ditësh.

http://kallxo.com/familjare-te-te-pagjeturve-kerkojne-perfundimin-e-vuajtjeve/