Hashim Thaçi te memoriali në Grackë - Foto: Presidenca e Kosovës

Gjesti i Thaçit Nuk i Bind Familjarët e Viktimave Serbe

Ditën e mërkurë Hashim Thaçi vendosi një kurorë me lule në monumentin e serbëve që u vranë 17 vjet më parë në Grackë dhe tha se të gjithë ata që kryen krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë duhet të ndëshkohen.

“Sot lutem me dhimbje dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat e të gjitha komuniteteve gjatë dhe pas luftës. Çdo krim duhet të zbulohet dhe ndëshkohet. Krimi është krim, pavarësisht se ndaj kujt është kryer dhe se kush e ka kryer”, tha Thaçi.

Katërmbëdhjetë fshatarët, të gjithë meshkuj të moshës 17 deri në 60 vjeç, u vranë më 23 korrik 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Thaçi tha se autorët e krimeve duhen gjetur dhe se fati i të gjithë personave të zhdukur nga lufta duhet zgjidhur, qofshin ata shqiptarë, serbë apo të çdo komuniteti tjetër.

“Të gjithë duhet të punojmë në këtë drejtim. Kemi përgjegjësi ndaj familjeve të tyre dhe ndaj të ardhmes së fëmijëve tanë. Ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Dhimbja e çdo nëne para humbjes së një anëtari familjeje është e njëjtë”, tha ai.

Megjithatë, gjesti i Thaçit nuk u mirëprit nga të afërmit e viktimave në Grackë.

Sipas Zoran Cirkoviq, kryetari i Grackës, familjet nuk e dëshironin vizitën e Thaçit derisa të gjenden vrasësit.

“I thamë që s’ishte çasti i duhur, derisa ata që urdhëruan këtë krim të nxirren para drejtësisë për një nga krimet më të mëdha kundër serbëve në Kosovë. Derisa të ndodhë kjo, ai s’është i mirëpritur në fshatin tonë”, tha Cirkoviq për agjencinë e lajmeve BETA.

Megjithatë Thaçi këmbënguli se ai po punonte për pajtim.

“Vetëm pajtimi dhe bashkëpunimi e bëjnë Kosovën dhe të gjithë rajonin vërtet evropian”, tha ai.

Pas përfundimit të luftës, ndaj serbëve u kryen disa krime në shenjë shpagimi për sulmet ndaj shqiptarëve gjatë konfliktit.

Shumica e krimeve janë ende të pazgjidhura, pavarësisht përpjekjeve të misioneve ndërkombëtare në Kosovë për t’i hetuar ato.

Në vitin 2007, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë arrestoi një person nën dyshimin për përfshirje në vrasjet në Grackë, por e liroi atë për shkak mungese provash.

Si prokuroria e Kosovës ashtu edhe ajo e Serbisë pretendojnë se ato po hetojnë për këtë çështje, por nuk duan të tregojnë nëse është bërë ndonjë progres.