Gjergj Dedaj Emërohet Zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme

Gjergj Dedaj nga Partia Liberale e Kosovës është emëruar në mesin e 50 e më shumë zëvendësministrave në qeverinë e Ramush Haradinajt.

Dedaj që ka mbajtur postin e zëvendësministrit në të paktën 4 ministri është emëruar sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi vetë ai, i cili po ashtu foli lidhur me  arsyet pse mendon që është i denjë për këtë pozitë.

Ai tha se ka kontribuuar gjatë në fushën e punëve të jashtme për Kosovën.

“Po jam emëruar, është një vazhdimësi e punës time që e kam bërë qe 30 vite.. Partia Liberale e Kosovës është në koalicion parazgjedhor ka qenë me Partinë Demokratike të Kosovës. Unë punët e jashtme i kryej qe 30 vjet për Kosovën, do të thotë misionet e jashtme diplomatike”, tha Dedaj.

Ai gjithashtu u mundua të numërojë sa herë ka mbajtur postin e zëvendësministrit në legjislacionet e Kosovës pas pavarësisë.

“Kam qenë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Kulturës dhe të Administratës Publike, kjo është e treta ose e katërta herë”, tha Dedaj për KALLXO.com