Milan Ivovic, ish-president i sindikatës Azotara, jashtë fabrikës së prodhimit të plehrave kimike Azotara në qytezën Pancevo në Serbi, vendi ku ai punoi për 37 vjet. Foto: Marija Jankovic.

Gjendja Fatale e Sindikatave në Serbi

Milan Ivovic qe dhjetë vjeç kur prodhuesi shtetëror serb i plehrave kimike HIP Azotara hapi dyert për herë të parë në vitin 1962, pak më tutje rrugës së shtëpisë së tij të fëmijërisë në qytezën Pancevo në bregun lindor të lumit Danub.

Ai kaloi të gjithë jetën e tij si punëtor – 37 vjet – i punësuar në fabrikë, duke nisur si punonjës në turnin e natës dhe duke u ngjitur gradualisht deri sa u bë president i sindikatës së punëtorëve në vitin 2007.

Megjithatë, në fund të vitit 2015, vetëm 17 muaj para se të mbushte moshën për pension, Ivovic e gjeti veten të papunë, i deklaruar si “i tepërt” pas një përplasjeje publike me menaxhmentin e emëruar nga shteti.

Ivovic pyeti drejtuesit e Azotara mbi çmimin që ata kishin rënë dakord të paguanin te gjigandi rus i energjisë Gasprom për gazin me të cilin fabrika vihet në punë.

Azotara tha se do të paguante më pak se 300 dollarë (273 euro) për mijë metër kub, një çmim që do ta ndihmonte fabrikën të nxirrte fitime dhe të siguronte vendet e punës. Qeveria, e cila emëroi drejtorët e fabrikës, po shpresonte ta shiste Azotarën te një blerës rus dhe kishte një interes në prezantimin e rusëve si partnerë miqësorë të gatshëm për të ruajtur vendet e punës. Ivovic e përshëndeti marrëveshjen, por pas kësaj mori një telefonatë:

“Punonjësi që kishte përgjegjësinë për faturat e gazit të Azotarës më mori në telefon dhe më tha, ‘kë po bën për budalla? Për çfarë 300 dollarëshi po flet? Në cilën anë je ti?’ duke më treguar faturat dhe asnjëra prej tyre nuk kishte çmim më të ulët se sa 400 dollarë.”

Ivovic deklaroi problemin në publik dhe brenda katër muajsh ai mbeti pa punë. Ai thotë se u përzu për shkak se ekspozoi një gënjeshtër. Azotara thotë se mandati i tij si udhëheqës sindikalist pati skaduar dhe se ai nuk qe paraqitur në punë që nga ajo kohë. Koha e pushimit ngriti shumë pikëpyetje.

“Është një goditje fatale,” – tha Branislav Canak, deri së fundmi, udhëheqës i njërës prej federatave më të mëdha sindikale në Serbi, Nezavisnost (Pavarësia), në lidhje me pushimin nga puna të Ivovic.

“Këto ditë sindikatat janë lidhur me zinxhirë,” thotë 64 vjeçari me mustaqe Ivovic. “Pasi të kenë parë se çfarë më ndodhi mua, çfarë arsyeje kanë të tjerët që të besojnë te sindikatat apo të dëshirojnë të anëtarësohen? Natyrisht ata nuk dëshirojnë të humbasin vendet e punës.”

Për shumë sindikalistë, rasti i tij është paralajmërues sinjë nga rastet e shumta të dobësisë së sindikatave në ish-Jugosllavi gjatë tranzicionit shumëvjeçar të vështirë dhe disa herë brutal drejt kapitalizmit.

“Kjo është një goditje fatale,” thotë Branislav Canak, deri së fundmi, udhëheqës i njërës prej federatave më të mëdha sindikale në Serbi, Nezavisnost (Pavarësia).

 “Ne ndoshta do të duhet të presim edhe 50 vjet të tjera para se një Ivovic tjetër të lindë. Të gjithë janë duke pyetur, ‘a keni dëgjuar për Ivovicin nga Azotara, se si ata e rrëzuan dhe se si askush nuk ndërhyri për ta ndihmuar?” tha ai për BIRN gjatë një interviste të dhënë para se ai të zëvendësohej si udhëheqës i Nezavisnots në nëntor. “Sindikalistë të tjerë, të cilët shohin të njëjtat shkelje në kompanitë e tyre, do të mendojnë dy herë – ‘nëse them diçka, rrezikoj të humbas vendin e punës’.”

Shkurtimet e stërmëdha të vendeve të punës, mbylljet e fabrikave apo shitja e qindra kompanive shtetërore në vitet 2000 pas rënies së ish-udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviç kanë rralluar rradhët dhe reputacionin e sindikatave në Serbi.

Të dobëta dhe të përçara, ato janë pre e frikësimeve, dyshimeve për korrupsion dhe pothuajse totalisht të varura nga padronët politikë. Besueshmëria e tyre është rrënuar mes punonjësve nga reagimet e tyre të dobëta kundër procesit privatizues të diskretituar, i cili ka shënuar mbi 600 raste shitjesh të anuluara që nga viti 2000 për shkak të korrupsionit apo dështimit të blerësve për të respektuar kushtet; anulime që shpesh kanë ndodhur tepër vonë për punonjësit që tashmë i kishin humbur vendet e punës.

Në vitin 2008, pas tetë vitesh tranzicioni nga socializmi, vetëm 12 për qind e serbëve thonë se besojnë në sindikata, ndërsa vetëm 2 për qind thonë se besojnë tërësisht te sindikatat, sipas Studimit Europian të Vlerave, një projekt studimor holandez i kryer çdo 9 vjet që nga viti 1981 në të gjithë Europën. Nga të 47 vendet e vrojtuara, vetëm Bullgaria kishte vlerësim më të ulët se Serbia në 11 përqind.

Tridhjetë e tetë për qind e serbëve thonë se nuk kanë kurrfarë besimi te sindikatat.

Ky artikull, pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, analizon arsyet.

“Ato (sindikatat) nuk përmbushin as standardet më minimale të sindikatave të shekullit të 20 dhe rezultat i kësaj është rënia e reputacionit dhe anëtarësisë,” thotë për BIRN Dr. Nada Novakovic, një sociologe dhe kërkuese në Institutin e Shkencave Shoqërore në Beograd.

“E gjitha kjo e bën të lehtë për shtetin dhe kapitalistët që të përfundojnë procesin e privatizimit dhe tranzicionit në interes të vet.”

Marko Grdesic, një sociolog kroat i arsimuar në SHBA, thotë se roli i sindikatave është “i njëjtë siç ka qenë gjithmonë – për të anëtarësuar sa më shumë njerëz të jetë e mundshme, për të luftuar për marrëveshje kolektive, së paku përmes grevave dhe protestave dhe për të bashkuar forcat me aktorë të tjerë të së majtës dhe progresistët për një betejë më të gjerë shoqërore.”

“Në territorin e ish-Jugosllavisë, shumë pak sindikata e bëjnë këtë.”

Patronazh politik

Federata Socialiste e Jugosllavisë, nën udhëheqjen 35 vjeçare të Josip Broz Tito, pas Luftës së Dytë Botërore kishte vetëm një sindikatë, në të cilën qenë anëtarë të gjithë punonjësit e shtetit.

Vendet e punës qenë për të gjithë jetën, në një sistem hibrid të vetëmenaxhimit socialist në të cilin punonjësit kishin të drejtë të ndërhynin në drejtimin e kompanisë në të cilën punonin.

Sindikata qe, gjithsesi, diçka më shumë se sa një degë e partisë në pushtet, e angazhuar për të manifestuar çdo 1 maj për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Punës në festa të mirëorganizuara dhe të mbushura me parada ushtarake të Titos dhe me banda muzikore.

“Sindikata në kohën e socializmit luajti ekzaktësisht rolin që socializmi i kërkoi të luajë,” tha Canak.

Me rënien e Jugosllavisë, sindikatat u shumëfishuan, por shumë pak prej tyre i mbijetuan asaj që Novakovic e quan “sëmundja fëminore” e epokës së Titos, pra varësisë nga një padron politik.

“Nëse i jep sindikatës një milionë apo dy, natyrisht që udhëheqësia e sindikatës nuk do të të sfidojë,”– thotë Ranka Savic, udhëheqës i një federate sindikatash.

Shembulli më i qartë është sindikata e Elektroprivreda Srbije (EPS), kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike në Serbi dhe njëkohësisht, kompania më e madhe publike në vend.

Sindikata numëron pothuajse të gjithë punëtorët e kompanisë si anëtarë, afërsisht 30 mijë vetë, një forcë e jashtëzakonshme në rast se vendosin të dalin kundër qeverisë.

Por sipas një marrëveshjeve kolektive të nënshkruar në janar 2015 me Ministrinë Serbe të Energjisë, sindikata e EPS merr gati 800 milionë dinatë (6.5 milionë euro) në vit nga shteti, siç tregon dhe një kopje e kontratës të marrë nga sindikata Nezavisnost përmes Ligjit për të Drejtë Informimi të Serbisë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi aftësinë dhe gadishmërinë e saj për të sfiduar politikat e drejtuesve të kompanisë apo të partive politike që i emërojnë këta drejtorë.

“Nëse i jep një sindikate një apo dy milionë, natyrisht udhëheqësia e sindikatës nuk do të të sfidojë,” thotë Ranka Savic, udhëheqës i Shoqatës së Sindikatave të Pavarura dhe të Lira të Serbisë, një federatë tjetër sindikatash.

Novakovic tha se udhëheqësit e sindikatave qenë të kompromentuar në shumë mënyra.

Për shembull, menaxherët e kompanive janë shpesh anëtarë të sindikatave; zgjedhjet brenda shumë sindikatave janë të organizuara që të përkojnë me zgjedhjet brenda partive politike; udhëheqësit e sindikatave “blihen hapur” me pozicione joshëse në bordet menaxhuese, tha Novakovic.

Shumë udhëheqës sindikalistë marrin gjithashtu paga shtesë. “Mbi të gjitha këto janë edhe dietat, shpenzimet për udhëtime, shpenzimet për celular, makina, dreka e të tjera,” tha Novakovic.

Duke punuar për doktoraturën e saj, Novakovic kreu intervista me dhjetëra zyrtarë të sindikatës së EPS. Përgjatë një periudhe prej pesë vjetësh, tha ajo, vetëm njëri prej udhëheqësve nuk mori rritje pozicioni njëkohësisht në sindikatë dhe në kompani. Ky i përjashtuar i çuditshëm qe zhvendosur në sektorin privat.

BIRN i shkroi sindikatës së EPS për ta pyetur nëse udhëheqësit e saj qenë të kompromentuar nga shpërblimet financiare që marrin, por pyetjet mbetën pa përgjigje. BIRN pyeti gjithashtu EPS nëse udhëheqësit sindikalistë janë favorizuar përmes promovimeve por nuk mori përgjigje. BIRN nuk qe në gjendje të intervistonte menaxhmentin e EPS apo udhëheqësit sindikalistë.

“Ngritja në hierarkinë e sindikatës përbën një avantazh në termat e hierarkisë profesionale. Është gjithashtu një mënyrë për të përparuar materialisht,” tha Novakovic.

“Afërsia e sindikatave me partitë politike ofron një mundësi për të qëndruar më gjatë në udhëheqësinë e sindikatës si dhe për t’u zhvendosur në një pozicion partiak apo shtetëror.”

Sindikatat, tha Novakovic, janë ende në sherr mbi ndarjen e aseteve të trashëguara nga rënia e ish-Jugosllavisë, gjë që do të thotë se ato kanë shpenzuar më shumë energji “duke u marrë me vetveten” se sa kanë harxhuar energji duke u marrë me punëtorët.

Sociologia Dr. Nada Novakovic në zyrën e saj në Institutin e Shkencave Shoqërore në Beograd. Foto: Marija Jankovic.
Sociologia Dr. Nada Novakovic në zyrën e saj në Institutin e Shkencave Shoqërore në Beograd. Foto: Marija Jankovic.

 Nuk është pra surprizë që Serbia ka parë shumë pak aksion efikas industrial në kundërshtim të reformave të dhimbshme.

Këto vite, Dita e Punës në Serbi kalon me shumë pak fanfarë, ndërsa në Europën Perëndimore qindramijëra marrin rrugët çdo vit për të shprehur zemërimin ndaj kapitalizmit dhe globalizimit.

Në janar 2014, kur qeveria shtyu përmes parlamentit ndryshimet më të mëdha të legjislacionit të punës në shumë vite, pati vetëm protesta të dobëta nga sindikatat kundër masave që e bëjnë më të lehtë punësimin dhe pushimin nga puna, si dhe më të lirë skemën e pensioneve pasi rrisin moshën e daljes në pension për gratë. Qeveria ka reduktuar gjithashtu pagat në sektorin publik dhe pensionet në mënyrë që të sigurojë financime nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Asnjë nga qendrat e mëdha sindikaliste nuk e ka kundërshtuar tranzicionin e ‘reformave’ përgjatë 25 viteve të fundit,” tha Novakovic.

Canak qe edhe më kritik: “Sot punëtorët dalin për të protestuar vetëm në rast se paguhen për diçka të tillë; nëse ne i paguajmë biletat e autobuzit apo i japim një ditë dietë. Përndryshe, ata zgjedhin që të qëndrojnë në shtëpi.”

Savic, udhëheqësi i Shoqatës së Sindikatave të Pavarura dhe të Lira të Serbisë, e interpretoi situatën ndryshe: “Ka pasur tentativa për t’u bashkuar. Por këto përpjekje kanë dështuar gjithmonë për shkak se dikush dorëzohet, ose dikush arrin një marrëveshje me qeverinë,” tha ajo. “Sindikatat në Serbi janë tërësisht të përçara dhe nuk kanë solidaritet.”

Konfederata e Sindikatave të Pavarura të Serbisë, trashëgimtarja e sindikatës së epokës së Titos nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për intervistë.

Sektori privat po tregohet shumë rezistent ndaj sindikalizimit.

“Sindikatat nuk kanë pasur shumë sukses në hyrjen në sektorin e ri të kompanive të vogla,” thotë sociologu kroat Marko Grdesic. “Po rezulton tepër e vështirë, për shkak të rezistencës nga ana e pronarëve të kompanive dhe dobësive të vetë sindikatave.”

 “Problemi më i madh është se një pjesë e forcës punëtore është lënë tërësisht pa mbrojtje: punëtorë në kushte të vështira që punojnë me raste, në mënyrë të përkohshme apo në vende pune të paqëndrueshme, veçanërisht të rinjtë, gratë dhe të huajt.”

“Ana e gabuar e gardhit”

Sindikatat e mëdha i ruajnë me forcë privilegjet e tyre.

Në vitin 2011, një sindikatë rivale u themelua brenda EPS-së. Në përgjigje, një nga punëtorët i tha BIRN në kushtet e anonimatit se ai dhe shumë të tjerë u përjashtuan nga Fondi i Solidaritetit të sindikatës kryesore, një ndihmë financiare që mbushet çdo muaj me 0.1 për qind të pagës së secilit prej punëtorëve për t’i dhënë punëtorëve një farë mbështetjeje për çështje të ndryshme përgjatë jetës.

Ai e pati paguar kuotën që nga viti 2010, por tha se Fondi i pati informuar se kushti për të aksesuar ndihmën qe anëtarësia në sindikatën kryesore të EPS-së.

“Ndërkohë njëri prej tyre u bë me fëmijë, por ai nuk e mori ndihmën në sasinë e një page mesatare mujore që duhej të jepej sipas rregullave. Tjetrit i ndodhi një vdekje në familje dhe kompania refuzoi t’i paguajë atij ndihmë financiare,” tha burimi.

“Ma ha mendja se e gjetëm veten në anën e gabuar të gardhit.”

Pyetur mbi këtë rast, zyra e shtypit e EPS tha se kjo nuk qe një pyetje për kompaninë. Udhëheqësit e sindikatës së EPS nuk iu përgjigjën telefonit dhe as pyetjeve të dërguara me email.

Andjelko Kasunic, President i Sindikatës së Pavarur Kroate të Punonjësve të Rrugëve në një kafe në Zagreb. Foto: Marija Jankovic.
Andjelko Kasunic, President i Sindikatës së Pavarur Kroate të Punonjësve të Rrugëve në një kafe në Zagreb. Foto: Marija Jankovic.

Te Elektromreza Srbije (EMS), operatori i rrjetit të transmetimit të energjisë në Serbi, sindikata vitin e kaluar dorëzoi kallëzime penale kundër dy ish-udhëheqësve të saj, duke i akuzuar ata se kanë keqpërdorur 2,537,484 dinarë (20,630 euro) nga paratë e sindikatës mes viteve 2011 dhe 2015 – shifër kjo e barabartë me shumë rroga mujore për një punëtor mesatar.

BIRN mori një kopje të raportit të brendshëm të sindikatës, i përgatitur nga një komision i sindikatës i ngarkuar në fillim të vitit 2015 për të hetuar udhëheqësin e asaj kohe, Zlatomir Dobrisavljevic dhe zëdhënësin e tij, Aleksandar Pavlovic, mbi shpenzimin e fondeve që kompania i pati dhënë sindikatës.

Raporti akuzoi këta të dy se kanë nënshkruar kontrata për të dhënë me qira makinat e tyre private te sindikata, duke ia ngarkuar kostot e karburantit dhe mirëmbajtjes sindikatës si dhe për mbifaturim të sindikatës për shpenzime të tjera.

Raporti tha se të dy ish drejtuesit i kanë pranuar këto gjetje. BIRN nuk qe në gjendje ta konfirmonte këtë në mënyrë të pavarur pasi Pavlovic dhe Dobrisavljevic refuzuan të diskutojnë këtë çështje me BIRN kur u kontaktuan me telefon. Asnjëri nuk e ka komentuar çështjen publikisht. Pavlovic vijoi të punojë si drejtues i mirëmbajtjes së kabllove të distancave të gjata, një pozicion me përgjegjësi të konsiderueshme, edhe për një vit pas hetimit.

Zyra e shtypit e EMS i tha BIRN se nuk kishte dijeni për ndonjë keqbërje nga udhëheqësit e sindikatës dhe se Pavlovic është spostuar ndërkohë në një pozicion tjetër për shkak të shkeljeve të vërejtura në procedurat e operimit si dhe etikës në punë, çështje të pavarura këto nga aktiviteti i tij si sindikalist. Dobrisavljevic është ende i punësuar nga kompania.

“Kompania u jep atyre para dhe ata i shpenzojnë a thua se qenë paratë e tyre,” tha një zyrtar i sindikatës, i cili i dha BIRN raportin me kushtin që të mos identifikohej. “Çfarë mbetet për punëtorët?”

Prokurori i shtetit në Beograd konfirmoi se ka marrë kallëzim penal për përvetësim ndaj Dobrisavljevic e Pavlovic dhe tha se ai ka ngarkuar policinë që të hetojë akuzat.

Punëtor i tepërt

Ndryshe nga shumë udhëheqës sindikalistë, Ivovic duket se ka gëzuar besimin e kolekëve të tij.

Në vitin 2008, ai nxori një mijë punëtorë në rrugët e Pancevos në protestë mbi veprimet e një konsorciumi lituanezo-serb që e pati blerë fabrikën nga shteti dy vjet më parë. Pronarët e rinj e shitën njësinë e prodhimit në shkelje të kushteve të privatizimit ndërsa pagat mbetën të papaguara.

Ivovic kaloi disa netë duke fjetur në trotuar dhe disa ditë duke bllokuar rrugët deri sa qeveria veproi në janar 2009, duke anuluar shitjen dhe duke e rimarrë Azotarën sërish nën pronësinë e shtetit.

“Ne ishim në grevë dhe po vdisnim urie,” rikujton Ivovic me krenari.

Por gjashtë vjet më pas, ai ra në kundërshti me menaxhmentin e emëruar nga shteti.

Ivovic doli sërish kundër planeve për të ndarë portin industrial lumor të Azotarës nga kompania kryesore, i shqetësuar se porti mund të shitej si kompani më vete dhe fabrika mund të humbte aksesin në të. Pastaj, kur ai vuri në diskutim çmimin e shpallur të gazit, ai mori një letër nga zëvendësdrejtori Miljan Djurovic më 11 gusht 2015, ku i thuhej se ai rrezikonte të “përfundonte” punësimin e tij.

Ivovic u detyrua të merrte pension të parakohshëm në dhjetor 2015.

Djurovic i tha medias se në atë kohë, mandatet e Ivovic dhe tri anëtarëve të tjerë të sindikatës të pushuar nga puna bashkë me të patën skaduar dhe se ata nuk qenë kthyer në punë në fabrikë.

Një zëdhënës në Azotara i tha BIRN se Ivovic qe deklaruar “punëtor i tepërt dhe se pati marrë të drejtën për të marrë një pagë e për t’u larguar nga HIP-Azotara Pancevo.”

BIRN kërkoi një intervistë me menaxhmentin e Azotarës por nuk mori përgjigje. Djurovic nuk u arrit në telefon fiks apo celular. BIRN nuk qe në gjendje të merrte një konfirmim mbi çmimin e gazit që i paguhet Gazprom.

“Njerëzit janë të dëshpëruar,” tha Ranka Savic.

“Ata kundërshtojnë menaxherët dhe pushohen nga puna. Pastaj ne dërgojmë çështjen e tyre në gjykatë. Shumica e këtyre njerëzve tashmë janë në pension të parakohshëm. Ata tashmë nuk kanë as frikë, por thjesht duan të ikin e ta mbyllin këtë histori.”

Ivovic tha se ai nuk kishte në plan t’i hidhte në gjyq, duke thënë se ai nuk kishte as para dhe as kohë për të luftuar përmes sistemit gjyqësor, i parë gjerësisht si joefikas dhe i politizuar.

 

 Ish presidenti i sindikatës së Azotarës Milan Ivovic duke prerë barin në shtëpinë e tij në qytezën Pancevo të Serbisë. Foto: Marija Jankovic.

Ish presidenti i sindikatës së Azotarës Milan Ivovic duke prerë barin në shtëpinë e tij në qytezën Pancevo të Serbisë. Foto: Marija Jankovic.

Të braktisur

Sindikatat në shumicën e ish republikave simotra të Jugosllavisë kanë ecur pak më mirë.

Në studimin mbi Vlerat Europiane të vitit 2008, vetëm 18 për qind e njerëzve në Kroaci, thanë se kanë shumë ose relativisht shumë besim te sindikatat.

Atje, një udhëheqës sindikalist u vendos nën mbrojtje të posaçme policore në vitin 2010 pasi ekspozoi korrupsionin në kompaninë shtetërore Croatian Highways Ltd, HAC, duke sjellë disa hetime, arrestime dhe aktakuza përgjatë gjashtë viteve që pasuan.

“Unë nuk kisha frikë për jetën time deri sa një ditë, një oficer policie erdhi në derën time. Ai kalonte 15 orë në ditë me mua,” thotë Andjelko Kasunic, president i Sindikatës së Pavarur të Punonjësve të Rrugëve.

Një nga anëtarët e bordit të drejtorëve të HAC, Josip Sapunar, u shpall fajtor më 2015 për për vjedhje të kompanisë dhe u urdhërua të rikthejë në kompani më shumë se një milionë Euro. Edhe zyrtarë të tjerë janë marrë të pandehur që nga ajo kohë.

“Një sindikatë e mirë do të fitojë gjithmonë ligjshmëri mes punëtorëve nëse lufton me sukses,” tha Grdesic, sociologu kroat. “Një sindikatë është një organizëm i gjallë që ka nevojë të vazhdueshme për t’u mbajtur e gjallë. Të duhet të punosh me njerëzit, të flasësh me ta, t’i dëgjosh. Por njerëzit këtu braktisen,” tha ai për BIRN.

Edhe në vetë procesin e privatizimit, sindikatat janë margjinalizuar.

“Sindikatat nuk kanë fare ndikim mbi procesin (e privatizimit) me përjashtim të faktit që konsultohen për programin e përfitimeve të punonjësve të tepërt,” thotë sociologia Novakovic. “Shumë shpesh, sindikatat nuk kanë as të drejtën që të lexojnë kontratën e shitjes.”

Udhëheqësit sindikalistë, thotë ajo, thjesht presin që të përfundojë procesi, të sigurtë në dijeninë se ata janë të mbrojtur nga lidhjet e tyre politike.

“Shumica e udhëheqësve sindikalistë do të gjejnë një karrierë të re dhe do të pasurohen. Shumica e anëtarëve të sindikatave thjesht do të pushohen nga puna.”

“Kur një sindikatë nuk mundet apo nuk do të mbrojë punëtorët nga humbjet e vendeve të punës, ato humbasin arsyen për të ekzistuar, si dhe humbasin rëndësinë mes anëtarëve aktualë dhe anëtarëve potencialë”.

Savic tha se është e lehtë t’ia hedhësh fajin sindikatave, por fakti është se sindikatat janë vetëm një reflektim i shtetit dhe shoqërisë serbe në tranzicion, “me të gjitha dobësitë që tranzicioni krijon.”

“Ne nuk kemi një sistem të mirë shëndetësor, arsimor, shkollor, ne nuk kemi ndarje të vërtetë të pushtetit mes qeverisë, ligjvënësve dhe drejtësisë.”

“Sindikatat në Serbi ndajnë fatin e shtetit dhe shoqërisë në të cilën ekzistojnë.”

 

Marija Jankovic është një gazetare në të përditshmen serbe Vecernje Novosti. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.