Foto: Ministria e Infrastrukturës

Gjendja e Rrugëve në Kosovë pas Reshjeve të Borës

Ministria e Infrastrukturës tha sot se është përkujdesur që të mos ketë rrugë të bllokuara apo të pakalueshme pas reshjeve të borës që filluan gjatë natës së mbrëmshme.

Në një njoftim për media, Ministria e Infrastrukturës ka thënë se të gjitha rrugës nacionale dhe regjionale janë të kalueshme për qarkullim, ndërsa kërkon nga pjesëmarrësit në trafik që ti përshtaten shpejtësisë me kushtet e rrugëve dhe të motit.

“Gjatë natës së mbrëmshme, kur edhe kanë filluar reshjet e dobëta të borës në vendin tonë, si dhe gjatë ditës së sotshme, kompanitë për mirëmbajtje të rrugëve të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës, kanë intervenuar me kripë dhe rërë, në mënyrë që rrugët të jenë të kalueshme në tërë vendin”, thuhet në njoftim.

Po ashtu MI-ja ka njoftuar se në kilometrin e 13-të të rrugës Pejë – Bogë ka pasur rrëshqitje dheu dhe se përkundër faktit që ekipet e mirëmbajtjes janë në terren, nuk përjashtohet mundësia për rrëshqitje të reja të dheut.

“Luten kalimtarët që frekuentojnë këtë segment rrugor që të kenë kujdes të shtuar, sikurse që kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, që të lëvizin me kujdes të shtuar duke iu përshtatur kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, si dhe të kenë me vete pajisjet dimërore”, thuhet më tutje në njoftim.

Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit që të kenë kujdes gjatë lëvizjes në trafikun rrugor, në mënyrë që të ketë lëvizje të sigurte dhe të lirë.