Foto: RTV 21

Gjendet marijuanë në shtëpinë e nëpunësit policor

Një nëpunës policor nga Shkupi është arrestuar për shkak se ka prodhuar dhe lëshuar në shitje lëndë narkotike.

Nga Ministria për Punë të Brendshme konfirmuan se gjatë bastisjes në shtëpinë e tij kanë gjetur marijuanë, ndërsa me kërkesë të prokurorisë i është caktuar masë paraburgimi prej 30 ditëve, shkruan tv21.tv.

“Më 19 prill është kryer bastisje në shtëpinë e J.J. dhe janë gjetur 125 gramë marihuanë dhe fara të kanabisit. Gjithashtu në materialin biologjik të marrë nga J.J. është konfirmuar prania e heroinës. J.J. është arrestuar në stacion policor ndërsa gjykatësi në procedurë paraprake i ka caktuar masë paraburgimi prej 30 ditëve”, u shpreh Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Keqpërdorimet dhe veprat penale që kryhen nga ana e pjesëtarëve të policisë janë pjesë e Raportit të fundit të Departamentit amerikan të shtetit për Maqedoninë.

Në të thuhet se Qeveria ka ndërmarrë hapa të vegjël për zbatimin e hetimit, udhëheqjen e procedurave gjyqësore dhe për dënimin e kryerësve të veprave penale.

“Gjatë pjesës së parë të vitit, MPB ka filluar procedurë disiplinore kundër 175 nëpunësve policorë dhe ka ngritur gjashtë padi penale kundër të punësuarve në Ministri, për padi penale, duke përfshirë edhe ‘keqpërdorim të postit zyrtar, ‘mashtrim’ dhe ‘manipulim gjatë kryerjes së detyrës’”, thuhet në raport.

Raporti konstaton se mos-sanksionimi edhe më tej paraqitet si një nga problemet më të mëdha.

Megjithatë, pjesa më e madhe e vërejtjeve në raport ishin në lidhje me torturën e të punësuarve nëpër burgje ndaj të burgosurve.

Përndryshe, javën e kaluar, një polic nga Koçani për shkak të posedimit dhe shitjes së 26.2 gramëve marijuanë, është arrestuar dhe i është caktuar masë paraburgimi prej 30 ditëve.

Dënimi për një vepër të tillë është prej tre deri në dhjetë vjet burg.