Foto: Facebook

Gjen Veturën e Vjedhur Përmes Grupit të ‘Maraklive...’ në Facebook

Në një postim në grupin “Marakli t’ Kerreve” të bërë pas mesnatës, një “marakli” i është falënderuar grupit për gjetjen e veturës së tij.

22 vjeçari gjilanas, E.S. në një intervistë për KALLXO.com ka rrëfyer rastin e veturës së vjedhur e deri te gjetja e saj përmes ndihmës së grupit “Marakli t’ kerreve”.

“Ne jemi kompani qe merremi me biznese, kemi edhe Rent. Vetura ka qenë në shfrytëzim të tjetër kujt me qera”, thotë ai.

Ai aludon në atë se dorasit e kësaj vepre janë të njëjtit persona që kryen një vepër penale.

“Në ditën kur është vjedhë këmbimorja në Gjilan, kryerësit e veprës kanë fillu me ikë, rrugës i kanë taku personat që e kanë pasë kerrin në shfrytëzim. Ata kanë qenë duke i pritë në veturë disa shokë edhe papritmas hajdutët duke i kërcënu me allti i kanë shti me dalë prej kerrit. E kanë marrë veturën dhe më nuk kemi pasë informacione se ku gjendet e njëjta”, rrëfen ai.

Pas kësaj ndodhie, ai vendosi që këtë lajm ta ndajë me anëtarët e tjerë të grupit të “maraklive”.

“Menjëherë pas dy ditëve që kam lajmëru në grup, njëri nga anëtarët i cili ka dashur që të mbetet anonim për çështje sigurie, më është lajmëruar privatisht dhe më ka treguar për vendndodhjen e veturës në Matiqan (Prishtinë), afër shtëpisë së tij”, tregon ai,

Më pas, E.S. tha se policia është lajmëruar, ku edhe pasi që kanë shkuar në vend të ngjarjes është verifikuar vetura.

E ky “marakli” ende nuk ka arritur të e marrë veturën në posedim, kjo pasi që e njëjta duhet të ekzaminohet për procedurën hetimore.

Sipas informatave që E.S.i posedon, dorasit ende nuk janë gjetur, duke aluduar në atë se veturën ia kishin vjedhur vetëm për ndihmesë të momentit, sa për tu larguar nga vendi ku edhe kishin grabitur paraprakisht.

E lajmin për gjetjen e veturës sigurisht që e ndau me anëtarët e tjerë të grupit, duke i falënderuar të gjithë.

“Falenderim shumë i madh shkon për krejt juve marakli, për adminat edhe kejt që e kanë bo share. Sonte u gjet kerri Sharan n’ Matiqan. Ni marakli prej ktuhit ka lajmëru, po dashti me qëndru anonim per këtë pune. Jeni grupi ma i mirë n’ Shqiptari, shyqyr qe kena njerëz t’ mirë e mi mujt do t’ kqi qka kan mbet. Ju faleminderit!!!””.

“Marakli t’ kerreve” është një grup privat në rrjetin social “Facebook” i përbërë nga mbi 54,000 mijë anëtarë.

Policia e Kosovës e konfirmoi rastin e gjetjes së veturës.

“Është e vërtetë se Policia e Kosovës ka gjetur makinën e braktisur. Ende nuk ka të arrestuar lidhur me këtë rast, derisa jemi në kërkim të tyre”, tha Ismet Hashani, zëdhënës rajonal i Policisë, për KALLXO.com.